I ulur tek tryeza,
dua mendimet
në letër ti hedh.
Nga padurimi,
fjalët duan të dalin
njëherësh,
duke humbur kuptimin.
Ato që arrijnë të rreshtohen,
mbesin gjysma fjalësh,
nga mungesa e shkronjave
që bijen
si gjethet e vjeshtës.
I ç’orientuar dhe
bosh,
më duket sikur
nga jeta
kërkoj pamundësinë
që fati ma sjell dhe,
sapo e prek
m’a merr.
Dhe ikën larg, larg,
në sa zemra pulson
e hutuar
në darën e dhimbjes.
Në çdo frymëmarrje,
kuptimi i jetës humb
pak nga pak.
Herë herë arratiset
në krahët e shpresës
që ngjanë me një bimë
në thatësirë,
duke ëndërruar shiun
që nuk po bie.
Jeta është aq e shkurtër,
për t’u ndjerë i huaj
pranë valëzimit joshës
së detit,
apo,
në një fushë
ku lulet përshëndesin
pranverën.
Tani fjalët,
duke çaluar nëpër vargje,
shtrydhin dhimbje,
që të ujisin
rrënjët e shpresës.
Asgjë nuk ka kuptim
në se ti,
i arratisur nga vehtja
pret,
të bie një yll nga qielli,
për të ndriçuar mbrendësinë tënde.
Të ëndërrosh
puthjen e hënës,
apo,
të zhytesh
në valët e skuqura
nën diskun e zjarrtë
të perëndimit.
Një çast,
duke ëndërruar
sikur je përhumbur
në vështrimin rrezatues
së sajë,
që të deh dhe
të mbështjell
me një vello të padukshme
lumturie.
Një çast dhe
gjithçka merr kuptim.
Yjet, hëna dhe
errësira e ndriçuar
në heshtje,
përcjellin mesazhin
e kuptimit të jetës.
Bashkim Golemi.
Burimi/Facebook


Leave a Reply