Histori e vërtetë!
Kur një mësuese filloi vitin shkollor me klasën e pestë fillore, ajo u tha nxënësve se i donte të gjithë njësoj, siç bëjnë të gjithë mësuesit. Por, në të vërtetë, ajo nuk ishte e sinqertë me veten – kishte një djalë që nuk e pëlqente, një djalë me emrin Tedi Stodard.
Ajo e kishte ndjekur ecurinë e tij në vitet e mëparshme dhe kishte vënë re se Tedi nuk luante kurrë me fëmijët e tjerë, vinte gjithmonë i parregullt dhe me rroba të pista. Sjellja e tij e bezdiste dhe ajo shpesh përdorte lapsin e kuq për të shënuar gabimet në detyrat e tij, duke shkruar me shkronja të mëdha “DËSHTIM.”
Në shkollën ku ajo punonte, mësuesit kishin detyrë të lexonin dosjet e nxënësve në fillim të vitit. Kur ajo hapi dosjen e Tedit, mbeti e tronditur nga ajo që gjeti.
Mësuesja e klasës së parë kishte shkruar:
“Tedi është një djalë i zgjuar, plot energji dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar. Është i rregullt dhe ka sjellje të mira. Një kënaqësi ta kesh në klasë.”
Mësuesja e klasës së dytë shkruante:
“Tedi është një nxënës i shkëlqyer, i dashur nga shokët e klasës, por është i shqetësuar dhe i trishtuar sepse nëna e tij është shumë e sëmurë. Jeta në shtëpi po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të.”
Mësuesja e klasës së tretë kishte shënuar:
“Nëna e Tedit ka ndërruar jetë. Ai po përpiqet, por është shumë e vështirë për të. Babai i tij nuk i kushton mjaftueshëm vëmendje. Nëse nuk ndihmohet, ai do të tërhiqet dhe do të mbetet pas në mësime.”
Mësuesja e klasës së katërt shkruante:
“Tedi është i tërhequr dhe nuk tregon interes për shkollën. Nuk ka miq dhe shpeshherë fle në klasë.”
Pasi lexoi këto vlerësime, mësuesja ndjeu turp dhe keqardhje për mënyrën se si e kishte trajtuar atë.
Kur erdhi koha e dhuratave për fundvitin, nxënësit i sollën mësueses dhurata të mbështjella bukur, përveç Tedit. Dhurata e tij ishte e mbështjellë me një letër të vjetër kafeje. Brenda, ajo gjeti një byzylyk të vjetër me disa gurë të munguar dhe një shishe parfumi gjysmë të përdorur. Disa nxënës filluan të qeshin, por mësuesja e vuri menjëherë byzylykun dhe u spërkat me parfum.
Tedi iu afrua dhe i tha me zë të ulët:
“Sot ju profumoni si nëna ime.”
Ajo qau gjatë atë natë.
Nga ajo ditë, mësuesja nuk ishte më thjesht një mësuese e leximit, shkrimit dhe matematikës – ajo u bë një mësuese që ndryshonte jetë. Ajo filloi t’i kushtonte më shumë vëmendje Tedit. Sa më shumë që e inkurajonte, aq më shumë ai përparonte. Në fund të vitit shkollor, ai ishte bërë një nga nxënësit më të mirë të klasës.
Vitet kaluan dhe ajo mori një letër nga Tedi:
“E dashur mësuese, ju jeni mësuesja më e mirë që kam pasur ndonjëherë.”
Gjashtë vjet më vonë, ajo mori një tjetër letër:
“E mbarova shkollën e mesme si i treti në klasë. Ju jeni ende mësuesja më e mirë e jetës sime.”
Katër vjet më vonë, një letër tjetër mbërriti:
“Isha në vështirësi, por nuk u dorëzova. Së shpejti do të diplomohem në universitet me rezultate të shkëlqyera. Ju jeni ende mësuesja ime më e mirë.”
Katër vjet më vonë, një tjetër letër:
“Vendosa të vazhdoj studimet dhe po bëhem mjek. Faleminderit që besuat tek unë.”
Së fundi, ajo mori një letër tjetër:
“Kam takuar një vajzë të mrekullueshme dhe po martohem. Babai im ka vdekur dy vjet më parë dhe do të doja shumë që ju të ishit në vendin e nënës sime në dasmë.”
Mësuesja pranoi ftesën me lot në sy. Në dasmë, ajo mbante të njëjtin byzylyk që Tedi i kishte dhuruar shumë vite më parë dhe kishte vënë të njëjtin parfum.
Kur e pa atë, Dr. Tedi Stodard e përqafoi fort dhe i pëshpëriti:
“Faleminderit që besuat tek unë dhe më ndihmuat të bëhem njeriu që jam sot.”
Ajo iu përgjigj me lot në sy:
“Jo biri im, ti më mësove mua si të bëhem një mësuese e vërtetë.”

Burimi/Facebook/Al-Press


Leave a Reply