Bashkisë Malsia e madhe:
Kryetarit, Tonin Marinaj:
Deklaratë zyrtare nga kandidati vetafrohues për nënkryetar të Bashkisë Malësi e Madhe:
Unë, Leonard Koja, me vetëdije të plotë (dhe me një sy te karrigia e liruar):
Shpall publikisht vetafrohimin tim solemn për postin e nënkryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe.
Mos u shqetësoni, nuk kam ardhur me ndonjë dekret nga Kryeministria, por me një biografi që edhe vetë LinkedIn-i do e kishte zili:
Kam mbaruar Juridikun në Shkodër – aty ku drejtësia ndonjëherë futet në ujëra të turbullta, por gjithmonë noton deri në breg.
Kam përfunduar Psikologjinë në Tiranë – gjë që më jep aftësinë të kuptoj pse administratorët dhe nënkryetarët japin dorëheqje menjëherë pas drekës dhe jo, fjala vjen, pas kafesë.
Aktualisht jetoj në Gjermani, ku bashkitë nuk japin dorëheqje pas dreke, por pas auditimeve.
Por unë, si malësor me dy diploma, tri portale, një mikrofon radioje, dhe shpirt rebel me ndikim dixhital, ndjej një thirrje të brendshme – jo si zëri i Zotit, por si zëri i boshllëkut në administratë.
Unë jam drejtues i portalit Window.al, sepse nëse një derë mbyllet, një dritare hapet (sidomos për lajmet e fundit).
Jam menaxher i ALB Media, ku analizoj më shumë se analistët e Top Channel-it dhe bëj pyetje më të thella se intervistat e Opinionit.
Dhe për të mos e harruar, gazetar në Radio Projekt 21, ku zëri im rrebel analitik i çdo fundjave ngre më shumë moral se 5 dreka qeveritare me verë të bardhë dhe jufka.
Thirrja ime për Tonin Marinaj, kryetarin e bashkisë:
Tonin, i dashur mik dhe lider që i mbijetove më shumë se një qeverisjeje lokale –
nëse tavolina është bosh, po të them si koleg:
Mos prit më! Më fto të ulem.
Pas “mbledhjes maratonë” dhe drekës lamtumirë, që më shumë dukej si “Darka e Fundit” e administratës, urdhri i Kryeministrit Rama u zbatua me përpikmëri ushtarake: 5 administratorë dhe 2 nënkryetarë u larguan, ndoshta për të ndjekur ndonjë kurs yoga-je, ndoshta për të medituar mbi fjalinë “qeverisja nuk është supë”.
Unë nuk iki pas drekës. As pas kafeje. Unë jam nga ata që qëndroj edhe kur kamarieri thotë “mbyllet lokali”.
Pra, me gjithë përulësinë time publike dhe krenarinë time malësore, them:
Nëse po kërkoni një nënkryetar që flet, shkruan, menaxhon, analizon, psikologjizon dhe juridikizon – unë jam këtu.
Me respekt dhe ironi konstruktive:
Leonard Koja
Kandidat vetafrohues për Nënkryetar të Bashkisë M.Madhe
14.07.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply