Në vitin 2012, një gjyqtare e gjykatës Administrative Lushnje, kishte 2 milion lekë të vjetra pasuri. Nga 2012 deri në 2020, punoi si përmbaruese shtetërore (500 mijë lekë të vjetra në muaj) dhe juriste në Albpetrol (500 mijë të tjera). Paga modeste, si çdo punonjës i shtetit që numëron çdo qindarkë për të mbyllur muajin.
Por vjen viti 2020 dhe ndodh “magjia e drejtësisë së re”, ende pa u ulur mirë në karrigen e gjyqtares, pasuria i shkon nga 2 milion në 700 milion lekë të vjetra. Shtatëqindfishim. Një “performancë” që do ta kishin zili edhe bursat më të egra të Wall Street-it.
Për ta kuptuar absurditetin, një shqiptar me pagë mesatare duhet të punojë mbi 230 vite pa shpenzuar asnjë qindarkë për të mbledhur këtë shumë. Po gjyqtarja jonë e arriti përpara se të mbyllte mandatin e parë. Kjo nuk është thjesht sukses, kjo është fizikë kuantike financiare.
Dhe pastaj, del para publikut z. Arben Rakipi dhe me zë solemn na thotë, “Ky është model që duhet ndjekur.” Po sigurisht, sepse çdo qytetar mezi pret të zbulojë si bëhet kjo mrekulli, dy paga shteti, asnjë biznes privat, asnjë patentë shpikjeje, por një pasuri që shpërthen si fishekzjarre në natën e Vitit të Ri.
Kjo gjyqtare na serviret si “drejtësia e re” dhe “e ardhmja e drejtësisë”. Po z. Rakipi, një pyetje të thjeshtë, si e kaloi vetting-un kjo gjyqtare pranë jush? Se kemi parë gjyqtarë të shkarkuar për 2–3 milion lekë të pajustifikuara, ndërsa këtu kalojnë qetësisht… 698 milion. Nëse ky është standardi, atëherë vetting-u është një sit me vrima aq të mëdha sa kalon edhe një kamion pasurie me targa të fshehura.
Dhe që të mos e gjejë kollaj publiku, emri i saj nuk është gjithmonë në regjistra me identitetin real, por me variante të tjera. Një “kukafshehti” institucional, ku integriteti fshihet pas pseudonimeve dhe qytetari humbet gjithmonë.
Në çdo vend normal, kjo do të ishte çështje hetimore. Tek ne, është nderi për “drejtësinë e re”. Sepse, sipas logjikës së re, nuk ka rëndësi sa e madhe është pasuria, mjafton të kesh bekimin e duhur dhe të ndjekësh rrugën e zotit Rakipi.
Dhe kur qytetari pyet: “Ku është drejtësia?”, përgjigjja e vetme që merr është: “E kemi ulur në karrige, shiheni mirë, se nuk dihet sa do ta shihni nesër.”
A ka ndjekur shembullin tuaj kjo gjyqtare, z. Rakipi, kur nga 2 milion lekë të vjetra në 2012 arriti në 700 milion në 2020, vetëm me pagat e një përmbarueseje dhe një juristeje?
Sepse, nëse ky është modeli i “drejtësisë së re” që ju promovoni, atëherë qytetarit i mbetet vetëm të mbyllë sytë, të shpresojë për një mrekulli financiare dhe të lutet që vetting-u të ketë po aq “zemër” sa në këtë rast.
Burimi/Facebook


Leave a Reply