Marrë nga Associated Press
Të paktën 10 persona përfshirë dy fëmijë, u vranë dhe katër të tjerë u plagosën rëndë të mërkurën nga të shtënat me armë që pasuan një përleshje në një kafene në një qytet perëndimor të Malit të Zi.
Policia e identifikoi sulmuesin Aco Martinoviç 45 vjeçar. Ai vrau pronarin e kafenesë në qytetin e Cetinës, fëmijët e pronarit dhe pjesëtarë të familjes së tij, tha ministri i Brendshëm Danilo Sharanoviç në një konferencë shtypi.
Më vonë gjatë natës autoritetet thanë se sulmuesi vdiq nga pasojat e plagëve që pësoi gjatë një përpjekjeje për të vrarë veten, ndërsa policia dërgoi trupat e posaçme në kërkim të tij në Cetine, që shtrihet rreth 30 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit, Podgoricë.
Ministri Sharanoviç e përshkroi të dyshuarin si të rrezikshëm.
“Shkalla e brutalitetit tregon se ndonjëherë njerëz të tillë … janë edhe më të rrezikshëm se anëtarët e bandave të organizuara kriminale”, tha ai.
Sulmuesi Martinoviç ishte në kafene gjatë gjithë ditës me të ftuar të tjerë kur shpërtheu përleshja, tha komisionari i policisë Lazar Shçepanoviç. Ai tha se Martinoviçi më pas shkoi në shtëpi, mori një armë dhe hapi zjarr rreth orës 17:30.
Ai tha se i dyshuari ishte dënuar me kusht në vitin 2005 për sjellje të dhunshme dhe ka apeluar dënimin e fundit për armëmbajtje pa leje. Mediat malazeze raportuan se ai ishte i njohur për sjellje të çrregullta dhe të dhunshme.
Mali i Zi, vendi i vogël me rreth 620,000 banorë, është i njohur për kulturën e tij të armëve dhe shumë njerëz tradicionalisht bartin armë.
Sulmi i së mërkurës është i dyti në tre vitet e fundit në Cetine. Një sulmues vrau gjithashtu 10 persona, duke përfshirë dy fëmijë, në gusht të vitit 2022 para se të qëllohej dhe vritej nga një kalimtar në Cetinje.
Presidenti malazez Jakov Milatoviç tha se ishte “i tronditur dhe i shtangur” nga tragjedia. “Në vend të gëzimit të festës…ne jemi kapluar nga trishtimi për humbjen e jetëve të pafajshme,” tha Presidenti Milatoviç në platformën e mediave sociale X.
Kryeministri Milojko Spajiç shkoi në spitalin ku po trajtohen të plagosurit dhe shpalli tri ditë zie. Ai tha se “të gjitha ekipet e policisë” janë në kërkim të të dyshuarit.
“Kjo është një tragjedi e tmerrshme që na ka prekur të gjithëve”, tha Kryeministri Spajiç.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply