Hedhun në një kand afër dritoreje, venitej të kuqtë e nji framuri me shtizë. Përmbante mijra flamuj ajo odë e errtë. Vjershëtari i ri mendoi: “Mija agimesh epopeje të kuqe, fjetë në burgun e nji kohe të mugët”.
– A e shef si kam ra mbrenë? Tue mbajt shpres se nuk do të rrinte shtëpi pa e marrë ka nji, i porosita me turra. Por s’blen kërrkush. Më kanë mbet pa u shit flamujt. Mjaft pra ia kam ul çmimet!
Nji zemërim i hovshëm iu zgjue djaloshit përbrenda. Kërkoi me mend nji të shame që t’i përshtatet.
– Gjynah me mbet pa shit ky farë malli, – vazhdoi tregtari, dhe me dorën e djathtë rroku nji kind të pëlhurës së kuqe e ju afrue djaloshit tue ndukë. – Shih sa cohë e mirë!
Dy duer të ndyta tërbue n’epsh shtazarak. Befas e me rrëmbim vërtitës, djaloshi ia hoqi pëlhurën tregtarit. Ky zgërdhuci syt.
– Mos e prek me ato duer!
Me za që i dridhej prej zemërimit, tjetri ia kthei:
– Po zati, ti s’din veç me qit bejte. Jeto me përralla! Bjeru pas andrrave! Hajt, hajt qit bejte e dueje Shqipnin. Bejtet e Shqipnia kanë me të qit në dritë…
U afrua edhe më tepër e i pëshpëriti si një fishkullimë:
– U shitën a s’u shitën flamujt, qëndroi a nuk qëndroi Shqipnija, un kam mjaft shyqyr me jetue, a more vesh? E tash jashtë…
– Kadalë, – ia priti djaloshi egër e sytë i vetuen, – dal vetë s’ashtë nevoja me më qit ti. Por edhe një fjalë due me ta than, e të lutem vire vath në vesh, si atë këshillën që më dhe pak më parë. Ti thue se jeton, por rrehesh. Ti je shlye prej numrit të të gjallëve, qysh se je ndry në këtë dugajë mbush me mall. Ky asht vorri yt. E sa për Shqipni, po të siguroj unë që ka me qindrue. Prandaj mos ban merak se edhe flamujt kan me t’u shitë krejt. Por rueje shpirtin tand mos t’ia shitsh dreqit!
E Hilush Vilza doli lehtësue në zemër nga ai shfrim, me thith ajër të kulluet sepse era e asaj dugaje, i mirrte frymën.
Ernest Koliqi.
Burimi/Facebook/Monda Mara


Leave a Reply