Nga Foti Cici
Në këtë foto të vitit 1993, si student në Universitetin e Athinës, në tryezën time duket qartë Fjalori i Gjuhës Shqipe, edhe pse ky libër i stërmadh nuk më hynte në punë në studimet teologjike.
Kisha nisur të përktheja, duke dërguar tekste teologjike shqip në seminarin e Kishës sonë në Durrës, ku madje shkova dy herë për të përkthyer mësimdhënës grekë, me shkëputje nga studimet.
Gjuhësisht, isha larguar nga Shqipëria pa shkollë të lartë, ikur “nga mali” si refugjat para hapjes së kufijve, me një të folme nëndialektore, siç është shqipja jonë e Bregut.
Gjithsesi, që në vitin e parë të studimeve u vetëdijësova se duhet të mësoja mirë shqipen zyrtare, përderisa kisha dëshirë të kthehesha në atdhe si teolog dhe klerik. Gjuha është mjet dhe armë.
Duke parë mungesat e mia gjuhësore në shqipen e njësuar, e nisa nga fillimi: me gramatikë e drejtshkrim dhe me fjalor. Prandaj dhe Fjalori në tryezë është atje ku duhet!
Më kujtohet kur shkova një herë në Tiranë në ato vite të vështira dhe bleva “një thes” me libra, kryesisht të autorëve tanë klasikë. Kur kalova në doganë, polici shqiptar më pyeti i vrenjtur nga brenda sportelit: “Përse i ke marrë gjithë këto libra? Ku do t’i çosh?”. “Në Athinë ku studioj, në konvikt”, iu përgjigja i trembur. Ai u ngrit në këmbë si me inat dhe doli jashtë me nxitim drejt meje. Mua m’u drodhën leqet e këmbëve, se mos më kthente mbrapsht!
Për befasinë time, polici më hodhi dorën në sup dhe bërtiti: “E shihni këtë? Ka ardhur në atdhe për të blerë libra dhe do t’i çojë në Greqi”! Unë u skuqa dhe ula kokën, ca nga lëvdata e papritur, ca nga hutimi që pësova, por gjithsesi i kënaqur dhe i qetësuar që shpëtova. Për parantezë, kam vëzhguar se shqiptarët nuk buzëqeshin kur duan të bëjnë një kompliment, por vrenjten e rrudhen.
Përderisa shqipja ishte mjet pune, pra, më duhej ta mësoja saktë, edhe pse nuk më tha njeri dhe as kërkohej si kusht punësimi. Dhe vazhdoj të thellohem ende sot. Është e detyrueshme.
Si ka mundësi, pyes veten shpesh, që shumica dërrmuese e të diplomuarve në Shqipëri dhe sidomos shumica e intelektualëve tanë, nuk e shkruajnë mirë shqipen dhe nuk druhen e as iu kërkon njeri llogari?
Shoh gabime të tmerrshme drejtshkrimore dhe rrëshqitje të pafalshme gjuhësore, pa folur për rininë, kur duhet ta lexosh dy herë një fjali e t’i vish rrotull për ta kuptuar. Kush pyet për gramatikë e drejtshkrim…
Nëse e krahasoj shqipen me gjuhët që kam mësuar dhe punoj, greqisht dhe anglisht, kjo dukuri e shëmtuar, e mungesës së cilësisë gjuhësore te njerëzit e arsimuar, nuk ekziston gjetkë.
Shqipja jonë, nëse krahasohet me gjuhë të tjera, pra, ka rënë shumë poshtë si cilësi tekstuale dhe ka marrë të tatëpjetën në histori.
A ka projekte strategjike nga shteti shqiptar për të shpëtuar thesarët dhe dinjitetin e gjuhës shqipe?
Burimi/Facebook/Albanian News


Leave a Reply