Të kuptosh postulatet e Franz Kafkës është si të zbresësh në një minierë vetëdijeje ku çdo gur është një fragment i shpirtit të njeriut modern, të drobitur, të ndarë, por jo të zhdukur. Kafka nuk jep përgjigje të qarta, por haper udhë. Nëse ndjekim këto postulata si nyje filozofike dhe estetike, do shohim se ato janë shumë më tepër se sentenca. Janë ligjësi ekzistence, janë shprehje të një bote që nuk mund të shpjegohet, vetëm të ndjehet. Le t’i shqyrtojmë më në thellësi:
“Unë jam një fund i botës që nuk mbaron.”
Kjo frazë është vetëshpallje ekzistenciale. Kafka pozicionon veten si një pikë ku përfundon bota, jo në kuptimin gjeografik apo historik, por në kuptimin shpirtëror dhe metafizik. Ai është fundi — vendi ku të gjitha siguritë rrëzohen, ku kuptimi zhvishet dhe ku njeriu është i vetëm përballë absurditetit të ekzistencës.
Por ai fund nuk mbaron, sepse Kafka është kronikani i përhershëm i krizës, një rrëfimtar që e shtyn fundin përtej vetes për ta bërë të pavdekshëm. Ai nuk e konsumon dhimbjen për ta shuar, por e bën pjesë të peizazhit të jetës. Kjo është arsyeja pse Kafka nuk është thjesht një autor, por një gjendje.
“Letërsia duhet të jetë sëpata për detin e ngrirë brenda nesh.”
Kjo është një nga thëniet më rrënjësore të Kafkës, një postulat mbi funksionin e vërtetë të artit dhe letërsisë. Ai e sheh njeriun si të bllokuar nga një det i brendshëm që është ngrirë, një metaforë për ndjenjat e shtypura, vetëdijen e mpirë, shpirtin e robëruar nga konformizmi.
Letërsia nuk është një lodër për zbavitje, por një akt thyerjeje, një dhunë e domosdoshme ndaj qetësisë së rreme që kemi ngritur brenda vetes. Sëpata nuk shërben për të ndërtuar, por për të copëtuar – për të nxjerrë të vërtetën në dritë. Në këtë kuptim, Kafka është më shumë kirurg sesa shkrimtar – ai e çan trupin e qenies për të ekspozuar plagët që nuk i shëron dot askush tjetër veç vetëdijes.
“Mendoj se ne duhet të lexojmë vetëm ato libra që na kafshojnë dhe na therin.”
Kjo është në vazhdën e postulatit të mëparshëm, por tani Kafka konkretizon përvojën e leximit si një akt të dhimbshëm, të ngjashëm me një plagosje, me një gjymtim shpirtëror që, në të vërtetë, është formë e rilindjes.
Kafka e refuzon leximin si strehë, si ngushëllim, si argëtim. Ai kërkon një literaturë që trazon, që shqetëson, që thyen kufijtë e zonës së rehatisë.
Leximi, sipas tij, është një përballje me vetveten, një duel në pasqyrë. Dhe vetëm kur libri “na kafshon dhe na ther”, ai arrin të trazojë qetësinë tonë fallco dhe të na zgjojë nga amullia.
“Njeriu nuk mund të jetojë pa një besim të përhershëm se diku, diçka nuk do të shkatërrohet.”
Në këtë postulat, Kafka shfaqet më pak mizantrop, më pak cinik sesa shpesh perceptohet. Ai pranon brishtësinë e njeriut dhe nevojën për një fije të pandërprerë besimi, një strukturë shpirtërore ku gjithçka mund të rrënohet, përveç një pikëmbështetjeje të vogël por thelbësore.
Kjo është shpresa kafkaiane: nuk është naive, nuk është fetare, nuk është e sigurt, por është e pashmangshme. Është si një dritë që s’dihet nëse vjen nga shpëtimi apo nga përvëlimi, por që gjithsesi nuk shuhet.
Edhe në errësirën më të dendur të sistemit kafkaian, ekziston një pikë ku diçka nuk do të shkatërrohet, qoftë edhe ideja e paprekshme e të drejtës, e njeriut, e dashurisë.
Këto nuk janë thjesht pohime, por udhërrëfyes të përvojës njerëzore në një botë që nuk të jep dot kuptim të gatshëm. Kafka nuk të mëson si të jetosh më mirë, por si të kuptosh më thellë ankthin tënd, boshllëkun, dhe shpresën që s’vdes kurrë.
Ai është, në një kuptim të thellë, profet i një epoke që e ka humbur Zotin, por s’e ka humbur etjen për të shenjtën. Dhe për të, letërsia është e vetmja liturgji që ka mbetur për ta kërkuar atë.
Nëse e kupton Kafkën, nuk bëhesh më i qetë, por bëhesh më i vërtetë. Dhe kjo është, ndoshta, gjithçka që mund të kërkojë një njeri.
Albert Vataj
Burimi/Facebook


Leave a Reply