(Jusuf “Fâik” ef. Ismail Agë Kaduku)
U lind në vitin 1884 (1302H) në lagjen “Rus i Vogël” të Shkodrës. Është i biri i Zejnebe hanëmit dhe Ismail Ag Shkodrës (Kaduku).
Shkollën fillore Ibtidâije dhe atë të mesmen Ruzhdije i kreu në vendlindjen e tij, në Shkodër. Pas mbarimit të këtyre dy niveleve, e mësoi përmendsh edhe Kuranin fisnik dhe u laureua me titullin “Hafiz i Kuranit”.
Pas kësaj mësimet i vazhdoi po në Shkodër, në Medresenë në të cilën myderriz ishte vëllai i tij më i madh, Haxhi Ibrahim efendi Kaduku. Këtu, sipas programit me të cilin punohej edhe në Medresenë e Stambollit, mori mësimet nga lëndët: sintaksë dhe morfologji e gjuhës arabe, rregullat e jurisprudencës islame, misticizëm, filologji-letërsi, dhe pasi e mësoi një pjesë edhe nga lënda e logjikës, në vitin 1908 shkoi në Stamboll. Duke qenë se në Shkodër kishte mësuar sipas programit të medreseve të Stambollit, iu njoh e drejta për t’i vazhduar studimet në vitin e pestë. Kështu, gjuhën arabe, letërsinë, bazat e jurisprudencës islame, apologjetikën islame dhe misticizmin i studioi te profesori i njohur “derisâm” i “Fâtihut”, Iskilipli Mehmet Atif efendiu. Lëndën e retorikës , ndërkaq, e studioi te myderrizi, Fetah efendi Dagistani. Më pastaj hyri në grupin e studentëve të myderrizit tjetër “dersiâm”, Aliriza efendi Mugllaliu, tek i cili i ndoqi studimet deri në përfundimin e lëndës së apologjetikës islame. Mirëpo, meqë në vitin 1912 u bë reformimi i medreseve (me sistem dhe program të ri), edhe pse kishte mbërritur deri në ixhâzet, nuk arriti ta merrte diplomën.
Krahas lëndëve që i studionte para myderrizëve të sipërpërmendur, po ashtu studioi edhe lëndën e së drejtës trashëgimore islame (ferâizin) te myderrizi i njohur haxhi Selim efendi Mehmet Silistreja, ku mori edhe ixhâzetnâmenë, më 1911. Kurse në “Teqenë e Gjymyshhânesë” studioi edhe disiplinën e shkencës së hadithit “Râmûzü ‘l-ehâdîth”, ku ju dha edhe ixhâzetnâmeja e veçantë për këtë shkencë nga Ismail ef. Nexhati-Hâlidî, postneshin i “Zavijes së Ahmet Zijauddinit”.
Në vitin 1912, kur edhe u themeluan medresetë e reformuara të quajtura “Dârü’l-hilâfeti’l-Alijje”, u regjistrua në vitin e tretë të studimeve të shkencave të larta, në drejtimin e Kirâetit – Leximit të Kuranit në shtatë, përkatësisht në dhjetë dialektet arabe, sipas metodës / veprës “Shâtibije”. në vitin 1914, pasi doli me sukses nga provimi pranues që asokohe u bë i detyrueshëm, u regjistrua në Medresenë “Sylejmanije” – Drejtimi i Tefsirit dhe i Hadithit. Më 17 nëntor 1918 e dha provimin përfundimtar me sukses shumë të lartë (nota dhjetë), kurse në mars të vitit 1919, e mori diplomën ixhâzetnâmenë nga myderrizi i tefsirit, Ahmet Xhevdet efendiu, i biri i Hysen Ashki Bergameviut. Një vit më vonë, më 1 mars 1920, u emërua PROFESOR “derisâm” me rrogë mujore 400 groshësh.
Jusuf efendiu i fliste dhe i shkruante gjuhën shqipe, arabe dhe turke.
Sipas kërkesave të parapara me rregulloren shkencore të medreseve të kohës, Jusuf efendiu kishte në dorëshkrim një vepër “risale” autoriale, e cila ruhej në Drejtorinë Shkencore të Medresesë “Sylejmanije” dhe priste radhën për t’u botuar.
Më 21 nëntor 1918, nga Medreseja “Sânije-i Lütfije” e Stambollit, u ngrit në gradën shkençore “Itidâ-i hârixh”. Në një shkresë të datës 2 shtator 1928, thuhet se Jusuf efendiu nga Shkodra, gjatë këtij viti, ka marrë leje për disa ditë për të shkuar në vendlindje për të vizituar familjarët e tij në Shkodër. (Dosja, nr. 1188).
Shënim: Shkrimi është marrë nga libri “DIJETARË SHQIPTARË NË PERANDORINË OSMANE” – Sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Osman -, me autorë: Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi, Ramadan Shkodra; Prishtinë 2021. Është marrë nga rubrika: “SHKODRA”, f. 428 – 429. Shkrimi është udhërrëfyes dhe literaturë e vlefshme për librin tim në proces krijimi, me titull: “MYFTILERËT SHKODRANË”.
Shkodër, 06.02.2025 (xhahid BUSHATI)
Burimi/Facebook


Leave a Reply