Në një kohë kur drejtësia shqiptare shpallet “e re”, e pastruar dhe e mbushur me “gjak të ri”, qytetarët kanë filluar të ndjejnë se në venat e këtij gjaku qarkullon diçka shumë e vjetër fryma e frikës, e presionit dhe e nënshtrimit. Sot, nën pretekstin e reformës, prokuroria po përsërit metodat që dikur i përkisnin diktaturës: thirrjen e familjarëve të personave nën hetim për të dhënë deklarata që ligji vetë i ndalon.
Në bazë të nenit 158, germa “a” të Kodit të Procedurës Penale, askush që ka lidhje gjaku, martese apo afërsie familjare me personin nën hetim apo gjykim nuk është i detyruar të dëshmojë. Ky është një garant kushtetues për të mbrojtur jo vetëm dinjitetin njerëzor, por edhe vetë parimin e drejtësisë së paanshme. Por kur prokurorët e “drejtësisë së re” harrojnë ligjin dhe kthejnë hetimin në një proces moralizues e psikologjik, çdo veprim i tillë bëhet i paligjshëm dhe absolutisht i pavlefshëm.

Në vend që të kërkojnë prova, këta prokurorë kërkojnë emocione. Në vend që të gjejnë të vërtetën, kërkojnë nënën që qan, bashkëshorten që dridhet apo motrën që hesht. Një sjellje që kujton kohët kur Sigurimi i Shtetit detyronte njerëzit të pranonin “krime” që nuk kishin ndodhur kurrë, vetëm për të justifikuar një sistem që ushqehej me frikë. Sot, në vend të prangave të hekurt, përdoret presioni psikologjik dhe drejtësia që duhej të ishte një institucion i paanshëm, po shndërrohet në një skenar dhune institucionale të maskuar me togën e ligjit.
Dhe në këtë atmosferë, ringjallen kujtimet e internimit. Dikur, një fjalë e vetme mjaftonte që një familje të zhdukej nga qyteti dhe të përfundonte në baltën e Myzeqesë apo në fshatrat e humbur të Shqipërisë, vetëm sepse një i afërm kishte rënë në sy të pushtetit. Sot, ndonëse internimi fizik nuk ekziston më, forma e tij moderne është e qartë: përmes thirrjeve, presioneve dhe manipulimeve, familjarët stigmatizohen, frikësohen dhe izolohen publikisht një internim moral që ndëshkon të pafajshmit për hir të një emri të përbashkët në mbiemër.
E vërteta është se kur një familjar thirret për të dhënë dëshmi kundër të afërmit të tij, nuk kemi më drejtësi kemi vetëm një riprodhim të frikshëm të së shkuarës. Reforma nuk matet me numrin e prokurorëve të rinj, por me respektin ndaj ligjit dhe dinjitetit njerëzor. Dhe nëse drejtësia e re harron këtë, atëherë nuk ka asgjë të re në të përveçse fjalës “re” në emër.
Në Shqipërinë e sotme, duket se historia po përsëritet me fjalor modern, atëherë të thërrisnin në hetuesi për partinë, sot të thërrasin për drejtësinë; atëherë të dënonin në emër të popullit, sot të frikësojnë në emër të ligjit. Dhe ndërsa ligji thërret për dinjitet, disa prokurorë vazhdojnë të dëgjojnë vetëm zërin e pushtetit.
Ashtu si në kohën e kooperativave, kur njerëzit merreshin me forcë e me “gazin” e famshëm për t’u nxjerrë nga shtëpia e për t’u dërguar në hetuesi, sot disa prokurorë përdorin të njëjtën logjikë nën petkun e ligjit: shoqërime të pajustifikuara, presione, dhe thirrje që s’kanë as bazë ligjore, as dinjitet njerëzor. Nga “gazi i kooperativës” te makina e prokurorisë, ndryshon vetëm emri mënyra mbetet po ajo: të trembësh qytetarin që mos guxojë të kërkojë të drejtën e vet.
Burimi/Facebook


Leave a Reply