Iku edhe një mik artist, me botë të pasur shpirtërore, me etikë e përgatitje të lartë profesionale: si regjisor, operator, aktor, studjues, autor e skenarist, përkthyes e ambasador i vendit të tij. Njerëzor,- “gjer në thua”,-sikundër e thotë populli për të mençurit. Një intelektual i begatë, me shije të hollë e mik tryeze me këdo…
La pas një familje artistësh: bashkëshorten-pianiste Margaritë dhe të dy djemt po ashtu. Me një trashëgimi me mbi 20 filma artistikë, miqë, shokë e spektatorë që e pëlqenin për kulturën e veçantë, si edhe për rezatimin e një arti kontemporan, që ia vlen të studjohet nga brezat e ardhëm…Mbresëlënës për cilindo, po edhe me bashkëfshatarët e mi, artista në Pragë: me Piktorin Mihallaq Gjiçali e me dy vëllezërit Alfoncio e Eusebjo,-po nga kjo “derë”,-këngëtar, instrumentista e artista filmash, të një brezi me të dy fëmijët e Piro Milkanit, si edhe më të, gjatë kohës që ai kryente edhe detyrën e Ambasadorit në “PRAGËN E ARTË”. Po edhe kur iku prej këtij shteti të kulturuar e me tradita të lashta, realizoi filmin artistik “Trishtimi i Zonjës Shnajder” që trajtonte me ngrohtësi kujtimet plot mbresa prej këtij vendi Evropian. Si edhe përktheu librin e mrekullueshëm të shkrimtarit të madh Çek Bohumil Hrabel, ku shquhet dora e një mjeshtri gjuhe të pasur e elegante , që t’a mba frymën pezull, teksa përballon gjer në tre faqe prozë, pa pika e presje, duke mbajtur të pa cënuar “tërkuzën e një fraze pa mbarim”, -si mjeshtëri stili e shkrimtarit në fjalë,-i përkthyer në disa vende të botës dhe fitues i disa çmimeve të larta…
Kam mbresa të paharruara, gjatë një jave me të e me kolegun Josif Papagjoni, në një festival të Zamira Kitës në Korçën e tij , me shëtitje të pafundme gjer në mesnatë, nën blirët e bulevardit e në tryezën tonë te ish shtëpia e Themistokli Gërmenjit, teksa afronim e njësonim shpirtin tonë, ëndërimet e planet tona krijuese, duke u mrekulluar prej këtij njeriu erudit e mjeshtri të kinematografisë, po edhe lexuesi të rrallë librash po kaq të rralla…Për tu stacionuar tek filmi…Kur edhe jeta e tij qe si një film…
Po a mund të harrohen prej talentit të Piro Milkanit filmat “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Ballë për Ballë”, “Militanti” dhe sidomos ekranizimi i veprës së Kadaresë, ku Milkani është koleg me regjisorin italian Luçiano Tovoli? Kurrë! Sa të jetë jeta! Ku çdo sentencë filmike, nuk ka asnjë “çast prehjeje”, si emocion i pa ndërprerë e me finesë , kur kamera përcjell syrin e aktorit, gjer në detajet më të imta. Një regjisor me sqimë i nivelit Evropian, i cili, bashkë me Anagnistin e Gjikën , përbënin një “TRISHE TË PA ZAKONTË”!
Piqeras, 23 maj 2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply