Harrojeni për një moment legjendën e burracakëve me helmetë me brirë dhe anijeve që çapëlojnë detet e veriut. Një tjetër realitet, po aq dramatik, por më pak i përfolur, zë vend në sfondin e shoqërive vikinge, shtatzënia, jo si ngjarje biologjike apo fat i heshtur i trupit femëror, por si ngjarje politike, sociale, madje edhe simbolike. Kjo është ajo që na zbulon një studim thelbësor i botuar së fundmi në Cambridge Archaeological Journal, i titulluar “Womb Politics: The Pregnant Body and Archaeologies of Absent”, nën drejtimin e Dr. Marianne Hem Eriksen (Universiteti i Leicester-it) dhe Dr. Katherine Marie Olley (Universiteti i Nottingham-it).Kërkimi, i shtrirë në shumë disiplina, nga literatura e vjetër nordike dhe ligjet mesjetare, te varrezat arkeologjike dhe artefaktet e rralla vizuale, sfidon ndarjen e thjeshtuar midis sferës private dhe publike. Shtatzënia, sipas autoreve, nuk ishte një përvojë intime e mbyllur në trupin e gruas, por një ngjarje me ngarkesë të fortë shoqërore, politike dhe simbolike, që prekte statusin, farefisninë dhe të drejtën mbi trupin.
Një nga zbulimet më goditëse të këtij studimi vjen nga një episod sagash nordike ku një grua shtatzënë, Freydís, ndodhet nën sulm. E paaftë për të ikur, ajo zbërthen gjoksin dhe godet veten me shpatë, një akt i fuqishëm dhe i tmerrshëm që tremb sulmuesit. Kjo skenë nuk është vetëm për të tronditur, është një narrativë që përmbys perceptimin klasik të shtatzënisë si gjendje e pafuqishme dhe e brishtë. Po ashtu, një figurë prej argjendi e gjetur në Aska të Suedisë paraqet një grua shtatzënë me duart mbi bark, e veshur me helmetë dhe mburojë për hundën, si të ishte pjesë e botës luftarake. Edhe pse studiueset shmangin leximin e nxituar të “grave luftëtare shtatzëna”, ato e pranojnë se koncepti i gruas shtatzënë si forcë aktive nuk ishte i huaj për imagjinatën kulturore vikinge.
Por ky vizion fuqizues është vetëm njëra anë e medaljes. Realiteti i trupit shtatzënë në epokën e Vikingëve ishte shpesh i ashpër, i heshtur dhe i fshirë nga kujtesa materiale. Në mijëra varre të zbuluara, rastet ku gruaja dhe foshnja janë varrosur së bashku janë të rralla. Ndërkohë, foshnjat janë sistematikisht të nën-përfaqësuara, duke ngritur pyetje të dhimbshme për ritualet e vdekjes dhe se cilët trupa meritonin të kujtoheshin.
Më tej, tekstet ligjore hedhin dritë mbi një realitet edhe më të errët, shtatzënia e një skllaveje mund të cilësohej “defekt” në rast shitjeje, ndërsa fëmijët e lindur nga individë të skllavëruar nuk konsideroheshin si persona, por si pronë. Kësisoj, shtatzënia bëhet një mjet i rendit social dhe ekonomisë së trupave, një akt politik i mishëruar.
Ky studim u jep zë trupave që mungojnë në varre, emrave që mungojnë në kronika dhe nënave që mungojnë në histori. Ai na fton të mendojmë ndryshe për atë që e kemi konsideruar “biologjike” apo “natyrale”. Në të vërtetë, shtatzënia është një dritare drejt mënyrës se si shoqëritë i konceptojnë trupat, pushtetin dhe jetën njerëzore.
Në një kohë kur edhe sot shtatzënia është në qendër të debateve mbi trupin dhe lirinë, ky kërkim mbi një botë të lashtë na kujton një të vërtetë të përhershme: trupi i njeriut nuk është kurrë vetëm biologjik, ai është gjithmonë një tekst politik.
Përgatiti: Albert Vataj
Burimi/Facebook


Leave a Reply