REAGIMI QYTETAR KORÇË ·
Jorgji K Sidheri
REAGIM PUBLIK
Ngjarja tragjike e ndodhur sot në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku humbi jetën Gjyqtari Astrit Kalaja (u prehtë në Paqe,ngushëllime familjes) dhe u plagosën babë e bir (shërim të shpejtë ju uroj) – palë kundërshtare në proces me autorin e krimit – është një goditje e rëndë për shtetin e së drejtës dhe për besimin e qytetarëve në drejtësi.
Autori i krimit, sipas raportimeve, ka deklaruar se “humbi gjyqin mbi pronat”. Ky justifikim, sado i dhimbshëm apo emocional, nuk mund dhe nuk duhet të ketë vend në një shoqëri demokratike. Vetëgjyqësia është fundi i rendit ligjor dhe fillimi i kaosit.
Ky akt tregon se siguria brenda institucioneve të drejtësisë është në pikën më të ulët, dhe se mosbesimi i qytetarëve ndaj vendimeve gjyqësore ka arritur nivele alarmante. Çështjet e pronësisë, që prej dekadash mbeten plagë e hapur e tranzicionit, po prodhojnë jo vetëm padrejtësi, por tashmë edhe viktima.

Kjo ngjarje kërkon reflektim të thellë dhe reagim të menjëhershëm institucional. Shteti duhet të garantojë sigurinë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe qytetarëve në çdo sallë gjyqi. Drejtësia duhet të jetë vendi ku njerëzit gjejnë zgjidhje, jo ku derdhet gjak.
Shqipëria po përballet me ditë të vështira. Është koha të ndalim dhunën, të rikthejmë besimin dhe të ndërtojmë një drejtësi që mbron Barazi Përpara Ligjit !”
Jorgji SIDHERI
Burimi/Facebook/REAGIMI QYTETAR KORÇË


Leave a Reply