– v ë z h g i m –
Për mua, edhe sot e kësaj dite, Lezha mbetet një qytet me një vatër poetike poetësh të talentuar, që i kanë dhënë poezisë shqipe shumë dukuri pozitive dhe vlera. E, në zanafillë të kësaj vatre do të kujtojmë poetin e talentuar, njerëzorin Ndoc Gjetja. Kontributi i tij ka lavdinë e respektin e gjithëkohëshëm. Shumë vite më pas, me ardhjen në krye të Kryetarit të Bashkisë z. Pjerin Ndreu, dimensioni i kulturës në këtë qytet ka marrë hapësira zhvillimi kulturore për t’u pasur lakmi.
Para disa ditësh në këtë qytet, në Shëngjin, mbylli siparin Panairi i librit “Valë e Fjalë”. Përgëzime dhe sukses i merituar! Duke ndjekur me sukses çmimet që u dhanë nga juria, nuk dëgjova se u dha çmim për letërsinë shqipe për fëmijë. U kujtova… se, në këtë hulli, Juria ndoqi të njëjtën rrugë si juria e Panairit të librit të fundit në Tiranë, mbase me ndonjë ndryshim të vogël. Në Panairin e Tiranës, edhe pse u premtua çmim për t’i dhënë letërsisë për fëmijë, nuk iu dha. Kryetari i jurisë, doli e tha se “nuk ka prurje cilësore”. Kjo nuk është e vërtetë. Por… në juri nuk kishte një anëtar që kishte kontribute në letërsinë për fëmijë, dhe ajo që është më e rëndësishmja juria,siç duket nuk kishte lexuar asnjë libër për fëmijë. Mjafton t’u them se veprat e shkrimtarëve Adelina R. Mamaqi, Rovena Rrozhani, Valbona Banka, Ana Tisi… etj., meritonin, me patjetër çmim! Tani të vijmë te Panairi i librit në Shëngjin. Në juria nuk kishte përfaqësues nga letërsia për fëmijë, nuk u bë ndonjë diskutim lidhur me problemet e kësaj letërsie. Po përmend disa problematika nga vëzhgimet dhe studimet e mia, që duheshin trajtuar, si: – horizontaliteti dhe vertikaliteti i vlerave të kësaj letërsie.; – raportet e letërsisë artistike me ato didaktike, pedagogjike… etj..; – raportet e dixhitalizimit të ilustrimeve dhe peneli krijues i ilustratorit. ; – origjinaliteti i letërsisë shqipe për fëmijë dhe huamarrja nga subjektet e letërsisë botërore.; – raportet e triumfit të letërsisë botërore për fëmijë ndaj letërsisë shqipe (është fjala për raportet e përkthimit)… etj. etj. Për të shkuar më tej, për vlerësimin e kësaj letërsie, në Fondin e Krijimtarisë Letrare për fëmijë 2025, mes 19 dorëshkrimeve (që nuk njihen akoma dhe sot) juria vlerësoi tre vepra fituese. Njëra ishte me titull “Enigma e Kësulës së Kuqe” e shkrimtarit E. N. Dhe motivacioni ishte: “për një lojë intertekstuale postmoderne të përrallës së Kësulkuqes që vjen e dekonstruktuar natyrshëm dhe që nxit më tej kureshtjen dhe imagjinatën e lexuesve të vegjël përmes një rrëfimi të zhdërvjellët dhe domethënës.” Ky motivacion me fjalët-çelësa: intertekstuale, postmoderne, dekonstruktuar, domethënës…; nuk ka studiues që e zbërthen këtë rebus, aq më shumë që lexuesit e vegjël jo vetëm që nuk i njohin dhe nuk i kuptojnë kwto nocione e terma të vështira. Është e udhës të jemi më të përgjegjshëm e më seriozë, ku flasim dhe gjykojmë për letërsinë shqipe për fëmijë.
Si Panairi i Librit në Tiranë, ashtu edhe ai i Shëngjinit, edhe panaire të tjera që do të vijnë… të kuptojnë se në lindje të çdo Panairi ka një foshnjëri që quhet Letërsi për fëmijë. E të harrohet, është e pafalshme. Panairet do të jetojnë, por pa fëmijëri. Letërsia për fëmijë nuk është vetëm biznes, por është mision i lavdishëm që mbart talentin e shkrimtarëve dhe ardhmërinë e brezave. Ndaj, duhet vlerësuar dhe respektuar. E meriton kjo Letërsi e shtrenjtë dhe e çmuar!
Shkodër, 26.08.2025 ( xhahidbushati)
Burimi/Facebook


Leave a Reply