Alb Media sjell një intervistë ekskluzive me Desara Beqari Gjonej, pedagoge dhe aktiviste e njohur shqiptare në diasporë, e cila bën një punë të jashtëzakonshme për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare mes fëmijëve shqiptarë në Austri dhe më gjërë në diasporën shqiptare kudo në botë.
Ajo është një figurë kyçe në edukimin e brezave të rinj, jo vetëm si mësuese e gjuhës shqipe dhe gjermane, por edhe si iniciatore e shumë projekteve kulturore dhe arsimore për komunitetin shqiptar.
⸻
Nga Shkodra në Vjenë: Rruga drejt edukimit dhe aktivizmit
Alb Media: Desara, ju keni lindur në Shkodër dhe jetoni prej vitesh në Austri. Si ka qenë rruga juaj drejt profesionit të mësueses dhe aktivizmit kulturor?
Desara Beqari Gjonej: Po, unë kam lindur dhe jam rritur në Shkodër, me dashurinë për të bukurën dhe njerëzoren, për kulturën dhe arsimin. Në Austri erdha për të studiuar. Përfundova studimet për Gjermanistikë dhe Histori Arti në Graz, më pas mbarova studimin për Pedagogjinë e Ciklit Fillor në Vjenë. Formimi profesional më ka dhënë mundësinë të punoj si mësuese në shkollën shtetërore në Vjenë dhe gjithashtu në kohën e lirë të vë në jetë projekte që ndihmojnë në përforcimin e identitetit te fëmijët shqiptarë lindur në diasporë.
⸻
Një mision edukativ për gjuhën shqipe në diasporë
Alb Media: Prej më shumë se 10 vitesh jeni mësuese në një shkollë shtetërore në Vjenë dhe gjithashtu jeni mësuese e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në gjimnazet e qytetit të Vjenës. Si e shihni rëndësinë e ruajtjes së gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë në diasporë?
Desara Beqari Gjonej: Gjuha është një pjesë e rëndësishme e identitetit të secilit individ. Uroj për çdo fëmijë që të ndihet mirë në rrënjët e veta dhe të di të marrë të mirat e kulturës së vendit ku rritet dhe jeton. Nuk është mirë t’i lëmë prindërit vetëm në këtë rrugëtim. Së bashku është mund të krijojmë hapësira edukative dhe kulturore ku fëmijët mund ta mësojnë gjuhën shqipe duke u argëtuar dhe duke krijuar shoqëri të reja.
⸻
Shoqata kulturore për fëmijë “Kikiriki” dhe pasioni për didaktikën
Alb Media: Ju jeni krijuese dhe kryetare e shoqatës “Kikiriki”. Çfarë përfaqëson kjo nismë dhe çfarë aktivitetesh organizoni?
Desara Beqari Gjonej: “Kikiriki” është një shoqatë që ka për qëllim të bashkojë fëmijët shqiptarë në Vjenë përmes aktiviteteve kulturore dhe edukative. Organizojmë lexime në bibliotekën e qytetit, aktivitete argëtuese dhe edukative për fëmijët, si dhe projekte kreative për t’i afruar ata me kulturën dhe historinë shqiptare. Gjithashtu organizojmë shëtitje në Vjenë, duke njohur historinë austriake e duke zbuluar aty edhe gjurmë shqiptare.
⸻
“Kikiriki – Shqip me Fëmijë” dhe roli i mediave në edukimin e brezave të rinj
Alb Media: Ju keni krijuar dhe moderoni emisionin “Kikiriki – Shqip me Fëmijë” në Radio Orange, Vjenë. Cili është synimi i këtij emisioni dhe si është pritur ai nga komuniteti shqiptar?
Desara Beqari Gjonej: Ky është projekti im i zemrës, të cilin e kam konceptuar së bashku me dy fëmijët e mi. Emisioni është një platformë për fëmijët shqiptarë në diasporë ku ata mund të dëgjojnë gjuhën e tyre amtare dhe të mësojnë për kulturën shqiptare në mënyrë argëtuese. Përmes tregimeve, këngëve, lojërave gjuhësore dhe bisedave me fëmijë nga vende të ndryshme, synojmë të krijojmë një ambient të ngrohtë, ku gjuha shqipe të jetë pjesë e përditshmërisë së tyre. Rezonanca është fantastike! Prindërit më shkruajnë shumë mesazhe falenderuese dhe fëmijët e presin me padurim çdo episod të ri. Kemi fansa kudo në botë, sepse emisioni ynë është gjithëpërfshirës. Dëgjuesit tanë mund të bëhen shumë lehtë edhe reporterët tanë duke na dërguar lajme, humor, këngë e vjersha që ne i bëjmë pjesë të emisionit tonë.
⸻
Kuizi Mbarëkombëtar i Diturisë – Një ditë feste për fëmijët shqiptarë në Evropë
Alb Media: Më 3 maj 2025 organizohet Kuizi Mbarëkombëtar i Diturisë në Vjenë, një iniciativë e jashtëzakonshme. Çfarë përfaqëson kjo ngjarje dhe si po përgatiteni për të?
Desara Beqari Gjonej: Kuizi Mbarëkombëtar i Diturisë është një projekt që të mbush me krenari! Ai qëndron për bashkim, bashkëpunim, mësim dhe argëtim mes kolegëve dhe nxënësve shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës. Edhe në emisionin tonë në Radio Orange ne po përgatitemi së bashku me nxënës nga vende të ndryshme, duke luajtur dhe duke mësuar njëkohësisht online. Secili ekip mëson një material të përbashkët dhe konkursi bëhet i drejtë e transparent me kahoot, një program në kompjuter. Organizatorët e Kuizit Mbarëkombëtar të Diturisë në Vjenë janë Lidhja e Shoqatave Shqiptare “Iliria” në Suedi dhe ekipi “Kikiriki”, si fitues i vendit të parë në Suedi në maj 2024.
⸻
Publikime dhe projekte të ardhshme
Alb Media: Ju jeni autore dhe bashkautore e disa librave mësimorë të gjuhës shqipe për fëmijë dhe të rritur. Çfarë mund të na tregoni për këto botime dhe a keni ndonjë projekt të ri në plan?
Desara Beqari Gjonej: Po, këto libra janë fryt i përvojës sime si mësuese dhe i dëshirës për të pasur materiale cilësore për mësimin e shqipes në diasporë. Një nga synimet e mia kryesore është të mbështes kështu mësuesit dhe prindërit që duan t’ua mësojnë shqipen fëmijëve në mënyrë të lehtë dhe argëtuese. Librat për fëmijë që janë botuar në Austri janë aprovuar nga ministria e arsimit në Vjenë për përdorim në shkollat e gjuhës shqipe në Austri. Ata faktikisht po përdoren kudo në Evropë, në shkolla të shumta të gjuhës shqipe.
Aktualisht po punoj për një projekt të ri që lidhet me edukimin kulturor përmes teknologjisë, një fushë që mendoj se ka shumë potencial për brezin e ri.
⸻
Një mesazh për diasporën shqiptare
Alb Media: Për ta përmbyllur këtë bisedë frymëzuese, cili do të ishte mesazhi juaj për prindërit dhe fëmijët shqiptarë në diasporë?
Desara Beqari Gjonej: Le të bashkëpunojmë për ta çuar gjuhën shqipe pranë fëmijëve tanë që lindin dhe rriten në diasporë. Le t’u dhurojmë atyre pasurinë më të madhe që kemi ne, gjuhën tonë amtare dhe identitetin tonë shqiptar.
⸻
Alb Media falenderon Desara Beqari Gjonej për këtë intervistë të pasur dhe frymëzuese. Le të jetë puna e saj një shembull për të gjithë ata që duan ta mbajnë gjallë kulturën dhe gjuhën tonë në diasporë!
Përgatiti:
Koja Leonard
Burimi/Alb Media


Leave a Reply