—–Ti më mbyll qepallat
e unë të shoh ende
në magjinë e krijuar nga ty
jetoj me fytyrën tënde
me vesën e buzëve të tu
të kuqen që ende më ngjeshet mbi gjoks.
Ti më mbyll gojën ngadalë
dhe puthjet e tua më lënë pa frymë
të ngrohta, në shiun e nxehtë të verës
në fushën e një jete të pafund
ku stuhitë kanë lënë gjurmë.
Ti më mbyll portën
që pragun e kësaj strehe mos ta kapërcej
që mos ta lë këtë vend të shenjtë përgjërimi
strehë përgjumjesh, zgjimesh e deliresh.
Më së fundi e kuptove
se i burgosuri tënd duhej të shkonte
bohemi i tokës dhe qiellit
me premtimin e se një ditë do të kthehet,
pra portën lëre hapur e dashur
dhe çarçafët e bardhë nderi në erën që fryn
unë me siguri do të kthehem një ditë të vonët
me një diell në duar.
—-
Kalonte një grua…
—
Ajo shkonte si era,
një grua natën nën drita neoni
pa mundur të klithte dhe të vështronte botën në sy,
kujt vallë t’i ankohej?
Në rrjedhën njerëzore kalimtarët iknin, nxitonin
dhe askush nuk e dëgjonte klithmën e saj
mbetur në gjoks si një thikë e ngulur thellë
që s’mund ta shkulte,
shkonte kuturu pa ditur ku
me sy të errët zhgënjimi
për dashurinë e humbur,
zogjtë e saj të vrarë,
dhe gjithë pasqyrat e ëndrrave të thyera.
Ajo grua kthehej mbi lotët e saj
të gjente tashmë një strehë paqtimi,
të besonte se përtej reve të hirta
mijra diej ndriçonin ende.
Nxitonte pa klithur në rrugën pa kthim
të mbyllte një plagë dhe portën e zisë
me shpresën se ndoshta një ditë pranvere
një ditë fatlume,
një burrë i zakonshëm do vinte ta zgjonte
thjeshtë, në nevojë dhe ai,
me të njëjtën plagë
me një tjetër klithmë në buzë
me të njëjtën shpresë,
se pas çdo furtune një dëshirë hedh rrënjë
në një zemër të plagosur,
në sytë e vrarë
në një tokë të zhuritur,
se një flutur më së fundi do zgjohet të kërkojë fluturimin.
Burimi/Facebook


Leave a Reply