Në mes të kësaj vere që digjet më keq se marrëdhëniet pa komunikim, ku asfaltet kullojnë si qepët e skuqura dhe ajri ndjehet sikur po merr hak ndaj gjithçkaje të gjallë — mua, pikërisht mua, më ka hyrë një mendim në kokë më i rrezikshëm se tymrat e zjarreve që kanë mbuluar gjysmën e vendit:Po sikur të martohem?
Po, e di.
Nuk është një mendim që duhet të lindë mes 42 gradëve, në një dhomë pa kondicioner, teksa ventilatori veç fryn nxehtësinë si ta tallte jetën time beqare.
Por ndoshta është efekti i temperaturave ekstreme që po më bën të humbas arsyen.
Sepse vetëm në një klimë kaq katastrofike më shkon ndër mend ideja e martesës si “shpëtim”.
E keni parasysh si thonë:
“Po u dogj veriu, martohu — s’ke ç’të humbësh më.”
Jam rrethuar nga flakë — zjarre reale në kodra, nxehtësi emocionale në rrjetet sociale, dhe tani…
Kjo djegie e brendshme që më thotë:
Duhet ta bësh. Është koha.
Gjej dikë që do të ngjitet pas teje edhe kur vapa është 45 gradë dhe djersa i rrjedh si rrëke.
Sepse në këtë botë që digjet, ndoshta ka kuptim të digjem me dikë.
Të ndaj një banesë, një faturë të kripur dritash dhe një shtrat që ngjit si ngjitësi i pllakave, por që s’ka më rëndësi — nëse ajo është aty, duke thënë:
“Shuaj dritat.
Në këtë vapë s’ka më as dashuri, vetëm mbijetesë.”
Ndoshta martesa është mënyra më romantike për të bërë kompromis në çdo nivel:
Emocional, fizik, klimatik.
Dhe nëse do digjem, të paktën le të digjem me dikë që do qeshë bashkë me mua në djegie.
Dikë që, edhe kur zjarret janë afër, do thotë:
“S’ka gjë, dashuri.
Ne s’kemi nevojë për dru zjarri.
Ne jemi vetë zjarri.”
Po, më ka shkuar mendja të martohem.
Dhe jo sepse më ka kapur ndonjë krizë ekzistenciale apo sepse më ka rënë ndonjë gjethe e verdhë përpara në mes të korrikut — por sepse, në këtë vapë të përvëluar, martesa më duket si një vend ku djegia është e përbashkët.
Dhe në këtë botë që digjet, nuk ka gjë më të bukur se sa të gjesh dikë me të cilën mund të digjesh me stil.
Burimi/Facebook


Leave a Reply