Zjarri i vatrës ende nuk ishte fikur… E trazova lehtë… Hiri u shkund prej drurëve që mbanin nxehtësinë brenda vetes. Ndjeva zhurmën e lehtë të derës që u hap ngadalë. Nuk e ktheva kokën të shihja, sepse e njihja zhurmën e hapave që afroheshin drejt meje. Dora e ngrohtë mbi sup më drithëroi….E doja atë prekje, atë rëndesë të ëmbël që më shkundi për një çast nga mendimet. Ngrohtësia e dorës rrëshkiti ngadalë drejt qafës, e u mbështet mbi faqen time… Butësia e saj ledhatonte ndjesinë që më përcillte ajo prekje, sa fryma më ndali për një çast.. Doja të thithja me tërë qenien time, dashurinë që gjendej brenda dhomës ku qëndronim aq pranë, pa patur nevojë të shiheshim në sy… E preka lehtë dorën e saj dhe e vendosa mbi buzë. Ndjeva aromën që e njihja me sy mbyllur. Atë aromë do ta ndjeja dhe dalloja mes mijëra duarsh, mes mijëra qeniesh rrotull meje. Trupi i saj u mbështet lehtë tek unë, e ashtu, përqafuar brenda ndjenjës, vështronim zjarrin që nuk shuhej, si vetë dashuria që na kish bashkuar për të mos na ndarë kurrë më…..
…Asgjë nuk kishte rëndësi tjetër në atë çast. Koha ishte ndalur, bota ishte tretur përtej mureve të asaj dhome, dhe çdo frymëmarrje jonë ishte një dëshmi e qetë dhe e thellë se dashuria nuk ka nevojë të flasë me fjalë. Ajo rri pezull, flet me trupin, me heshtjen, me atë që sytë nuk guxojnë të thonë, por zemra e di.
Ajo u ul pranë meje, pa thënë asgjë. Ishte ajo heshtje e njohur, që nuk ngërthen ftohtësi, por siguri. Qëndruam ashtu, krah më krah, duke ndarë një ngrohtësi që nuk vinte vetëm nga zjarri përpara nesh, por nga diçka më e thellë—nga vatrat e brendshme të shpirtit që digjeshin në të njëjtin ritëm. E ndjeva frymën e saj në qafë, si një pëshpëritje dashurie që vetëm lëkura mund ta dëgjojë. U përkula pak dhe preka ballin e saj me ballin tim, e ajo mbylli sytë, si për të ruajtur atë çast në kujtesë, përjetësisht.
“Mos thuaj asgjë,” i thashë me zë të ulët, që mezi doli mes buzëve. Ajo buzëqeshi. E ndjeva. Nuk më duhej ta shihja për ta ditur. Buzëqeshi me gjithë trupin, me gjithë qenien, me gjithë dashurinë që vinte pa kërkuar leje. Ishte si një lutje e pranuar, një dorë që nuk të tërheq prej rënies, por të mban pezull, duke të dhënë ndjesinë se je i lehtë, i dashur, i gjallë.
Dora ime rrëshkiti ngadalë mbi shpinën e saj, duke ndalur mbi çdo kurbë që më kishte munguar, sikur e shtegtoja për herë të parë. Ajo rënkoi lehtë, si një lule që hapet ngadalë ndaj dritës. U kthye dhe më pa. Herën e parë që sytë tanë u takuan atë natë. Dhe ajo që pamë nuk ishte thjesht njëri-tjetrin. Pamë gjithçka që kishim qenë, gjithçka që kishim kaluar, dhe gjithçka që ishim ende, në atë përqafim.
Sytë e saj më thanë gjithçka që më kishte munguar: “Jam këtu. Për ty. Për ne.”
E putha. Me ngadalë. Me kujdes, si të mos prisja asgjë tjetër prej saj, përveç asaj që më dhuroi pa frikë: veten. Dhe në atë puthje, ndjeva se asgjë nuk ishte humbur. Dashuria që kishim lënë pas nuk ishte tretur në kohë. Kishte qëndruar, në pritje, si zjarri që nuk shuhet, por pret vetëm një frymë për të shpërthyer sërish…
Ashtu, të mbështjellë në aromë, kujtim dhe ngrohtësi, zjarri përpara nesh vijonte të digjej. Si një dëshmi e heshtur që dashuria e vërtetë nuk shuhet kurrë. Ajo thjesht pret… të rikthehesh.
Burimi/Facebook


Leave a Reply