Asnjë qytet nuk mund të quhet i lirë kur ndahet me barrikada.
As Mitrovica.Në zemrën e saj qëndron një urë e cila në vend që të lidhë, ndalon, ndan, nënshtron.
Prej më shumë se dy dekadash, Ura mbi Ibër është mbajtur peng nga struktura të dirigjuara nga Beogradi. Nuk ishte asnjëherë çështje teknike. Ishte politikë e pastër okupimi psikologjik dhe simbolik. Serbia e ka shndërruar atë urë në një mur të ftohtë ,një kufi që nuk guxon të quhet i tillë, por që funksionon si i tillë.
Në asnjë vend demokratik nuk ndodh që një pjesë e territorit të mbetet e ndarë, e izoluar, e frikësuar dhe e bllokuar për qytetarët e saj. Ky realitet qëndron për çdo ditë në Mitrovicë. Dhe heshtja e gjatë institucionale vetëm sa e ka thelluar këtë realitet.
Ura mbi Ibër mbeti një kufi, derisa Kosova vendosi që të mos e lejojë të jetë më!
Tani kur kemi veprime kundrejt këtij realiteti, nuk mund të heshtim as ndaj atyre që po përpiqen ta ndryshojnë gjendjen.
Firmat,punëtorët, inxhinierët, institucionet lokale e qëndrore që po angazhohen për ndërtimin dhe hapjen e urave në Mitrovicë ,janë thjeshtë në anën e drejtë të historisë kombëtare.
Ata janë arkitektë të një bashkimi që nuk mund të vonohet më.
Çdo ditë që vonohet hapja e qytetit është një ditë më shumë okupim simbolik.
Çdo gur që vendoset në ndërtimin e urave mbi Iber është një hap drejt çlirimit psikologjik dhe faktik të Mitrovicës.
-Në vend që të hetojë ata që e mbajtën veriun të okupuar, në vend që të ndiqen strukturat kriminale që e patën shndërruar urën në barrikadë ,Prokuroria e Kosovës lajmëroi se po heton ndërtimin e urave që bashkojnë qytetin!
Pse?
Si ka mundësi të abuzohet rendi juridik në kundërshtim të interesit kombëtar e në favor të rendit serb të ndarjes?
Një sistem që e sheh ndërtimin e urave që lidhin dhe bashkojnë territorin tonë si krim dhe bllokimin si “normalitet” ,është një sistem i kthyer kundër vetvetes, kundër shtetit, kundër dinjitetit.
Vetëvrasja institucionale, le që nuk është drejtësi, por me të drejtë konstatojmë së është padrejtësia më e rëndë, në rang me tradhëtinë kombëtare!
Do të vijë dita,kur akterët,emrat konkret, zyrtarët,do t‘i përgjigjen popullit shqiptar!
Ajo që dhemb edhe më fort është se Serbia, fatkeqësisht , i ka narrativat e saj të injektuara në mediat tona, në publiken tonë, në njerëzit tanë ,në gjuhën tonë .
Çdo tentativë për të sabotuar bashkimin e Mitrovicës, çlirimin e saj dhe rikthimin e popullates shqiptare në tokat e veta, për të kriminalizuar përpjekjet për rindërtim dhe për të zvarritur hapjen e urave ;është pjesë e luftës hibride të organizuar nga Beogradi.
Fatkeqësisht,demokracia dhe rrethanat aktuale diktojnë luftimin e narrativave dhe narratorëve antikombëtar vetëm me „ metoda demokratike „
Në një shtet normal, censura dhe etika gazetareske do të ishin filtrat e parë !
-Kosova nuk mund të jetë shtet serioz me qytete të ndara. Nuk mund të pretendojë integrim me pjesë të izoluar të territorit.
Mitrovica duhet të hapet. Urat duhet të ndërtohen. Qyteti duhet të bashkohet.
Të jemi në anën e heronjve të përditshmërisë kombëtare. Të jemi në anën e urave, jo të barrikadave.
Të jemi Kosova që reziston, që bashkohet, që zhvillohet!

Burimi/Facebook


Leave a Reply