Pavarësia e Shqipërisë lindi midis një traume dhe dhimbjeje të madhe. Me 8 tetor 1912 nisi Lufta Ballkanike. Shtetet ballkanike e masakruan popullsinë civile shqiptare në një mënyrë të pashembullt e të padëgjuar.
Nga Andrijevica e Berana, nga Mitrovica e Shkupi, deri në Çamëri, na u pushkatuan burra. Pati fshatra të tërë ku ushtria hynte dhe pushkatonte burrat. Masakroheshin gra e fëmijë, shumë prej të cilëve u ngjitën maleve dhe u endën rrugëve ku vdiqën nga uria e nga sëmundjet. Ishin disa ushtri, kundër popullsisë civile shqiptare.
Vetëm në Shkodër nuk hyri asnjë ushtri. Atje ishte ushtria osmane e stacionuar por shkoi edhe Esad pashë Toptani si Komandant i Veriut në krye të 15 batalioneve me redifë shqiptarë. Ishin më shumë trupa shqiptare sesa osmane. Nga tetori në janar 1913 kur u vra Hasan Riza pasha, Shkodra mbrohej nga dy komandantë, Hasan Riza pasha dhe Esad pashë Toptani. Në 30 janar 1913 Hasan Riza vritet. Esad pasha e vazhdon mbrojtjen edhe 3 muaj, shkurt, mars, prill.
Në ata 3 muaj Esad pasha ishte Luani i Shkodrës nën rrethim. Ai ishte pinjoll i një prej oxhakëve të vjetër shqiptarë. Mbante gradën gjeneral-major i ushtrisë perandorake osmane. Kishte luftuar kundër Greqisë në 1897 duke i shkuar 40 milje afër Athinës.
Në Shkodër ishte rrethuar nga serbët dhe malazezët. Ata furnizoheshin me tokë e me det nga Rusia e Franca, ndërsa Esad pasha nuk furnizohej. Ushtria e tij në Bërdicë, brenda një nate i vrau ushtrisë serbe 1800 ushtarë. Ushtarët komandoheshin nga Damian Popoviq, eksponent kryesor i organizatës “Dora e Zezë”. Ditët e fundit të luftës ushtarët po vidisnin nga uria.
Me 26 mars 1913, Konferenca e Londrës mori vendim që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë. Megjithatë Esad pasha nuk u dorëzua. Ai e mbajti Shkodrën edhe 1 muaj më tepër (deri në 23 prill), derisa në brigjet e Adriatikut mbërriti flota angleze e komanduar nga admirali Bërnej dhe Shkodra mandej u mor nën administrim ndërkombëtar.
Esad pasha si politikan mund të gjykohet madje edhe të akuzohet, siç akuzohet çdo politikan. Mirëpo lufta nuk mund t’i mohohet. Aty ishte gjeneral-major e pasha shqiptar. Shkodra është medalja e tij vetjake, medalja e shpisë së Toptanit dhe e të gjithë shqiptarëve që luftuan me të. Askush në historinë kombëtare nuk ka qëndruar si ai, 183 ditë nën rrethimin e dy ushtrive.
Pater Gjergj Fishta e himnizon në poemën “Çohi t’dekun” ku shkruan:
“Mo le Toptan, qi me shpatë tanden binde
Nji shekull t’tanë n’at maje Taraboshi,
Shpaten prapë njesh e priju prap’ gjindve
Ndejun n’votër nuk spracet jo kondoshi,
Mblidh tosk’ e lab’ e sot për Shqypni
Lufto si ihere luftove, me trimni”.
Sot në përvjetorin e Pavarësisë është gjynah që të mohojmë apo të harrojmë luftën dhe gjakun e heronjve të luftës së Shkodrës.
Nga: Indrit Vokshi.
Burimi/Facebook


Leave a Reply