Ura e Hekurit – ajo që e kalon Bistricën me frymën e Rugovës – s’e bashkon dot më idenë e Haxhi Zekës me partitë e sotme.U ndërtua për t’i lidhur brigjet e qytetit, kur lumi u dalldis e Urën e Gurit e mori me vete, ate që s’ishte vetëm urë, por dëshmi e kohës kur burrat e Pejës e Rugovës ndanin bukën, por jo tokën.
Nëpër të kalonin djemtë e Haxhi Zekës, që predikonin bashkim, jo përfitim.
Në shtëpinë e tij, u themelua Lidhja e Pejës, ku u tha me zë të lartë:
“Gjaku i shqiptarit nuk derdhet më për të huajt, por për kufijtë e vet.”
Aty lindte ideja se kombi s’mund të rrojë pa dinjitet.
Por sot, në të njëjtin qytet, ndihen hapa që s’kanë lidhje me atë betim.
Në vend të djemve që u rritën në hijen e maleve, kemi politikanë që rriten në hijen e ministrive.
Në vend të kaçakëve që i dolën zot lirisë, kemi kaçakë që i dalin zot partisë!
Lumi që dikur shpëlante plagët e luftëtarëve, sot gërryen dy dhëmbët e prishur të Urës së Gurit që mbetën si kujtesë e heshtur që i pyet kalimtarët:
“Ku e latë frymën e Haxhi Zekës?”
Bistrica rrjedh si damar që vjen nga bjeshkët, nga trimeria e kaçakëve të Rugovës, nga lufta e Nokshiqit, nga burrat që dinin të vdisnin për fjalën e dhënë.
Haxhi Zeka e shikonte këtë lum si damar të atdheut, por bijtë e sotëm s’e shohin dot lumin, por zyrat e partive!
Ata s’e dëgjojnë më zërin e gurit, as amanetin e brezave.
Në vend të pushkës që çliroi, sot dëgjohet gjuha e urrejtjes, që mbron kolltukun e partisë.
Peja i ka urat, por jo lidhjet; ka lumin, por jo pastrinë e tij.
Ura e Tabakëve, e Gurit, e Hekurit, e Ibrit, edhe ajo që mungon në Prishtinë – janë si rrugë shpirtërore të kombit tonë.
Ato flasin me zëra të heshtur: për bashkimin, për kujtesën, për ndërtimin që s’mund të bëhet me duar të pista.
Në to është historia jonë, e pashlyeshme si rrjedha e ujit që s’kthehet më prapa.
Një popull që harron urat, harron mënyrën se si ecet përtej vetes.
Ndoshta më e madhja urë që na mungon, s’është ajo mbi lumë, por ajo që duhet të ngrihet brenda nesh —
midis njeriut dhe njeriut, midis partisë dhe atdheut, midis pushtetit dhe ndërgjegjes.
Sepse pa këtë urë të brendshme, çdo qytet mbetet veç një ishull vetmie,
dhe çdo lum i joni — një ndarje që s’mbaron kurrë.
Prishtinë, 14.10.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply