Mehalla ime ishte mehalla ime, nostalgjia e pështjellur me qindra kujtime, një vegim i ambël i papërsëritshëm, i fëmijërisë dhe adoleshencës, që herë pas herë trazon të tashmen, pulson si një e shkuar e bukur, që nuk përsëritet. Mëhalla ime, pjesë e një lagje të madhe dhe ku? Në mes të “Shehrit” si thonin pleqtë e asaj kohe: I kena në vend të mirë shtëpijat në “shehër” bash në mes të qytetit. Ishim gadi ngjitur me Teatrin “Migjeni”, kishim shumë afër qendren e qytetit, piacen tonë të dashur, shkollen ushtrimore, Gjimnazin 28 Nandori, Muzeun, xhaminë e Fushë Qelë, jo larg edhe Kisha françeskane, Mapon Industriale, Polikliniken, Agjensinë e udhëtarëve, Stadiumin, etj. Kjo mehallë ma e ambla, ma e dashur, ma e qeta, e njerzishmja, ma e ndershmja, ishte bërthama e lagjes së madhe që atëherë kishte disa emra, si lagja Vaso Kadia, apo lagja Migjeni. Nuk ishte rrugicë si shumë rrugica të Shkodrës që në mes të saj në dy anët kishte shtëpijat. Jo! Ajo kishte vetëm në një anë shtepija, jo të mëdha shumica përdhese dhe pastaj vinte një lulishtë ku do vihej busti i Migjenit dhe pastaj rruga e gjanë që të çonte në ndertesen e Teatrit Migjeni. Shtëpitë ose kishin oborr shumë të vogël ose nuk kishin fare dhe dalja ishte direkt në rrugë.Brenda këtyre shtëpijave të ulta, jetonin njerëzit e mirë, të ndershëm, fisnikë dhe bujarë të mehalles time. Duke filluar nga shtëpia ime ku linda dhe u rrita ajo përbahej nga 7 persona, axha em i pamartuar, baba, nana, dy vajza dhe dy djem. Baba ishte nepunës, motra e madhe shtëpijake, vëllau i vogël elektro auto kuse une me vëllanë ndoqem shkollat e larta. Vëllanë tim të madh, Ahmet Tophanen, shefin e shquar të llogarisë të disa ndërmarrjeve të mëdha e donin të gjithë, sepse kishte patur edhe nje fatkeqësi trupore por ishte me shumë humor dhe shumë inteligjent. Unë pa dashjen time u bana inxhiniere ndërtimi se ashtu deshi Komiteti Ekzekutiv i rrethit tonë pa na marrë asnjë dakortësi.Pranë shtëpisë time ishte një shtëpi që një pjesë e kishte dy kate ku banonte një familje muslimane e ardhur nga Mal i Zi (Ndoshta boshnjake) që ishin burrë e grua dhe kishin 4 vajza. Hafiz Kerniqi e kishte emrin dhe ne fëmijtë e kishim frikë, se rrinte me shkolp në dorë dhe shpesh na kërcënonte në sllavisht. Ai kishte një motër e cila erdhi ne Shkodër dhe deri sa vdiq nuk mësoi asnjë fjalë shqip. Por ne fëmijët kishim mësuar disa fjalë sllavisht që në mëngjez i thonim : “Haka Rabije kako si ti? Ajo na përgjigjej: “Dobro, bogomi”. Në katin e dytë banonte Shuajp Mehmeti, me familjen e tij që ishte një nga notarët e shquar të Vllaznisë së Shkodrës e më vonë trajner i notit, një burrë i qetë me natyrë pak si në vehte. Pastaj vinte shtëpija Adem dhe Zyhra Freskut që kishin 5 fëmijë tre vajza dhe dy djem. Enveri djali i madh ndjeku shkollen e lartë veterinarinë, kurse vajzat nuk moren shkolla të larta por u sistemuan në punë të ndryshme. Ato ishin shoqet e mija më të ngushta sidomos Saimja, kaq e mirë e kaq e urtë. Zyhranë e mbaj mend , një grua e hijshme, gazmore me nje muhabet të ambel, që shpesh delte tek dera e cila ishte krejt në rrugë dhe fliste me shumë njerëz që kalonin. Punonte në Teatrin Migjeni dhe mbaj mend njeherë që e angazhuan të luante rolin e darsmores në dramen “Kunore Nurijes” ku ajo i binte dajres. Ne vajzat e vogla krenoheshim se thonim qe edhe mehalla jonë nxorri një aktore. Ne vajzat e mëhalles nuk kena lanë shfaqje pa parë të Teatrit Migjeni, drama dhe numrat e estrades . Rrinim tek dera e Teatrit Migjenit dhe ju luteshim për të na futur brenda pa bileta, dy personave që rrinin tek dera për prerjen e biletave Maliq Sejdinit ose Oso Sallatës të cilët kur shihnin se nuk ishin shitur gjithë biletat dhe kishte vende bosh na fusnin dhe rrinim gjithmonë në galeri. U rritëm me aktorët e parë të Teatrit Migjeni. I shihnim në shfaqje, kur hynin e delnin prej provave të Teatrit, si Tinka Kurtin, Vitore Ninon, Antoneta Fishten, Lec Bushatin, Lec Shllakun, etj, por ne vajzave na pelqente Roza Xhuxha, kaq e fresket e bukur, me ate trup te hedhur dhe shume e ambel. Përpiqeshim ti imitonim artistet tona nga që shihnim të gjithë shfaqjet e tyre . Më kujtohet që pasi kishim parë një shfaqje “Trumpeterja” ku Tinka Kurti kërcente mbi një tavolinë, një vajzë mehalle duke improvizuar një tavolinë në oborrin e shtëpisë time filloi të kërcente gjasme si Tinka.Tavolina u shemb se njëra kambe ishte e prishur dhe ajo gadi sa nuk theu qafen.Por ne ja dhame çmimin e pare. Doli pastaj Nana ime në safallek kur dëgjoi zhurmen dhe më dha mua një të sharë:” O ju ju raftë pika që doni me emitue Tinken, që nuk jeni as sa thoni i saj”. Por edhe artistet e Teatrit na njihnin si vajza të mehallës jo të gjitha me emra por me fytyra se ne rrinim para tyre duke i parë e sidomos në shkallët e bustit Migjeni. Bile kur u martova unë, njëri nga aktorët kishte thanë: “Po kush kenka një kjo vajzë që ne nuk e kemi parë, kur u martua kjo? Ato nuk e dinin se unë për pesë vite ishe shkëputur nga mehalla ime sepse isha me studime në universitet.
Pas shtëpisë së Adem Freskut vinte shtëpija e Hafiz Koçkiçit apo ndonjëherë e thërrisnim Hafiz Boshnjaku, se nga Bosnja e kishte origjinen. O Zot sa burrë i mirë, i urtë, tepër fisnik me një pamje siç e kujtoi unë me atë mjekrren e bardhë që i shprehte një fisnikëri të tejskajshme. E kujtoi me atë trup të gjatë kur vinte nga fshati, na përshëndeste dhe hynte në banesen e tij për të sjellë aty veç mirësi dhe dritë arsyeje dhe gjykimi të drejtë. Ai mbas 1967 kur hoxhallarët i kishin detyruar të hiqnin rrobat dhe mjekren, ai nuk doli ma kurrë nga shtëpia deri sa vdiq për të respektuar deri në fund idetë dhe detyren që ja kishte caktuar Zoti. Kishte pesë fëmijë dy vajza Habiben dhe Fajen, vajza shtëpijake shumë të mira por sidomos Habibja, që unë kisha debulesë, ishte e bukur me një fytyrë vtë pastër, e urtë, e matur me një za të ambël që ne e donim shume. Tre djemtë Hasani, Reshati, Asimi kishin krye shkollen e lartë. Hasani, një burrë zotni, si i jati u ba mjek veterinar, Reshati u bë një nga inxhinierët ma të mirë të Shkodrës duke projektuar dhe zbatuar shumë vepra të rëndësishme , dhe duke kulmuar me Stadiumin “Loro Boriçi”. Martesa e Reshatit me gjenekologen e njohur, Shejnaz plotësoi nevojen tonë edhe për mjeke në mehallë . Asimi më i vogli u ba mësues. Ngjitur me familjen Koçkiçi jetonte familje e Rasim Hasanit (Ulqinakut), të ardhur nga Ulqin, me katër fëmijë tre djem dhe një vajzë , fëmijë shumë të edukuar. Djemtë nuk ndoqen shkollë të lartë por punuam me ndershmëri në ndërmarrje të ndryshme kurse vajza Naxhije Ulqinaku, doli mësuese dhe do të bëhëj një nga mësueset e dalluara të qytetit. Familje e nderuar në mehallen tonë ishte familja Zhabjaku, dy vëllezër Muhameti dhe Eljazi, burra të urtë që kqyrnin veç punën e tyre. Muhameti kishte dy djem të mbarë kurse Eljazi 5 fëmijë dy djem Ademin dhe Saimirin dhe tre vajza Sanijen, Yllin dhe Saxhiden, të gjithë me shkollë të lartë. Por me Eljazin ne kishim lidhje ma shume se ai punonte këpucë shumë të bukura, me to mbante 5 fëmijët e tij. Ishte kaq i njerzishëm, fisnik dhe gojë ambël, le që ishte mjeshtër i vërtetë. Në një shtëpi jetonte dhe familje Juka, ku kujtoj Beqirin që u bë mësues, Selamijen, Gimen dhe Eshrefin të gjithë njerëz të mirë . Në pjesen dykatëshe ishte daja i Beqirit Sheuqet Anamali, i cili ishte infermier dhe na ka shërbey falas të gjithëve në mehallë kur kishim nevoja shëndetësore. Afërshtëpisë së Eljaz Zhabjakut , vonë erdh në mehallë edhe familja e Ethem Kallugjerit, që kishin një vajzë, Semihanë që do tu bënte mjeke. Rreshti i shtëpijave tona mbaronte me shtëpinë e dok. Sheldisë, shtëpia më e bukur e mehallës, dykatëshe me një oborr të bukur lulesh dhe pemësh frutore. Bashkëshortja e doktorit Zina, një grua gojë ambël, që unë njëherë ja shprisha qejfin se në oborrin e saj bashkë me një shoqe mehalle këputa dardha dimërore, të papjekura që ajo i ruante me kujdes për në dimër. Erdhi tek Nana ime për tu ankuar dhe Nana nuk la gja pa më sharë në sy të saj: “ O kjo hangërt rrashten e vet që ta ka ba këtë punë moj Zinë, por aman na ban hallall”. Kështu shkojnin komshijtë atëhërë pa grindje, pa ngatërresa duke shuar edhe këto sherre të vogla që mund tu ktheheshin në të mëdha. Me vjedhë pemë sidomos për ne fëmijët nuk ka qenë edhe ndonjë gja e pamoralshme. Kushedi sa herë kemi vjedhur rrush dhe fiq tek bahçja e Selami Jenisherit dhe kushedi sa here na ka rrahë. Banesen tone e ndante nga kjo bahçe vetem nje mur i ulët që ishte lehtë të kapërcehej.
Tek familja Sheldija kujtoj Dr, Sheldinë, një mjek i njohur që vizitonte në shtëpinë e tij, në kliniken që kishte hapur dhe që nën këtë shtëpi shihnim rradhe të gjata të pacientëve që vinin për tu vizituar edhe nga fshatrat e largët të Shkodrës. Doktori kishte tre vajza Zanen, Valerien dhe Marien të treja shumë të urta, të qeta bile si vajza doktori ishin edhe të thjeshta. Zana u ba laborante, Valeria mesuese dhe Maria punonte në NISH Elektrik. Kujtoj që në një bisedë në mes fëmijësh Zana më pat thanë: “Ne baba na fal gjithmonë diçka kur sheh se kemi shtuar në peshë”.
Por çfarë kujtojmë ne nga kjo jete mehalle? Njeherë si fëmi nuk do ta harroj kurrë se çfarë kena ba, çfarë kena luajtur, çfarë ambienti social, si vëllezër dhe motra. Luanim rrasabuq, top e luftë(ma e bukura lojë), top e tjegull, kala dibrançe, futboll, ne vajzat niçash, me kukulla. Bile në shtëpinë tonë ku në fund të oborrit kishim një jerevi ku mbanin rangallat e shtëpisë, kishim krijuar një teatër kukullash. Ne dy vajzat ma të mëdha unë me Saime Freskun, organizonim kete teatër mbasi kishim varur një perde dhe sipër perdes lëviznim kukullat e sajuar vetë me krande të fshesave rrumeqe. Fëmijëve që vinin të shihnin shfaqje u kërkonim nga 2 leke per me rritë “gjasme investimet”. Gadi si festë u kthente shkundja e mandit. Ne kishim një mand shumë të madh në oborr, e vetmja pemë frutore masive në mehallë. Atë e shkundte vetëm axha i jem dhe askush tjeter nuk guxonte të hypte kaq i vështirë ishte. Kur mandi shkundej vinin gjithë fëmijët e mehallës me tasa në dorë, mbanin çarçafin dhe mandat binin në çarçaf të pastër. Pastaj Nana i hidhte në një tepsi dhe të gjithë mbushnin tasat e tyre.Me manat Nana bante pekmez që mua personalisht më ishte mërzitur se ishte shumë i ambël dhe Nana e shfrytëzonte për ne për ta hanger me bukë në vend të bylmetit. Shume periudhë e bukur ka qenë koha e Ramazanit dhe Bajramit. Të gjithë në mehallen tonë ninonin(agjëronin) ramazanin bile edhe fëmijtë e mëdhej. Nanat diten gatuanin dhe kur vinte koha e yftarit ishin ne fëmijët që lajmëronin: Ra topi! Ra topi! sepse ndizeshin dritat e xhamisë(deri më 1967) por kishte mbetur si shprehje ra topi se a përpara kur xhamija nuk kishte drita yftari paralajmërohesh nga topat në Kala Rozafa. Për një orë mehalla binte në qetësi sepse të gjithë familjet mblidheshin të hanin rreth sofrës së yftarit që megjithëse ishim të varfër kishte nga 6-7 lloje gjellësh. Nuk kishte gja ma të kandshme se të mblidhej gjithë familja rreth një sofre.Sofra zakonishte ishte dërrase pak e ngritur nga dyshemeja dhe ne të gjithë uleshim “kamturqisht” Sa do ta dëshiroja edhe sot këtë mbledhje të familjes që ndodh veç në raste festash !Dhe pas kësaj fillonin vizitat tek komshijtë ku bisedonim dhe ne fëmijët shpesh edhe kercenim.Nuk kishim as televizor bile edhe radio ndonjë familje tek tuk dhe kjo ishte mënyra me kalue kohen. Mehalla ishte njësi vëllazërimi.E tham me sinqeritete se unë nuk mbaj mend që të kemi patur grindje apo shamata në mehallë as në mes ne fëmijëve as midis familjecve tona . Reshati tregon se kur loznim në mehallë sa herë nana më ka thirrur brenda e më ka bërtitur se unë e ngrija zanin nalt e më thonte: “A e din se ti bërtete ma shumë se të tjerët?
Asnjëri prej nesh nuk u dashurua as u fejua me njeri tjetrin. Të gjithë vajzat kryesisht u fejuam me rekomandime dhe miratimin e familjeve tona. Dasmat ishin kaq të thjeshta, sepse pothuajse të gjithë kishim të njëjten situatë ekonomike të varfër. Dasmat e vajzave ishin shumë të thjeshta e të vakëta, kurse të djemve diçka më të pasura. Por sidoqoftë ishte gëzim se ne shkonim gjithë qejf të shifnim nuset, veshjet e saj, “ make up” e saj që zakonisht nuk e bënin parukierët por gratë e fisit, ato ma meraklijet. Më kujtohet dasma ime kur u martova. Nana dhe Baba kishin thirrur shumë pak njerëz dhe kushërinjtë e afërt dhe shoqet e shkollës, pa orkester, pa asnjë vegël. U thot nana shoqeve të mija: Po këndoni pak për martesen e Zenepes . Po si të këndojmë thojnë ato pa asnjë instrument. Ngrihet nje kojshi dhe thotë: Po këtu afër kemi Sabah Troshanin, çonju e merreni atë. Kur erdhi Sabahu pa pritese u ba nje aheng i vogel. Më kujtohet kur u martova unë dhe familja e Enverit erdhi me marrë nusen vetëm me një taksi. Sa u futëm në taksi, taksiste tha: “Ju lutem hiqjani nuses velin në daçi mos ma ma hekë buken e gojës “. Ky ishte urdhëri i partisë punës që i kishin dhënë. Por ajo që më ka mbetur në mendje asht kur u martua Hasan Koçkiçi, që kur vazhdonte shkollen në Tiranë, për veteriner, ishte dashuruar me nje vajzë tiranse shumë të bukur, Myzin, Dhe kur erdhe koha e marteses u porosit nga familja që nusja të merrej me një autobuz me dasmorë. Ne vajzat e mehalles ishim tek dera e autobuzit dhe ju luteshim Reshatit, vëllaut të Hasanit të na merrte edhe ne. Kur ai na futi në autobuz nuk mund ta përshkruaj gëzimin tim fëminor, të një vajze 10 vjeçee. Me shkue me marrë nusen në Tiranë me autobuz ishte si me shkue jashtë shtetit. Dhe rrugës që zgjaste pothuejse 4 orë, ma shumë kena këndue na fëmijët se sa dasmorët.Dua të theksoj se toleranca fetare tek ne ishte e edukuar nga familjet tona fisnike. Të gjithë kishim shokë e shoqe katolike. Baba i jem që i pëlqente pak rakia , shumicën e shokëve e kishte atje në Gjuhadol se aty vlonte biseda, aty ishte lezeti. Unë kisha shoqe të ngushte Margarita Nenshatin, që rrinte pak ma larg se mehalla jonë, tek Agjensia e udhëtarëve, kurse vëllai im kishte shok të vëllanë e saj, Lorencin. Bile unë njëherë e kisha thirrë Margariten për yftar dhe ajo u habit nga sasia dhe shijet e gjellëve tona. Por edhe shumë të tjerë kishin shokë e miq katolikë. Por ne kishim në mehallë familje e dr. Sheldisë që nuk di ndonjëherë që ti kemi nënvfleftësuar me që ishim shumicë apo ato të na anashkalonin dhe shkonin shumë mirë.Gratë e mehallës shkonin shumë mirë me njera tjeteren.Nana ime ishte shumë tolerante dhe e rregullt . Gratë vinin shpesh të merrnin borxh tek nana dhe çfarë? një gotë ufull, një kallep sapun, dy korra vezë, etej. Kur ndonjera harronte të kthente borxhin dhe vinte për të marrë diçka tjeter nana u thonte: Shiko se ke harruar ta sjellësh borxhin e vjeter. Por ato nuk u idhnuan kurrë por me atë mënyren e tyre shpejtonin ta kthenin borxhin. Bile gratë i kishim edhe mjeke popullore p.sh. Zyhraja u çonte fytin fëmijëve, nana jeme u këndonte sure të ndryshme, u fikte thnij kurse kur gjendja agravohej shkonim tek dok. Sheldija. Në fund të mehallës tonë, afër shtëpisë së dr. Sheldisë kujtoj një ambëltore, ajo e Bajramit, që nuk ishte shkodran por më duket nga Gurakuqi i Elbasanit që ne fëmijët kur kishim lekë aty shkonim e blenim embelsira. Sidomos na pëlqente një “hallvë e bardhë” që ajo çahej me cakic. Por edhe pak më larg se mëhalla kishin disa familja teper të mira që prindërit komunikonin por më rrallë ajo e Lekiqeve ku dalloje mjeku neurolog Ismet Lekaj, por edhe nana e tij që ne e quanin Laverojce e cila ishte një podgoriçane e mrekullueshme. Nga ana e Teatrit kishim familjen Kosova me origjine nga Kosova me fëmijë të mrekullueshëm, por unë kisha shoqe Ferin, bashkëshorten e Gani Alibalit. Po kështu dallohej familje Keraj me gjashtë djemtë e saj, gjithsecili ma i mirë se tjetri me kontribute në shoqërinë shkodrane, ku do dallohej piktori i talentuar Jakup Keraj.
Kjo ishte mehalla në kujtimet e mija. Kushedi sa kujtime të tjera mbajnë mend të gjithë të tjerët që jetuan në këtë mehallë, të papërsëritshme, kaq të bukura, pa modernizmin e sotëm, pa elektroniken, por kaq njerëzore, kaq e bukur me ndjesitë që na la, kaq fisnike me sjelljet dhe veprimet e banorëve të saj. Sa keq !Sot ky ambient social, njerëzor dhe human mbaroi!
Ne foto Banesa e dr. Sheldise (Hedheur ne FB nga Valeria Raka (Sheldija)
Burimi/Facebook


Leave a Reply