Nga fundi i vitit të parë në fakultet. U dashurova me shoqen e kursit e pas disa muajsh babai, nëna e vëllai trokitëm tek prindërit e saj për t’i kërkuar dorën. Mbaj mend sajdisjen e sinqeritetin në atë familje. Biseda të ngrohta sikur njiheshin prej shekujsh prindërit tanë. Lumë rakia e harmonia.
Pas këtij gëzimi erdhën pushimet e verës. E ftova me zemer në Korçë. Dhe ato dy javë i kujtoj ende sot me plot ngjyra e shumë magji. Një natë, kur do shkoja nga kuzhina për tek dhoma e miqve, se do merrja një libër, dëgjoj në korridor bisedën mes prindërve.
-Duhet t’ja thuash patjetër, -fliste nëna.
-Pse nuk ia sqaron ti? – ngulte këmbë babai.
-Ti je i çuditshëm. Këto janë biseda burrash. Dhe mos u vono. Thuaji që të mbarojnë një herë mësimet, ka kohë për fëmijë.
-Po ç’na e ndjell? -nxehej babai.
-E po bëmë baba të të ngjaj. 20 vjeç ishe zotrote kur u bëre prind. -qeshte nëna.
-Mirë, mirë, do i porosis, -foli babai me fraza sikur mbylli një mbledhje.
Më erdhi keq që jetonin shqetësime të kota, por të arsyeshme. Se ishim në fakultet me sakrifica prej tyre. Rroga e babait vinte e gjitha në Tiranë për mua e vëllain. Vetë mbaheshin me rrogën e nënës. Dhe në një drekë, pas vështrimeve nxitëse të mamasë, na e dha këshillën:
-Jam i gëzuar nga fejesa juaj, por e kam një merak.
-Çfarë? – u shqetësuam.
-Po ja, si t’jua them. Dua që të jeni, tē jeni, po ja…duhet me mend deri sa të arrini në vend! Uf, sa vapë!
Dhe u ul. Heshtje. Vëllai ngriti supet me një fytyrë që s’kuptoi gjë. Une pashë të fejuarën, qeshëm e në një çast folëm njësoj, si me komandë:
-Pa merak, baba. Pa merak.
Nëna nuk priti më. Rrëmbeu gotën e birrës e uroi:
-Epo, suksese në provime atëhere!
Nga Agim Xhafka .
Burimi/Facebook/KJO ËSHTË KORÇA


Leave a Reply