Reforma e re territoriale që po merr formë, mund të japë një goditje dërrmuese për disa qytete e qendra historike. Paaftësia apo pamundësia siç paraqitet, për të siguruar investime, projekte serioze, zhvillim ekonomik dhe të ardhura, pra për të mbajtur numrin e nevojshëm të banorëve, nuk mund të kthehet në ekzekutuese të historisë, traditës, trashëgimisë dhe vetë të ardhmes së këtyre qendrave. Duhet të gjenden zgjidhje të tjera, më shumë mbështetje dhe mundësi të reja.
Zyrtarisht janë paraqitur vetëm disa kritere, por a mundet ato të kushtëzojnë kaq ftohtë një reformë që nuk pati jetëgjatësi më shumë se 10-11 vjeçare… një reformë që duhet të kursente milione euro, por që në fakt nuk ndodhi keshtu. Po tani!?
Me këto kritere e klasifikime, që lidhen me demografinë, funksionalitetin, ekonominë, shumë bashki rrezikojnë.
Por a mund të zhduken Bashkia Libohovë, Delvinë, Prrenjas, Këlcyrë, Maliq, Poliçan, Memaliaj, Roskovec, Belsh… është përmendur më herët edhe Hasi etj etj… dhe, aq më tepër, Bashkia Konispol, e vetmja pjesë e Çamërisë e mbetur këtej kufirit!? Nuk kam të dhëna të detajuara, por këto janë disa ndër bashkitë që përfliten, për shkak të këtyre kritereve, se mund të bashkohen me njësi të tjera, duke humbur statusin e tyre aktual. Qofsha i gabuar! Banorët e Prrenjasit po protestojnë dhe kanë të drejtë, më parë edhe ata të Hasit kanë reaguar fort!
Kur u bë reforma e parë territoriale, në vitin 2015, logjika ishte se copëzimi i madh, kapacitetet e pakta dhe burimet e kufizuara pamundësonin ofrimin e shërbimeve të vërteta e cilësore. Por ky ndryshim, që në zona të caktuara nuk dha rezultatet e pritshme, dhe madje u bë faktor shtytës për largimin e banorëve, rrezikon të thellohet më tej. Pra, jo vetëm që banorëve nuk u ofrohet shërbimi i kërkuar, por ata rrezikojnë të largohen edhe më shumë prej tij.
E gjithë kjo bëhet edhe më shqetësuese kur, sa i përket bashkive minoritare, duket se përdoret një standard tjetër. Në Shqipëri ekzistojnë dy bashki që i përkasin minoritetit grek, pavarësisht numrit shumë të ulët të popullsisë. Ato mesaduket nga reforma nuk preken. Përse?
Përse dy standarde? Nëse kriteri është efiçenca administrative dhe numri i banorëve, atëherë i njëjti kriter duhet të zbatohet për të gjithë, pa përjashtim. Kështu duhet të funksionojë!
A mund të shkrihet Konispoli, si një bashki e Çamërisë, ndërsa të vijojnë të ekzistojnë dy njësi minoritare greke!? Çfarë logjike ka kjo? Përse kështu? Si mund të fshihet kjo pjesë e historisë së Çamërisë dhe të trajtohen me status të veçantë dy bashki minoritare!? Ku jemi këtu? Reformat duhet të jenë për të gjithë të njëjta!
Kjo është e papranueshme dhe rrezikon të thellojë edhe më tej shuarjen e qyteteve që humbin statusin e tyre.
Nuk po hyj më thellë te fakti se krijimi i bashkive gjithnjë e më të mëdha mund të rrezikojë cilësinë e drejtimit. Për ta kuptuar këtë, mjafton të shohësh fshatrat e Tiranës, që ende vuajnë nga probleme bazike dhe ku investimet po shkojnë rrallë e më rrallë…. sepse në një territor kaq të madh, nuk u kushtohet vëmendje.
Reforma territoriale duhet të ketë një logjikë të drejtë dhe të barabartë. Ajo duhet të mbrojë jo vetëm aftësinë administrative, por edhe historinë, identitetin, trashëgiminë dhe të ardhmen e çdo komuniteti. Thelbi nuk duhet të jetë sa të mëdha janë, por sa pranë e funksionale për qytetarët, ndaj duhen reforma të menduara më mirë. Këtë parametër politika shqiptare, nuk e ka marrë kurrë parasysh! Capërlohen e zihen, por kjo nuk i nevojitet askujt! Askujt!
Ju lutem shkoni më thellë në analiza, sepse vendi ka nevojë për diskutime më të gjera mes specialistëve, ekspertëve të fushave të ndryshme, por edhe studiuesve e historianëve! Disa reforma nuk mund të jenë vetëm politike!
Shpendajeni sa të keni dëshirë miq! ❤️
(Nuk lejohet kopjimi i shkrimit përmes ndryshimit të titullit!)
Burimi/Facebook


Leave a Reply