(Ne foto Rexhep Rrugeja ) Shpirti i tij u bë simbol i një shprese të re për Shqipërinë , një shpresë që, fatkeqësisht, ende mbetet peng.
Babai im , heroi i gjallë i një demokracie të pambërritur !
35 vite pas, dhe ende Shqipëria mbahet peng nga hija e zezë e një diktature që ndërron vetëm maskat, jo frymën. Bëmat e Enverit u zëvendësuan nga bijtë e tij , të njëjtët trashëgimtarë ideologjikë, të njëjtët zaptues të dritës, që mbajnë popullin në terr e mashtrim, ndërsa e shesin “lirinë” me kontratë.
Por në këtë rrugë të errët, ka pasur burra që nuk janë përkulur kurrë.
Babai im është njëri prej tyre.
Jo me pushkë për të vrarë, por me zemër për të çliruar. Jo me propagandë, por me fjalën e lirë që e kanë dashur gjithnjë ta mbytin. Ai nuk pranoi kurrë të ulte kokën përballë atyre që i mbushën burgjet me zëra dhe rrugët me gjak. Ai qëndroi si lis, edhe kur rrënjët ia rrethuan me zinxhir.
Përballë një regjimi që ndërron emra por jo thelb, babai im nuk heshti. As atëherë, as sot. Ai besoi te e vërteta, e mbrojti atë me çmim të lartë, dhe s’e përdhosi as kur e lanë vetëm, as kur e kërcënuan, as kur i dhanë mundësinë të bëhej “i tyre”.
Nga ai, unë mësova çfarë është nderi. Nga ai, unë mora frymën që nuk mund të blihet, nuk mund të trembet, nuk mund të tjetërsohet. Ai më mësoi që fjala “atdhe” nuk është flamur i varur në një zyrë, por një plagë që nuk e le në qetësi nëse është e përdhosur.
Sot, kur e shoh ende duke luftuar me të njëjtin pasion për Shqipërinë e tij , për Shqipërinë tonë , unë ndiej detyrimin të mos hesht.
Ai është dëshmia që jo të gjithë u gjunjëzuan.
Ai është dëshmia që nuk mund të na i vrasin idealet.
Ai është një hero i gjallë. Dhe unë, bijë e tij.
Gresilda Rrugeja
Burimi/Facebook


Leave a Reply