SHBA mbeten të shqetësuara lidhur me kërcënimet për dhunë dhe retorikën e papërgjegjshme nga elementë të vijës së ashpër, thuhet në koment.
Zëri i Amerikës transmetoi një koment ku pasqyrohen pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Në koment thuhet:
Zbatimi i Marrëveshjes historike të 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve po përparon. Kjo marrëveshje, tha Ambasadorja amerikane pranë Kombeve të Bashkuara Susan Rice “forcon të ardhmet e Kosovës dhe Serbisë si demokraci shumetnike bazuar në shtetin ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe si vende fqinje në rrugën drejt integrimit evropian”.
Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë duhet të bashkëpunojnë me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcën e udhëhequr nga NATO-ja për Kosovën në mënyrë që të ecë përpara zbatimi dhe të garantohet siguria gjatë fazës së tranzicionit. Organet legjislative të të dy vendeve duhet të marrin hapat e nevojshme për të mbështetur këtë marrëveshje.
Marrëveshja ofron një zgjidhje të qëndrueshme për veriun e Kosovës brenda kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës dhe riafirmon vetë-qeverisjen lokale për popullatën serbe si dhe komunitete të tjera që jetojnë në veri. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të rregullta lokale këtë vjeshtë do të jetë një tjetër hap jetik në këtë drejtim.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara mbeten të shqetësuara lidhur me kërcënimet për dhunë dhe retorikën e papërgjegjshme nga elementë të vijës së ashpër, të cilët kanë interesa personale të ruajnë status kuonë. Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë të vazhdojnë përpjekjet për t’u shpjeguar qytetarëve të tyre çfarë nënkupton marrëveshja dhe cilat janë përfitimet që sjell.
Duke zgjidhur dallimet politike përmes dialogut dhe kompromisit dhe duke zbatuar plotësisht dhe pa vonesë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia mund të ofrojnë një shembull për rajonin. Duke lënë mënjanë dallimet mes tyre, dy vendet kanë mundësi të përqëndrohen në zbatimin e reformave, nxitjen e rritjes ekonomike dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre.
Shtetet e Bashkuara mirëpresin përparimin e vazhdueshëm nga të dy vendet, ndërkohë që Kosova dhe Serbia dëshmojnë se bashkëpunimi mbetet rruga më e mirë drejta paqes dhe begatisë.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply