Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndërmarrë një nismë të re që ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me lirinë e medias dhe të shprehjes në Shqipëri. Në vendimet e fundit të KLGJ-së, parashikohet ngritja e grupeve të punës për ndryshime ligjore që prekin ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor, por ajo që ka shkaktuar debat është pikërisht propozimi për bashkëpunim me AMA-n dhe AKEP-in, me qëllim “bllokimin e shkrimeve dhe komenteve që nxisin gjuhën e urrejtjes ose cënojnë integritetin e magjistratëve”.
Ky vendim, i paraqitur në emër të “mbrojtjes së dinjitetit të gjyqtarëve”, është një rrezik i drejtpërdrejtë për censurë ndaj mediave dhe gazetarëve, që denoncojnë korrupsionin apo abuzimet në sistemin e drejtësisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka kompetenca kushtetuese për të diktuar se çfarë duhet të botojë apo të mos botojë media. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është e qartë: pushteti i katërt, ai i medias, është i pavarur dhe nuk mund të kontrollohet nga strukturat e pushtetit gjyqësor.
Në vend që të merret me lirinë e shprehjes, KLGJ duhet të përqendrohet tek problemet e rënda të sistemit që vetë drejtësia shqiptare ka brenda saj si emërime nepotike, transferime klienteliste dhe gjyqtarë që lëvizin brenda sistemit në shkelje të ligjit vetëm për lidhje familjare apo ndërhyrje politike.
Një shembull konkret është rasti i një gjyqtareje të Gjykatës Administrative, e cila ka kaluar brenda pak kohësh nga Gjykata e Gjirokastrës në Gjykatën Administrative të Vlorës, dhe më pas në Gjykatën Administrative Lushnje dhe në fund në gjykatën Administrative të Tiranës. Edhe më skandaloze është fakti se emërimi i saj është kryer nga kunata e saj, e cila ndodhet në një pozicion drejtues në sistemin gjyqësor, duke provuar se nepotizmi vazhdon të jetë normë, jo përjashtim.
Në këtë kontekst, kërkesa e KLGJ-së për t’u dhënë AMA-s dhe AKEP-it fuqi për “bllokimin” e mediave apo portaleve që kritikojnë gjyqtarët, nuk është mbrojtje e dinjitetit të magjistratëve, por përpjekje për të heshtur zërin publik dhe për të shmangur transparencën. Çdo përpjekje për të kufizuar median nën petkun e “etikës” përbën cenim të rendit kushtetues dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut të garantuara nga Kushtetuta dhe KonventaEuropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në një shtet demokratik, media është kontrolli i pushtetit, jo zgjatimi i tij. Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të kuptojë se respekti dhe besimi i publikut nuk fitohet duke heshtur gazetarët, por duke pastruar sistemin nga korrupsioni, lidhjet familjare dhe gjyqtarët e paaftë. Derisa këto plagë të trajtohen me ndershmëri, çdo nismë për “mbrojtjen e integritetit” të magjistratëve mbetet thjesht një maskë për të fshehur abuzimet.
KLGJ në vend që të merret me censurimin e mediave, duhet të japë llogari publikisht nëse janë përmbushur pesë kriteret themelore të reformës në drejtësi, veçanërisht ai i aksesit real të qytetarëve në gjykata. Sot, zvarritjet dhe mungesa e transparencës kanë kthyer drejtësinë në një proces të mbyllur për qytetarin e zakonshëm.
Për më tepër, Këshilli duhet të sqarojë se si i ka “mbrojtur” gjyqtarët e proceduar apo të padobishëm për sistemin, si në rastin e gjyqtares Arta Llazari, e cila prej pesë vitesh nuk ka caktuar asnjë çështje për gjykim, por vazhdon të mbajë statusin e magjistrates pa asnjë pasojë. Kjo është prova më e qartë se reforma nuk po matet me rezultate, por me privilegje të ruajtura për të njëjtët njerëz.
Media në Shqipëri është fajtore vetëm për një gjë: që nuk ka qenë mjaftueshëm kritike ndaj sistemit të drejtësisë, dhe rasteve flagrante të korrupsionit, por shpeshherë i ka bërë fresk atij. Për vite me radhë, ekranet transmetonin me bujë se “vetingu po pastron drejtësinë”, ndërsa në prapaskenë sistemi po betononte të njëjtët njerëz me lidhje politike e familjare.
E njëjta histori përsëritet edhe sot me kamerat e SPAK-ut, ku media shërben si dekor për prokurorë e gjyqtarë që inskenojnë “aksione” për publikun, pa rezultate reale për qytetarët. Dhe tani që gjyma e madhe ka plasur dhe janë zbuluar plagët e vërteta të sistemit, KLGJ del e thotë se media duhet të heshtë, të mos publikojë skandalet në drejtësi. Por media nuk ekziston për të bërë publicitet, ajo ekziston për të kritikuar dhe demaskuarçdo padrejtësi, sado e veshur me petkun e “reformës”.
Burimi/Facebok


Leave a Reply