Prof.PJETER HALILI NË LIRIKËN E SHKRUAR NDËR’VITE
Nën bli, mësova fjalën dashuri…
LIRIKA …
……….
S’ na ndajnë mijëra kilometra,
Shkretëtirë e Gobit e Saharasë;
S’ na ndajnë male, fusha, detra…
Dy tre tavolina në kët’ klasë.
S’ më duhet pasaportë ndërkombëtare,
Biletë avioni e dollarë;
Tek ti më sjell një vizë bujare
Firmosë nga zëmra jote e bardhë.
Mendoj për TY, pra, ja ku je…
Dhe shkruaj plot pathos kët’ poezi.
Ti, si të gjitha vajzat, naze ke,
Po vizën do ma japësh, – unë e di…
…………..
Vitet ikën, mbaroi ( dhe ) matura…
Me dosjen e ” projekteve ” në stacion kam dalë,
Vështroj,…përpara zgjatet udha,
Të eci, po si të eci vallë ?!…
Mbaroi matura,- fjalë e vështirë !
Është çast’ i fundit, që Ti rri me mua;
Do të ëndem si çifuti në shkretëtirë;
Veç ëmri YT i gjatë do të vijë me mua…
………………..
Kohë më parë, në zabel mbi fshat
Midis lisash ka pasë qënë një bli,
Nën degët e tij, një ndajnatë
Pata mësuar fjalën DASHURI…
Po blinin e prenë me sopatë e sharrë
Dhe përdhe e shtrinë me egërsi;
Ata që e prenë ishin të marrë,
Si ata që vrasin fjalën DASHURI…
…………………..
Rri në portë, jam student i ri,
Gjërë e gjatë shtrihet ky pallat;
Po guximin marr, edhe hyj…
Jeta qënka udhë, udhë e fat.
Vajzë e Bregut ç’ më vështron ashtu?!
Ashpërsia ime të mundon…
Një shartim do të bëjmë këtu
Dhe do zbutet lisi me limon…
…………..
Dallandyshet ikën bashkë me TY,
U bë Shtatori vjeshtë e tretë,
U vyshkën lulet në saksi
Dhe klasa mbet si han i shkretë.
E mbeta unë me ” Ëngjëjt e Ferrit “,
Që TI i braktise me të pabesë,
Tradhëtia zgjatet prej syve të Homerit
E gjerë tek syzet e Kadaresë…
……………..
Është vjeshtë, po ikë kjo dallandyshe,
Për tu kthyer në Prill a Maj…
Kjo ikja Jote, mos vallë, është ndryshe?!
Ngjan a s’ ngjan me ikjen e Saj…
Kjo ikja Jote pa pasthënje,
Kjo ndarja jonë pa epilog;
Ndoshta lajthita ( po më thotë një mëndje ),
Pas dimrit do kthehesh si ky zog…
………………..
“…Rrugës tonë ” ecim, është Pranverë
Dhe nuk flasim,heshtja jonë flet…
Si u njohëm ne të dy atëherë
Dhe si shkuan kështu katër vjet.
…………………………..
Unë në udhë jam, natë e ditë;
Maleve bjen borë edhe fryn erë,
Po mbi portën tënde, them, një dritë
Do ta gjejë të ndezur kurdoherë.
………………….
S’ do të jemi bashkë ne përjetë,
Do t’ më lësh një ditë Ti, fillikat;
Veçse puthja ime do të ndjekë
Si kujtim që nuk të lë rehat…
Nga takimet do ruash një imazh,
Dhe imazhin tim do ta ruash;
Do t’ më keshë në ëndra personazh,
Nga ky shkak, ndoshta dhe do t’ vuash…
…………………
I paepur, stoik, nëpër vite
Diga i ngrija dashurisë për Ty,
Po nuk bëhej zap ai lumë drite,
Që burimin kish’ tek ata sy.
Ndërruam rolet, digat Ti i ngrije;
( Bile, Ti i bëje më të rënda,)
Po, kur natën vonë e lodhur flije
Nga dritare e ëndrës hyja brënda…
Tani, që të dy kemi kuptuar:
Digat s’ bëkan punë në dashuri…
Ajo qënka lumë fort i trazuar
Që rrjedh nëpër zëmra, edhe sy
………………….
Jemi dashur, shumë jemi dashur,
Të kujtoj me mall, që veç një Zot e di;
Pesë vjet në krah të kam patur,
Pesëdhjetë vjet në zëmër, …si tani.
Si tani që shkruaj këto radhë…
Janë vargjet e fundit, ( të bëj be !)
Jeta është e shkurtër do përplasem
Si dy rë që lindin një rrufe…
………………..
Dashuria – fjalë e vështirë…
Sa bota e vjetër;
Dashuria – rreth,
Njeriu – tangente;
Që nga kohë’ e Arkimedit vërtiten në hapsirë,
Po tangentja nuk bëhet diametër…
……………..
Përjetë shpirti im do të mbetet
Zog që rënd’ pas syve Tu, mbi glob;
Kapiten i krisur që çan detet,
Amerika – sytë; dhe shpirti im Kolomb…
Burimi/Facebook/Gazeta Nikaj-Mërtur


Leave a Reply