Shikoj qiellin. Fjollat e borës shkrihen n’bebzat e mjegullta. Rri e s’lëviz. Gjethet zbardhën si fytyra ime. Disa u këputën, ranë n’tokë bashkë me borën që u palue mbi fletët e papjekuna, që s’mujtën me marrë ngjyrën e vjeshtës.
Vera, sikur i lidhi fijet e rrezeve me fjollat e dimnit, e vjeshta u tret, si bora n’tullën time. Fjollat i shoh, por m’shfaqet edhe dardha – ajo e vjetra, qindvjeçarja, mbi shtëpinë e drunit. Ajo që e shartuen pleqtë me pipin e dardhës së Abazajve, te kroni n’shpat, që herë gufon e herë i shterret damari.
Ajo dardhë kishte kokrra plot, por sivjet s’arriti me i hudhë n’tokë bashkë me gjethet. Nuk u lulësavën, s’u tujgën, nuk u zbutën, s’u banë të langshme, se bora ua mori tetorin, i zbardhi si bjeshkët.
Çudi, as sorrat, as pëllumbat, as zogjtë – nuk dukën, u strukën në zgavra e strehë.
“Dimën pa vjeshtë” – them, e fjollat shkrihen n’bebzat e mjegullta. Kujtimet rrëshqasin gjurmëve t’nji vocërraku n’ograjën me dy mollë e një kumull sharicë. Veç kaqat sot tallen me borën e hershme. Kaqat e kulumriat s’e marrin seriozisht dimnin; bora i ban ma të buta, ma të ëmblat, ma t’kajshme!
Sot fjollat më çuen te dardhat, te kulumritë e zeza, te kaqat e kuqe – aty ku faqet kuqeshin e sytë baheshin të zi, aty ku e thërrisja Bub Zenelin:
– Çka presin Drel Nika e Nik Deda që s’i prejnë pastermat? Dimni erdhi, e droja asht mos po zhdirgjën ortiqet e Gryka bahet e pakalueshme deri n’Shëngjergj!
Dimnit i gëzohen fëmijët, e pleqtë i druhen. Fëmija sheh borën si lojë, plaku si kambanë që i thërret përfundimisht. Fëmija i sheh fjollat si lule, plaku si qefinë. Fëmija e sheh shtegun e bardhë si ftesë me rrëshqitë mbi sajë, plaku e sheh si rrugë që të çon drejt heshtjes.
Dhe mendova: ndoshta ky asht kuptimi i “dimnit pa vjeshtë”. Nji jetë që kalon prej fëmijërisë në pleqni pa e shijue krejt stinët e mesme. Pa lulëzim të plotë, pa ngjyrën e arit t’vjeshtës. Si disa njerëz që, pa jetue mirë rininë, plaken përnjëherë. Si disa zemra që thahen pa marrë ngjyrë, pa u pjekë. Si disa kujtime që ngrijnë para se me u bâ përjetim.
Vjeshta asht koha e ndërmjetme, koha e pjekunisë. E kur ajo mungon, njeriu ngelet ose fëmijë i papjekun, ose plak i lodhun. E pra, kjo fjollë e hershme që më shkrihet n’bebza më thotë: “kujdes, mos u bâ njeri pa vjeshtë, mos u bâ jetë pa mes”.
Se asht e lehtë me lindë e me vdekë. E randë asht me jetue mes tyne.
3 tetor 2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply