E ku më mirë se dhe më e sigurtë mund të qëndrojë drejtsia hyjnore, veçse brenda faqeve të Biblës. Si fjala e shenjtë ashtu edhe arma kanë gjetur përbashkësinë e njëmendtë në lutje dhe pendesë.
Imagjinoni të mbani në duar një libër të shenjtë, kopertina e tij prej lëkure të errët e të konsumuar nga koha, duke fshehur jo vetëm vargje hyjnore, por edhe një fuqi vdekjeprurëse. Në shikim të parë, ai të jep ndjesinë e një devocioni dhe përkushtimi të heshtur. Por kjo nuk është një Bibël e zakonshme, e cila të udhëprinë në rrugën e besimit.
Ky libër me tagër hyjnor i përket Francesco Morosini-t, Dozhës së Venedikut, admiralit të flaktë dhe strategut të pamëshirshëm që jetoi mes viteve 1619 dhe 1694.
Në një epokë kur shpata ishte gjithmonë pas shpine dhe lutja s’ishte asnjëherë e mjaftueshme, Morosini kishte në zotërim këtë libër që fsheh një armë zjarri të vogël, të integruar mjeshtërisht në strukturën e faqes. Një tërheqje e shënuesit prej mëndafshi mjaftonte për të aktivizuar mekanizmin dhe për të qëlluar, pa pasur nevojë ta hapje librin.
E ekspozuar sot në Museo Correr të Venedikut, kjo pajisje është më shumë se një relike kurioze. Ajo mishëron tensionin e padukshëm të një epoke ku feja dhe dhuna jetonin në të njëjtën faqe të realiteti jetësor dhe religjoz. Për Morosini-n, libri ishte një mburojë shpirtërore dhe një armë fizike, një simbol i epokës së barutit dhe misterit.
Në këtë artefakt bashkëjetojnë devocioni dhe dinakëria, mbrojtja dhe sulmi, sakralja dhe sekreti. Ai na kujton se në shekullin XVII, edhe lutja kishte një armë në zemër. Dhe jo gjithmonë njerëzit ishin aq tolerant dhe të udhëhequr nga besimi. Bota ishte e ndarë për ata që përkushtimi dhe paqja do të shpërbleheshon e Parajsë, siç kishte prej tyre që u pëlqente më shumë shoqëria në Ferr.
Albert Vataj
Burimi/Facebook


Leave a Reply