Shtëpia ku banonim ishte një godinë dy katshe.Blerë rreth vitit 19…Pronë përfundimisht e jona dhe ndërtuar krejt afër shetitores,hotelit të madh,mapos së madhe,kafes së madhe dhe restoranteve të paktë të qytetit…Për pjestarët e familjes sime shtëpia ishte pasuri,por mua më dukej si një grua e vjetër edhe pse me mure të larta dhe masivë ,dritare të shumta ,shkallë të shumta prej druri dhe që më pas si të merzitura zgjateshin në dyshemetë e gjithë dhomave.
Shtëpia me kohë po vjetrohej dhe im’at nuk kishte me moshë të merrej me të.
Ishim katër motra,bashkë me mamën,pesë.Qënie delikate për të riparuar suva apo për të arnuar çarjet në dërrasat e shumta, ku shkelnin këmbët tona.
Gjithësesi shtëpia në vetvete ishte e bukur…Unë,kur hapja sytë çdo mëngjes,së pari përshëndetesha me tavanin e gdhendur e më pas me mobilje të kohës së Italisë. Pasi akumuloja një lloj krenarije, për çfarë kishim qënë dikur …filloja ditën si e barabartë me fëmijët e drejtorëve,oficerëve madhorë apo kryetarëve ndër komitete të ndryshme.Prindërit e mi nuk ishin në moshë të re … Im’at e ime ma ishin të thinjur e në prag pensioni.Ata visheshin mirë dhe herë-herë,bukur. Ndërsa ne ,gjithmonë bukur,sepse çdo fustan, mama e qepte vetë dhe i përfundonte pas shumë provash.
At’kohë i kisha kapur të shtatëmbëdhjetat…Në bankë prej dy vitesh isha me Sindin dhe nuk doja kurrësesi të na shkëputnin edhe pse ishte një vajzë fodulle,kapriçoze e që kërkonte gjithmonë vëmendje.
Fundja ishte e bukur,gjins i zgjuar e na shtangte,kur fliste.
Sindi kishte sy gri .Fytyrë krejt te bardhë dhe flokët gati në blu.
Një nga djemtë e bukur të qytetit sa herë ndalonte për t’i folur diçka,skuqej e mbulohej në djersë…duket këpuste fjalë që asaj i ngrinin nervat dhe kur Sindi largohej prej tij ,na thoshte duke turfulluar se ,”ky djalë të neverit meshkujt”.Ne qeshnim dhe vazhdonim rrugën sikur të mos kish ndodhur asgjë.
Në udhëkryq ndaheshim.Një të shtunë,kur po lëshonim hapat e fundit së bashku…e ftova të vinte të dielën tek unë sepse do të shkundnim manin e zi .
-Nje djalë pranë nesh do t’na ndihmojë dhe ne do t’i presim me një çarçaf të madh …i thashë unë.
Oh sa mirë… po e paraftyroj që tani Manat,djali,çarçafi …e ne poshtë tij ,tha ajo dhe u ndamë.Asnjëherë nuk kisha guxuar ta ftoja at’ vajzë.Kisha prindër të moshuar që do t’i dukeshin ndoshta si gjyshër,shtëpi me orendi të vjetruara,motra që nuk kishin asnjë deshirë vizitat mes shoqesh, por vetëm te mësonin si në kolegjet e Dikensit.Trupi në çast m’u akullua.Si do ta prisnin ata?Po sikur të mos vinte djali i shkundjes së manit?Po sikur dhe prindërit të mos ishin mikpritës?Ata nuk para donin që vajzat e oficerëve të ishin mikeshat tona.Një ngërç më shtrëngoi fort të poshtmet e nofullave , qafën e deri tek mesi gjoksit.Ndërkaq kisha arritur në shtëpi.At’natë nuk di në mund te them se fjeta…Truri herë tendosej e herë -herë më përplaste skena, ku nuk dëshiroja të isha.
Në mëngjes u ngrita shumë shpejt…diku aty ku nata si me zor i shqitet mëngjesit.Duhej të bëja shumë punë që shtëpia të ngjante e bukur dhe e pastër.Motrat flinin…mama dhe babi po ashtu.Ata ,nuk më kishin thënë gjë për ardhjen e Sindit…ndërsa motrat u gëzuan ,sepse unë si kurrë ndonjëherë do t’i bëja gjitha punët, vetëm… pa angazhimin e tyre.
Si sonambul fillova me larjen e dërrasave,shkallat,xhamat e shumta dhe kur po perfundoja…dëgjova zërin pak provokues te motrës që po shkonte në kuzhinë….”Po Zijoshin do ta pastrosh?Krihja qimen dhe jepi pak mësim se si të sillet ,me tha me të qeshur .
Sigurisht,klitha e nervozuar me të folurën e saj,kur vetë isha e lodhur dhe e sikletosur nëse do më dilte koha të shtroja qylymat e kohës së Turqise ,të vendosja perdet me të mira dhe të bëja një banjë…. në kushte pak të vështira.
Më në fund ia kisha dalë….edhe veten edhe zijoshin e lava…Atij i vura një fjongo në ngjyrën e syve ndërsa unë vesha fustanin që unë vetë e kisha skicuar …ndërsa në qepje mama kishte ndjekur linjat e mia.
Kur të gjithë u ngritën nga shtrojet natës ,unë e Zioshi ishim gati për pritjen e Sindit.Im at’ do të dilte me miqtë e tij…hëngri mëngjes dhe me buzëqeshjen e tij të bukur u zhduk pas derës së rëndë që cdo natë mbyllej dhe sigurohej me një shul të papamë…
Ime ma m’u afrua dhe me gjysmë zëri më tha:”motrat janë me provime e nuk kanë kohë te lirë të qëndrojnë me ty dhe Sindin… e ndoshta ndjehesh më mirë te mos dal dhe unë…si thua?”
Ne fakt nuk kisha fort deshirë të ishin prezent gjatë gjithë kohës që Sindi do të qëndronte tek ne .Motrat për shumë arsye,por dhe pa mamën do të isha më mirë. Ajo ishte një grua e mencur,me biseda të kursyera dhe që i blinte të tjerët që në frazën e parë…
“Bëni si të doni “i thashë , në perpjekje për të zbutur zërin në maksimum dhe u largova për të kapur Zioshin që tentonte të hiqte fjongon dhe po e zhubraviste barbarisht…
Kur ora e ardhjes së Sindit po afrohej,pas murit ndarës të oborrit me komshinjtë ,po më thërriste motra e Malit .Ajo me zë pak të çjerrë lëshoi në ajër fjalët,se Mali ishte i sëmurë dhe nuk do të vinte dot …Pra shkundja e manit nuk do të bëhej,as nuk do të mbanim çarçafin,as Mali batutaxhi nuk do të njihej me Sindin…
Të gjitha dukeshin si një gënjeshtër e madhe.Papritur m’u duk vetja si në një ëndërr të vështirë…njerëz që largoheshin dhe unë që mbetesha si ishull vetmije. Këtë kohë dhe Zioshi e kishte hequr fjongon përfundimisht e më shikonte drejt e në sy ,kur në portën e stërmadhe, trokitësi si një dorëzonjë ra disa herë..
Me të shpejtë zbrita shkallët…hapa derën e rendë dhe mes dritëhijes dallova Sindin.U përshëndetëm dhe ndërkohë fillova të flisja broçkulla,për të justifikuar mosqëniet ose mosdaljet e asnjerit nga të dashurit e mi gjate kësaj vizite …si dhe për pamundësinë e shkundjes së manit,si premtim.
Përkrah njëra -tjetrës kishim arritur te dhoma e ndejes,ku ajo u mahnit me karriget në formë froni.-“Sa vjeçare janë këto mrekulli” ,tha ajo?”…Edhe tek gjyshi im kanë të tilla.I ati dikur ka qënë shume i pasur dhe këto lloj karrigesh i ruan me fanatizëm.”
-Moshën nuk e di të saktë,por nëse vështron me vemendje këtë foton,ku im at’ është krejt i vogel…në sfond duken të gjitha….edhe tryeza është në të njejtin stil,por ne nuk e kemi atë .Më parë sendet me vlerë ndaheshin mes vëllezërve dhe ajo ndodhet prej kohësh tek axha im…Pra mosha duhet të jetë 40 vjecare…thashë me gjysmë zëri veshur pak në bezdi.
-Megjithatë në shtëpitë e vjetra është bukur të jetosh…Apartamenti është një paralelopiped i sertë dhe që nuk të ushqen fantazinë,…Ti ke tjetër jetë këtu.
Fillova të marr veten….ndërsa Zioshi ngjeshej dhe lakonte trupin pas këmbëve të Sindit, gjithë dashuri.
-Hajde të shikosh orendi të tjera në të njejtën moshë, i thashë.Këtu për fat ka edhe riprodhime….të piktorëve me shumë emër.Dikur të parët tanë , gjithë blerjet i bënin në Venedik dhe ,per fat dy riprodhime i kane mbijetuar lagështirës…
Sindi ndjehej në qiellin e shtatë,gëzohej sikur kishte zbuluar Luvrin.Përjetonte dansin e vajzave të Degas dhe mrekullohej nga tingulli që lëshonte ora e murit ,e cila dukej me e vjetër se vetë koha.
Këtë çast dera u hap dhe ne dhomë u shfaqen motrat …Nuk kishin hequr fustanet e shtëpisë dhe hanin bukë me sheqer në mënyrë të shkujdesur .M’u duken sikur kishin dalë nga klinka e Frojdit.
Sindi dhe tri motrat m’u deformuan nga lotët…Ato sigurisht po bënin një shplodhje nga përgatitjet për provimet.Atyre sigurisht në at’shplodhje u kishte ardhur në mend të bënin një shaka…por, tek unë u shkërmoqen në çast….Dola nga dhoma dhe u perplasa në krevatin me të afërt,ku gjumi pas ngashërimeve më kishte zënë dhe ëndrrat binin mbi njera-tjetrën.Në cdo endërr kërkoja tim at’,mamën dhe motrat që herë me shfaqeshin në përmasa gjigande e herë si liliputër…Ata herë iknin dhe herë vinin.Kur riktheheshin kërkonin të më flisnin ,por nuk lëshonin zë…
Isha e dërmuar dhe me plasaritje ngado.RLK
(Shumë nga ngjarjet janë thjesht fantazi)
Nga Rudina Lohja Kurti
Në foto familja e Femi Lohjes dhe shpija e tij.
Burimi/GEGNISHT/Rroji M Denata


Leave a Reply