(Pasardhës të Preng Markolës: Njeri i pushkës, tjetri i penës).Është një privilegj dhe një nder i madh të flasësh për këta dy pinjollë të derës princërore e kapidanore të Gjomarkajve.
Ata ishin dy figura madhore të Mirditës dhe të Shqipërisë: Njëri, legjenda e maleve shqiptare, i pathyeshëm në luftën për liri e demokraci, që mori pushkën në dorë dhe u bë udhëheqës i rezistencës; tjetri, pena e mendimit e përkushtimit intelektual, që dha jetën e tij për idealin e kombit.
Ndue Pjetër Gjomarkaj lindi në katundin Ndërshenë të Oroshit në vitin 1920, ndërsa i vëllai Gjon Pjetër Gjomarkaj lindi në vitin 1927.
Të dy u rritën jetimë pas ndarjes nga jeta të prindërve të tyre, por fati deshi që t’i merrte nën kujdes axha i tyre, Ded Preng Kola, një burrë i urtë dhe i respektuar, i cili bashkë me dy motrat e tyre, Dila Pjetri (e martuar me Rajtën) dhe Ruta Pjetri (e martuar me Kelin), u bë mbështetja kryesore e jetës dhe e edukimit të tyre.
Në Orosh, në Konviktin e famshëm, ata morën mësimet e para duke treguar prirje të shkëlqyera dhe nota të larta.
Shkollën e mesme e përfunduan me sukses të madh në Shkollën Bujqësore të Golemit në Kavajë, institucion që në atë kohë kishte një reputacion të jashtëzakonshëm në Shqipëri.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, rrugët e dy dragojve të rinj u ndanë: njëri mori rrugën e pushkës dhe maleve, tjetri të dijes dhe penës.
Por sot do të ndalemi më shumë te legjenda e pushkës, Ndue Pjetër Gjomarkaj, dhe veprimtaria e tij, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, ashtu siç është përshkruar me mjeshtëri nga studiuesi e historiani i nderuar, prof. dr. Xhevat Rrepishti.
Një dëshmi të çmuar e të sinqertë e kam marrë nga z. Gjet Keli, djali i motrës së Ndue Pjetër Gjomarkaj.
Ai rrëfen se pas ardhjes së dajës nga mërgimi, e ka pritur për afro një muaj në shtëpinë e tij në Rrëshen. Gjatë atyre ditëve, ai pati mundësi ta pyesë për shumë çështje të nxehta historike, sidomos për akuzën e rëndë që i bëhej lidhur me vrasjen e Bardhok Bibës.
Ndue Pjetër Gjomarkaj me dorën mbi zemër, tha hapur:
“Bardhok Bibën nuk e kam vra unë, por anëtarë të Komitetit të Maleve, për arsyet që po ju tregoj.”
Më 7 gusht 1949, Komiteti i Maleve kishte mbajtur një mbledhje për analizën e punës dhe për vendimin e arratisjes së një grupi prej 53 vetash drejt Jugosllavisë.
Gjatë asaj mbledhjeje, mbërriti lajmi se Bardhok Biba po vinte në Kaçinar. Situata ndryshoi menjëherë. Zëvendëskryetari i Komitetit, Ndue Bajraktari, një burrë me moshë e autoritet, u shpreh prerë:
“Unë nuk arratisem për Jugosllavi pa ia çuar kryet e Bardhok Bibës djalit tim, të cilin ma ka plagosë, ma ka zanë rob dhe ma ka vra pa gjyq.
Sipas së drejtës zakonore e kanunore, ai më ka borxh.”
Kjo çështje u diskutua gjatë e gjerë.
Shumica ngulnin këmbë që duhej ta vendosnin me votë të fshehtë.
Dhe ashtu u bë.
Votimi ishte i rreptë e korrekt.
Me habi, vetëm një votë doli kundër, ndërsa të gjithë të tjerët ishin për ekzekutimin.
Ndonëse disa e dinin që Ndue Pjetër Gjomarkaj vetë nuk ishte i prirur për një veprim të tillë, ai respektoi vendimin kolektiv, duke e konsideruar si një detyrim moral e statutor të Komitetit.
Ekzekutorët dhe informatori i ngjarjes mbetën të panjohur, pasi Ndue Pjetër Gjomarkaj nuk pranoi kurrë të përmendte emra.
Në vitin 1993, në Pallatin e Kulturës, në një takim të madh me popullin që mbushi çdo cep të sallës, atij iu bë pyetja drejtpërdrejt për vrasjen e Bardhok Bibës.
Ai iu përgjigj qartë:
“Unë nuk kam derdhë gjak, vendimi është marrë kolektivisht nga Komiteti i Maleve.
Kanuni nuk më lejon të vras për hakmarrje, sepse fisi ynë, Gjomarkajt, e ka provuar hidhur tragjedinë e vëllavrasjes që nga koha e Lleshit të Zi dhe djemve të tij.
Unë kam vënë firmën aty ku vendimet janë marrë me votë të fshehtë, por pushkën nuk e kam qëlluar kurrë për të larë gjak.”
Edhe kur u pyet për vrasjen e disa grave të njohura si “heroinat”, ai tha:
“Kanë qenë kunetërit e tyre që i kanë vrarë për hesapet e veta.
Ne u ‘faturuam’, sepse disa prej kunetërve ishin pjesëtarë të Komitetit të Maleve.
Ishte më shumë lojë e turpit dhe e propagandës komuniste sesa vepër e jonë.”
Sipas rrëfimeve të Ndue Pjetër Gjomarkaj, Bardhok Biba kishte qenë shpesh cak i vendimeve për ekzekutim, madje që nga koha e Mark Gjomarkut.
Bardhoku, si sekretar i parë, bashkë me Sulejman Manokun (shefin e sigurimit të Mirditës) dhe kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, drejtonte operacionet e ndjekjes.
Pa miratimin e këtij “treshi”, asgjë nuk kryhej.
Logjika e kohës ishte e thjeshtë: nëse ata po përgatiteshin të të vrisnin, a do ta lëshoje rastin për ta paraprirë?
Përgjigjja e Komitetit të Maleve ishte po aq e thjeshtë: “Po, sepse ishim në mbrojtje, jo në sulm.”
Qëllimi i tyre ishte të mbanin gjallë zjarrin e rezistencës, të ushqyer nga propaganda antikomuniste dhe të orientuar nga anglo-amerikanët, derisa të vinte momenti i duhur për një ndërhyrje më të madhe.
Historia e Ndue Pjetër Gjomarkut është historia e një burri që nuk e përdori pushkën për hakmarrje personale, por për ideal.
Ai nuk e njohu frikën, por as nuk e përdori dhunën si mjet të verbër.
Vendimet e Komitetit ishin kolektive, të bazuara mbi kanun, mbi votë dhe mbi nevojën e kohës.
Ai mbeti deri në fund një simbol i dinjitetit, i sakrificës dhe i qëndresës.
Ndërsa i vëllai i tij, Gjon Pjetër Gjomarkaj e mbajti të ndezur pishtarin e penës, duke u bërë zëri i së vërtetës e i kulturës shqiptare, Ndue Pjetër Gjomarkaj mbeti pushka e maleve, që e mbrojti me jetën e tij të drejtën, nderin dhe lirinë e shqiptarëve.
Dy dragojt e Mirditës, të dalë nga dera e Gjomarkajve, mbetën njëri krah i pushkës dhe tjetri i penës, të pandashëm në misionin e tyre për Atdheun.
Nga: Leon Molla
Burimi/Facebook


Leave a Reply