Umberto Eko
Në vitin 1860, teksa po gatitej të kalonte Mesdheun për të ndjekur ekspeditën garibaldine në Siçili, Aleksandër Dyma ati qëndroi në Marsejë dhe vizitoi kështjellën e Ifit, ku heroi i tij Edmond Dantès, para se të bëhej konti i Montekristos ishte burgosur për katërmbëdhjetë vite, duke marrë në qeli udhëzimet nga shoku i tij i burgut, abati Faria. Gjatë qëndrimit aty, Dyma zbuloi se vizitorëve u tregohej rregullisht e ashtuquajtura qelia e “vërtetë” e Montekristos dhe guidat flisnin gjithmonë për Dantèsin, për Farian dhe personazhe të tjerë të romanit sikur të kishin ekzistuar realisht. Nga ana tjetër, të njëjtit guida nuk e sillnin kurrë ndërmend që kështjella e Ifit kishte pritur mes të burgosurve të saj, disa personazhe të rëndësishëm historikë si Honoré Mirabeau.
Dyma komenton kështu në kujtimet e tij: “Është privilegji i romancierëve të krijojnë personazhe që vrasin ata historikët; e që në përgjithësi historikët kufizohen të kujtohen si fantazma, ndërsa romancierët krijojnë personazhe prej mishi dhe kockash.”
Një herë një mik më shtyu të organizoja një konferencë për këtë temë: kur e dimë se Ana Karenina është një personazh i trilluar që nuk ekziston në botën reale, pse qajmë për fatin e saj, apo, sidoqoftë, pse jemi të tronditur thellë për fatkeqësitë e saj?
Mundet që shumë lexues me njëfarë kulture të mos derdhin lot për fatin e Rosella O’Hara, por megjithatë janë të pikëlluar nga fati i Ana Kareninës. Veç kësaj, më ka ndodhur të shoh intelektualë të rafinuar të qajnë dukshëm në fund të “Sirano de Berzherak”- gjë që s’duhet të çuditë askënd, për shkak se, kur një strategji dramatike synon të bëjë të qajë publikun e bën të qajë pa marrë parasysh nivelin e tij kulturor. Nuk është fjala për një problem estetik: veprat e mëdha të artit mund të mos evokojnë një përgjigje emotive, gjë që, përkundrazi, shumë filma të dobët dhe romane të kotë arrijnë ta bëjnë. Dhe s’ka nevojë të kujtojmë që Zonja Bovari, për të cilën shumë lexues janë pikëlluar, e kishte zakon të qante për historitë e dashurisë që lexonte.
Kështu, iu përgjigja mikut tim, që fenomene të tilla nuk kishin spikatje as ontologjike as logjike dhe mund t’u interesojnë vetëm psikologëve. Ne mund të identifikohemi me personazhe fantazie e me veprimet e tyre, sepse sipas një marrëveshjeje trillimi, fillojmë të jetojmë në mënyrë të mundshme të historisë së tyre si të ishte bota jonë reale, por kjo nuk ndodh vetëm kur lexojmë romane.
Kushedi sa kanë fantazuar mbi vdekjen e mundshme të njeriut të dashur duke u pikëlluar ndonjëherë deri në lot, edhe pse e dinin se i dashuri apo e dashura ishin gjallë e shëndoshë. Dukuri të tilla të identifikimit e projektimit janë absolutisht normale e (përsëris) dhe kompetencë e psikologëve. Nëse ekzistojnë iluzionet optike, në të cilat shohim një formë të caktuar si më të madhe se një tjetër megjithëse e dimë që janë saktësisht të së njëjtës madhësi, pse nuk u dashka të ekzistojnë edhe iluzionet emotive?
Për këtë arsye, kam kërkuar gjithashtu t’i shpjegoj mikut tim se kapaciteti i një personazhi imagjinar të mallëngjejë persona nuk varet vetëm nga cilësitë e tyre, por edhe nga zakonet kulturore të lexuesve- ose pak së paku nga raporti mes pritshmërive të tyre kulturore dhe strategjisë narrative. Në gjysmë të shekullit XIX qanin e deri dënesnin, për vdekjen e Fleur-de-Marie të Eugène Sue, ndërsa sot fatkeqësitë e vajzës së gjorë na lënë, në mënyrë cinike, të patundur. Sidoqoftë, disa dekada më parë nuk ishin pak ata që pikëlloheshin për fatin e Jenny në Love Story të Erich Segal, roman apo film qoftë.
Kështu, më në fund, kam vënë re se nuk mund ta shlyeja aq lehtë tërë çështjen dhe m’u desh të pranoja se ka njëfarë ndryshimi mes të qarës për vdekjen imagjinare të një personi të dashur dhe të qarjes për vdekjen e Ana Kareninës. Është e vërtetë se në të dy rastet e parashikojmë atë që ndodh në një botë të mundshme: në rastin e parë, bota e imagjinatës sonë, në të dytin, një botë e paraqitur nga Tolstoj. Por nëse pastaj pyetemi a ka vdekur vërtet personi i dashur, mund të themi me çlirim të madh se nuk është e vërtetë, njësoj si kur ndihemi të çliruar kur zgjohemi nga një ankth. Përkundrazi, nëse pyetemi a ka vdekur Ana Karenina, duhet të themi gjithmonë po, mbasi fakti që Ana është vetëvrarë, është i vërtetë në të gjitha botët e mundshme.
Gjithashtu, kur është fjala për një dashuri romantike, vuajmë kur imagjinojmë të qenët të braktisur nga personi i dashur dhe ka pasur persona që, pasi janë lënë, vërtet janë vetëvrarë, ndërsa nuk vuajmë shumë nëse miqtë tanë braktisen nga të dashurit e tyre. Natyrisht jemi në anën e tyre, por nuk kam dëgjuar kurrë për ndonjë që ka vrarë veten ngaqë njëri prej miqve e kishte lënë. Për ne është e çuditshme të vërejmë se, kur Gëte botoi Vuajtjet e djaloshit Werter ku heroi Werter, vret veten për shkak të dashurisë së tij të pafat, shumë të rinj lexues romantikë e ndoqën këtë shembull. Fenomeni u bë i njohur si efekti Werter. Çfarë mund të thuhet atëherë, që persona të shqetësuar lehtë prej vdekjes nga uria e miliona individëve realë- përfshirë shumë fëmijë- provojnë një ankth personal për vdekjen e Ana Kareninës? Ç’do të thotë të ndash thellësisht dhimbjen për një person që e dimë se nuk ka ekzistuar kurrë?
shq. z.v.
Burimi/Facebook


Leave a Reply