Shqiptari i parë (i dokumentuar) që ka zhvilluar një fluturim me avion rezulton të jetë Esad Pasha. Në 1913, Esadi në cilësinë e ministrit të Brendshëm, gjatë vizitës që kishte zhvilluar në Vjenë… kishte provuar për herë të parë fluturimin me aeroplan…
-“Me rastin e vizitës që bëri Esad Pasha në lamën e luftërimit në Wiener Neustad, Esadi ka hipur në aeroplan dhe ka ndëj hava në 500 metra nalt për një cerek sahati” do të shkruante gazeta “Përlindja e Shqipnis” në 1913
Të fluturojë me avion, konsiderohej një gjë e rrallë jo vetëm për një shqiptar por edhe për shtetasit e vendeve të zhvilluara për faktin se deri në ato vite, aviacioni konsiderohej si një nga risitë më të mëdha teknologjike.
Asokohe sfida ishte që për zhvillimin e vendit të zhvillohej një rrjet transporti që lidhte qytetet dhe nga ana tjetër, ndihmonte në zhvillimin e tregtisë.
-Ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhave kishte për kohën një kosto të papërballueshme ndaj edhe një nga zgjidhjet më praktike që do të ndiqte Shqipëria ishte ajo e organizimit të një rrjeti ajror që do t’i shërbente lëvizjes së njerëzve dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit.
Në vitin 1922, Shqipëria arriti të blinte tre aeroplanë, të cilët u mbajtën me shpenzime buxhetore.
Por kjo sipërmarrje rezultoi shumë e kushtueshme dhe si rrjedhojë shërbimi nuk funksionoi sikurse pritej.
-Në këto kushte, në nëntor të vitit 1924 qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje koncesioni 10 vjeçar me kompaninë gjermane “Lufthansa”. Në bazë të kësaj marrëveshje u krijua shoqëria ajrore shqiptare me emrin “Adria Aero Lloyd”.
Marrëveshja parashikonte vendosjen e linjave të transportit ajror të brendshëm mes Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Beratit e Gjirokastrës dhe në një moment të dytë edhe me Korçën, Kukësin e Peshkopinë.
Afrimi i Shqipërisë me Italinë, nënshkrimi i marrëveshjes për huanë e zhvillimit ekonomik të vendit do të sillte brenda pak vitesh edhe kalimin e koncesionit gjerman në duart e italianëve.
Shoqëria “Adria Aero Lloyd” u ble prej zyrës së Aviacionit Civil të Trafikut të Ministrisë së Ajrit të Italisë, Ala Littoria, në vitin 1927. Në këtë mënyrë, nis realisht organizimi i transportit civil të brendshëm e të jashtëm.
Nisja e fluturimeve të brendshme u shoqërua me hapjen e pistave të ndryshme të fluturimit në qytetet kryesore të vendit.
-Kjo solli edhe zgjerimin e fluturimeve drejt qyteteve të tjera si Elbasani, Gjirokastra, Korça apo Peshkopia. Po ashtu, u hapën edhe linja ndërkombëtare me kryeqytetet më të rëndësishme; Romën, Sofjen, Beogradin apo Podgoricën.
Në fillim të viteve ’30 rezulton se në Shqipëri operonin rreth 40 avionë që përdoreshin për qëllime ushtarake por edhe për fluturime civile lokale e ndërkombëtare.
-Në këtë periudhë, Shqipëria rezulton si ndër vendet e rralla në botë që kishte më të zhvilluar transportin e brendshëm ajror sesa format e tjera të transportit.
Nga Kreshnik Kuçaj
Burimi/Facebook/AlbDreams Televizion


Leave a Reply