Sot ne 57 Vjetorin e Ditëlindjes se Anita Bitrit, Pop Star
Nga Keze Kozeta Zylo
Disa njerëz në botë edhe pse ndërrojnë jetë kujtohen me mall dhe nostalgji përjetësisht… Privilegjin e kësaj race e gëzon këngetarja e shquar vlonjate Anita Bitri, e cila humbi jetën tragjikisht nga mbytja me gaz në shtëpinë e saj në Staten Island, New York, së bashku me ëngjëllin e saj Siborën dhe nënë Azbijen. Si bashkëqytetare të një ishulli ku jetonim në New York e përjetova shumë keq tragjedinë së bashku me gjithë Diasporën. Mbi sarkofagun e tyre të akullt binin lotët papushim të emigrantëve në ceremoninë mortore që u organizua në First Evangelical Free Church në Brooklyn. Sjelle ne kete dite dhe vellain e Anitës, Arben Bitri i cili dha një interviste për TV Alba Life në New York. Ai kujtoi me dhimbje dhe lot në sy tragjedinë e tmerrshme që i ndodhi familjes së tij. Ai vazhdoi se sonte ndodhemi pikërisht në këtë vend të shenjtë në Kishën First Evangelical Free Church në Brooklyn, ku dhjetë vjet më parë të gjithë artistët e Komunitetit, Diaspora, artdashësit e shumtë, së bashku me Qemal Zylon si organizator kryesor në bashkëpunim të ngushtë me artistin e shquar Frederik Ndocin dhe orkestrën e mirënjohur “Alba” të udhëhequr nga kitaristi i talentuar Edi Xhani, organizuan një koncert lamtumire në nderim të artistes vlonjate mbarë kombëtare Anita Bitrit.
Por Anita duke qenë pjesë e racës së privilegjuar do të kujtohet përgjithmonë se i kujtohet kënga dhe violina që na la. Ajo vjen në këtë ditëlindje si një zog magjik që vetëm këndon në çdo stinë. Anita me violinën e saj fluturon mbi Pegas ndër retë e bardha hapësirave të pafund të Nju Jorkut dhe qëndron si një pulëbardhë brigjeve të detit Jon që ajo i ndjeu stërkalat e tij qysh në fëmijëri.
Anita u kthye në Vlore të prehet paqësisht duke ndërtuar urën qiellore me tokën nëpërmjet tingujve të violines dhe këngës mjaltë në buzë. Bashkia e Vlorës e nderoi duke i vendosur një rruge emrin e saj. Telat e violinës dridhen me vibrimet e zërit të saj magjepsës sa duket sikur gjithë zhurmat e pyllit janë në një simfoni të bukur me Anitën, ndërsa dueti me të bijen Siborën shfaqen si dy ëngjëllore që përndritin dhe na bekojnë. Anita ne duet i këndon të bijës se je dhurata më e çmuar/ që Zoti ma dhuroi/ dhe se si fëmija nuk ka në jetë… Ndërsa Sibora ia kthen: Jam e bekuar/ dhe ti mami më beso/ dhe unë të dua, të dua shumë, kënga ime le të jehojë, për mamin tim/ gjithëkush le ta dëgjojë.
Kënga e parë e saj në rang kombëtar si: “Hartimi dhe Dëbora” paralajmëronin se botës së muzikës shqiptare po i vinte një yll. E dëgjoj, e ridëgoj këtë këngë ndoshta ngaqë ka lidhje me profesionin e mësuesisë, dhe sa herë e dëgjoj ndjej në shpirt një sonatë qielli. Ja disa nga vargjet: Ja zilja ra kemi hartim/ ka gjallëri dhe frymëzim/ por për çudi shikoj nga jashtë/ një zog na fton çukit në xham/ Bora e bardhë pemët mbuloi/ çudi më parë si nuk e pamë/ i vogli zog shpejt fluturoi/…
Këngët e saj janë si një shportë e bukur, aroma e tyre kundërmon lëndinat e shkelura dhe të pashkelura pafund. Tingujt e violinës së saj që s’e hoqi kurrë nga vehtja vijnë dhe ikin së largu dhe përsëri kthehen midis nesh. Ëndrra e saj në tokën e premtuar u pre në mes, por ajo përsëri mbetet Shtojzovalla e Diasporës, një kanarinë që s’pushon kurrë së kënduari. Në ditëlindjen e saj qielli në këtë natë blu ka marrë tjetër pamje, e tres vështrimin tepër lart dhe shoh se Hëna ka ndezur qirinjtë:
Hëna ndez qirinjtë
Në sytë e tu të bukur Anita,
Lexoj poemën që pikon si lot blu nga qielli,
Shkruar mbi violinën, që qëndron si flutur,
Dhe dëgjoj një simfoni të mahnitshme,
Që të ngroh si dielli.
Në qerpikët e tu si pentagram notash,
Që hapen dhe mbyllen si një harpë e bukur,
Është kodi i muzikës lidhur midis zemrash,
Është Sibora tënde që zbret duke u lutur…
Horizonti që hapet me një dritëz hyjnore,
Sjellë shenjëzat e qiellit si koncert vjenez,
Ulen spektatorët si në ndërrim motesh,
Dëgjojnë këngën e Mjellmës, veshur si princeshë.
Harlisen pemët dhe pse ngricë janari,
Nga zëri tënd degët gjelbërojnë,
Petalet e purpurta tokën e mbulojnë,
Do të kalosh Ti, a thjesht ne ëndërrojmë…
Por ti je shumë lart, lart mbi pegas hipur,
Në ditëlindjen tënde Hëna ndez qirinjtë,
Rreth tryezës së qiellit, yjet paska thirrur,
T’i urojnë Ditëlindjen, hyjneshës Anitë.
Janar, 2015




Burimi/Facebook


Leave a Reply