Martin Lush Ndreca lindi më 28 nëntor 1923 dhe u vra pabesisht më 25 korrik 1953, në fshatin Korthpulë të Mirditës, një zonë që atë vit iu shkëput administrativisht Mirditës dhe iu bashkangjit rrethit të Pukës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Martini ishte pjesëtar i çetës Pukë – Mirditë, duke luftuar kundër pushtuesve fashistë.
Por pas çlirimit, ai nuk u pajtua me dhunën dhe masakrat e ushtruara nga regjimi komunist.
Për këtë arsye, vendosi të dalë maleve dhe t’i bashkohet rezistencës së armatosur, sipas orientimeve të Komitetit të Maleve.
Në radhët e kësaj lëvizjeje ishin edhe shumë burra të tjerë të njohur të zonës së Korthpulës, Kashnjetit dhe Mnelës së Madhe.
Krahas Martin Lush Ndrecës qëndronin:
-Kol Bajraktari, një figurë me ndikim në Kashnjet;
-Ndue Dedë Perzefi, i njohur për trimërinë e tij dhe përkushtimin ndaj çështjes së lirisë;
-Monsinjor Zef Çoku nga Oroshi, një klerik dhe atdhetar që mbështeti moralin e rezistencës;
-Kaçel dhe Luk Perzefi, vëllezër të pushkës e të besës, pjesë e qëndresës lokale;
-Lush Pirolli, i cili kontribuoi në përpjekjet kundër regjimit komunist.
Këta burra, së bashku me shumë të tjerë, përfaqësuan një brez të tërë që nuk pranoi të dorëzohej ndaj shtypjes.
Viti 1953 shënoi kapitullimin e Mirditës si krahinë gjysmë-autonome.
Për shekuj të tërë, Mirdita kishte gëzuar të drejta të veçanta dhe vetëqeverisje, të njohura edhe nga fuqitë e mëdha ndërkombëtare.
Në Konferencën e Paqes në Paris (1921), këto privilegje u pranuan si pjesë e realitetit shqiptar. Por regjimi monist i Enver Hoxhës, që nga fundi i vitit 1944 deri në korrikun e vitit 1953, e shkatërroi këtë trashëgimi me gjak, dhunë dhe integrim të detyruar.
Martini kishte mundur të arratisej në Jugosllavi. Por në korrikun e vitit 1953, i shtyrë nga dashuria për familjen, ai u rikthye fshehurazi për të marrë me vete bashkëshorten dhe dy vajzat e vogla. Sigurimi i Shtetit e survejonte shtëpinë ditë e natë, dhe kur ai hyri, informata shkoi menjëherë në Degën e Brendshme të Pukës.
I rrethuar, Martini zgjodhi të mos bënte rezistencë, për të mos rrezikuar jetën e gruas dhe vajzave të tij.
Ai u arrestua dhe u nxor në një gjyq publik në Korthpulë.
Përpara popullit të mbledhur me detyrim, komunistët e dënuan me vdekje, duke dhënë një mesazh terrori: kushdo që guxonte të ngrinte krye kundër regjimit, do ta pësonte njëlloj.
Pas pushkatimit, trupin e tij nuk e lanë të prehej i qetë.
Agjentët e Sigurimit e tërhoqën zvarrë nga Korthpula deri në Pukë, një rrugë prej mbi 30 kilometrash.
Përgjatë rrugës, ata shpërndanin copa të mishit të tij, si akt makabër dhe për të mbjellë tmerr.
Nëna e tij, një grua fisnike mirditore, shkoi pas trupit të birit dhe, me duart e saj të dridhura, mblodhi copë pas cope eshtrat e tij, duke i larë me lotët e saj.
Ky gjest i një nëne të pikëlluar u bë simbol i dhimbjes dhe fisnikërisë mirditore.
Martin Lush Ndreca, së bashku me Kol Bajraktarin, Ndue Dedë Perzefin, mons. Zef Çokun, Kaçel e Luk Perzefin, Lush Pirollin dhe shumë të tjerë, mbeten dëshmi e një brezi që nuk pranoi të përkulej.
Ata janë simbol i rezistencës së Mirditës dhe i sakrificës për liri, në një kohë kur terrori komunist synonte të zhdukte çdo shpirt kryengritës.
Nga: Leon Molla
Ndihmoi në faktet historike: Fran Kamshi
Burimi/Facebook


Leave a Reply