Kush ma thotë dot çfarë dreq roli kanë prefektët dhe nënprefektët në këtë vend të rrënuar ekonomikisht, ku çdo ditë mbyllen biznese, ku qytetarët mezi paguajnë dritat e ujin, ndërsa shteti shpërndan miliona për një ushtri zyrtarësh pa punë, pa përgjegjësi dhe pa asnjë vlerë reale për qytetarin?
Kush mund të më shpjegojë pse një prefekt paguhet 1.9 milionë lekë në muaj, ndërsa një nënprefekt merr mesatarisht 1.3 deri në 1.5 milionë lekë, për të bërë asgjë?
Për të firmosur letra që s’kanë asnjë efekt praktik dhe për të luajtur rolin e “syrit të qeverisë”, që në fakt është vetëm një sy i verbër përballë halleve të popullit?
Prefekturat dhe nënprefekturat janë shembulli më brutal i burokracisë parazitare që e ka zënë frymën e këtij shteti.
Ato janë institucione të ngjitura si kanceri mbi trupin e administratës publike – nuk prodhojnë asgjë, nuk kontrollojnë asgjë, nuk ofrojnë asnjë zgjidhje.
Janë thjesht zyre luksi për militantët e partive që duhen “shpërblyer” pas zgjedhjeve.
Një sistem nepotik që e trajton shtetin si pronë private, dhe pushtetin si plaçkë që duhet ndarë mes besnikëve.
Në çdo qark të Shqipërisë kemi një prefekt me zyrë, me shofer, me sekretare, me makinë zyrtare, me karburant, me dieta, dhe nën të, disa nënprefektë që bëjnë të njëjtën gjë – asgjë.
Dhe për këtë “asgjë”, qytetari paguan.
Nga gjaku i taksave të atyre që punojnë në call center, që punojnë në ndërtim, që jetojnë me kredi e shpresë, dalin pagat e tyre.
Në letër, ligji e përshkruan rolin e prefektit si “përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark”, me detyrë të “koordinimit të institucioneve shtetërore lokale”.
Por realiteti është ndryshe:
Asnjë institucion nuk e pyet prefektin për asgjë, bashkitë nuk i japin llogari, ministritë kanë zinxhirin e tyre hierarkik, dhe qytetarët as nuk dinë ku ndodhet zyra e prefektit.
Po nënprefektët?
Janë si “hijet e hijes”, njerëz që presin muajin e ri për të marrë pagën dhe shfaqen në ceremoni shtetërore vetëm për foto e për të bërë numrin e duartrokitjeve.
Në një vend si Shqipëria, ku spitalet s’kanë ilaçe, ku mësuesit mbajnë tre punë për të mbijetuar, dhe ku pensionistët jetojnë në varfëri ekstreme, pagat e prefektëve dhe nënprefektëve janë një fyerje publike, një shuplakë morale në fytyrën e çdo qytetari të ndershëm.
Përse duhet të ekzistojnë 12 prefektura dhe me dhjetëra nënprefektura kur bashkitë dhe ministritë lokale mund t’i kryejnë të gjitha funksionet?
Përse duhet të shpërdorohen miliona euro çdo vit për zyra që nuk japin asnjë raport, asnjë vendim me ndikim, asnjë shërbim konkret?
Këta janë postet e shpikura për t’i mbajtur militantët në jetë politike.
Prefekti është “gjyshi” që nuk e heq dot partia nga puna se ka vite besnikëri;
Nënprefekti është “nipçka” që duhej sistemuar diku.
Kështu funksionon shteti shqiptar:
Një rrjet i dendur klientelist, ku rroga është shpërblim politik dhe jo rezultat pune.
Po ta shihnim në mënyrë të ftohtë, nëse nesër do të mbylleshin të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat, Shqipëria s’do ta ndiente për asnjë sekondë mungesën e tyre.
Përkundrazi, do të kursente qindra milionë lekë çdo vit që mund të investoheshin për spitale, për ndihma sociale apo për paga të ndershme për ata që punojnë realisht.
Prefekti dhe nënprefekti janë simboli i shtetit që nuk punon, por paguhet.
Një shtet që di të shpërblejë servilizmin, por jo meritën.
Një shtet që financon luksin e zyrtarëve, ndërsa fëmijët e këtij vendi rriten në emigracion.
Dhe ndërsa qytetari mban mbi shpinë barrën e çdo takse, shteti mban në kurriz parazitët e vet me rroga mbretërore.
Në fund, pyetja e thjeshtë mbetet po ajo:
Pse duhet të paguajmë për njerëz që nuk bëjnë asgjë?
Përgjigjja është edhe më e hidhur:
Sepse ky shtet është ndërtuar për ta, jo për ne.
Burimi/Facebook


Leave a Reply