Nuk e di a ishte dritë apo hije ajo që më kaloi mramë nëpër shpirt, por ndjeva se nji diçka u këput mrenda meje — si tel lahute që knon për herë të fundit. M’u duk sikur mramja e asaj toke ma mori frymën dhe ma mbushi shpirtin me mall, me një mall që s’e shuan as gjaku, as koha, as kujtesa.
Më vjen keq që s’do t’i gëzohem askujt nga ju që do të fitoni komunat sonte.
S’e kam ma në dorë gëzimin — ai m’u shkëput, u ngjit mbi kufi, e kaloi në anën tjetër.
Komunat do të mbesin kosovare, përgjithmonë, po zemra ime e kaloi Gjakovën e ra në ujin e Drinit, që shkon e derdhet në detin e Moreve.
Atje e lashë, në gjinin e asaj që quhet e bukura More — atdheu që s’asht vetëm tokë, por dritë që digjet në gjak.
Unë s’do të votoj.
Se nji zemër pata — dhe ajo zemër s’asht ma e imja.
Ia fala Shqipnisë, mramë në shqiponjen e djaloshit, në tokën që dikur ishte e imja, e të gjitha plagët ia fala, me gjithë dashuninë, me gjithë mëkatet që i pata. Ia fala, — me dridhje, me ndrojtje, me frymë të përzier me lot.
Shqipnia asht si nji grue e moçme, që të përvëlon me bukurinë e saj dhe të len pa gjumë me dhimbjen e vet.
Ajo s’të kërkon asgja, por kur ta merr zemrën, s’ta kthen ma, e mbetesh hije që endet prej malesh në det, prej detit në fjalë, prej fjale në heshtje.
Prandaj sonte, kur ju ti numëroni votat, unë do ti numëroj kujtimet, copat e shpirtit që më kanë mbetë nëpër kufij, nëpër rrugë, nëpër male.
Dhe më duket se në çdo frymë që marr, dëgjoj nji za që më thërret nga larg:
— Hajde, mos u vono, se Shqipnia s’pret!
E unë, u bana hije e kujtimeve, që veç Ajo, Shqipnia, di të më njohë.
Cyrih, 12.10.2025


Burimi/Facebook


Leave a Reply