Nga Beqir Sina – New York City
Papa Leoni XIV bëri një vizitë të papritur dhe simbolike në Shenjtëroren e Nënës së Këshillit të Mirë në Gjenacan, pranë Romës, një vend i shenjtë me një lidhje të thellë me shqiptarët. Kjo shenjtërore strehon figurën e Zojës së Shkodrës, një ikonë e nderuar që, sipas traditës, u largua nga Shkodra në prag të pushtimit osman në vitin 1467 për t’u shpëtuar hordhive turke.
Papa Leoni XIV, i cili i përket urdhrit augustinan, mbërriti në shenjtërore rreth orës 16:00 dhe u lut para figurës së Virgjërës Mari, e njohur si Zoja e Këshillit të Mirë ose Zoja e Shkodrës. Ai përshëndeti besimtarët në sheshin përpara kishës dhe theksoi rëndësinë e këtij vendi për misionin e tij si Pasardhës i Shën Pjetrit. “Kam dashur shumë të vija këtu, në këto ditë të para të shërbesës sime të re, për të çuar përpara misionin tim,” tha Papa, duke kujtuar vizitën e tij të mëparshme si epror i urdhrit augustinan dhe duke e quajtur Zojën “shoqe udhe, dritë dhe urtësi”.
Shenjtërorja e Gjenacanit ka një histori të pasur për shqiptarët. Sipas gojëdhënës, ikona e Zojës u shpërngul mrekullisht nga kisha rrëzë Kështjellës së Rozafës në Shkodër, e shoqëruar nga dy shkodranë, De Giorgio dhe De Sklavis, të cilët thuhet se kaluan detin Adriatik për ta mbrojtur atë. Që nga ajo kohë, kjo figurë është bërë një simbol i devotshëm për shqiptarët katolikë, të cilët çdo vit, më 25 prill, shtegtojnë në Gjenacan për të nderuar Zojën e Shkodrës. Në 25 maj, një meshë solemne është mbajt nën udhëheqjen e Imzot Gjergj Meta, kreut të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Vizita e Papës Leoni XIV éshtë pasuar nga një lutje private në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, ku ai nderoi paraardhësin e tij, Papën Françesku, dhe u takua me bashkësinë augustinane të shenjtërores. Kjo lëvizje u konsiderua si një shenjë e rëndësishme për komunitetin shqiptar, duke forcuar lidhjet shpirtërore dhe historike mes Shqipërisë dhe Kishës Katolike.

Burimi/Facebook


Leave a Reply