Një paradite e veçantë kaloi sot në Universitetin e Arteve “në sallën e fakultetit tlë aktrimit, me prezantimin e librit tim të ri “BREZI I ARTË I AKTRIMIT”, me mbështetjen e Ministrit të Kulturës e botimin special e të përzgjedhur nga Qendra e Librit dhe Leximit, Toena. Me pjesëmarrjen e pedagogëve, studentëve e kuadrove artistike të kësaj shkolle të Lartë aktrimit. Pikërisht në kuadrin e 65 vjetorit të themelimit të kesaj shkolle, me 25 YJET E SKENËS DHE TË EKRANIT. Si pararojë e plejadës së vjetër, në një trashëgim të se resë kontemporane te aktrimit.
E hapi këtë ceremoni mbresëlënëse Dekani i këtij Fakulteti Z. MILTO KUTALI, në prezencën e rektorit Erald Bakalli, edhe me fjalën hyrëse të redaktorit, aktor –regjisorit e Mjeshtrit të Madh Mavlan Shanaj. Pasketaj dhe atmosferës krijuese e të një bisede të përzemërt me të pranishmit. Instituti Kulinar “Nerënxi” shtroi një banket të pasur. Kam kënaqësin e publikimit të përshëndetjes time, si me poshtë.
***
SOT në promovimin e librit tim, ku jam përpjekur të prekë pjesën kryesore të emocioneve të mia, kur si sot përsëri, 65 vite më parë u hap edhe kjo shkollë arti, që më pranoi edhe mua në bankat e studios së saj në vitin 1959, fillimisht si student, më pas si pedagog, gjersa të provoja si drejtues e studiues në dikasterin e atëhershëm të kulturës, ku më erdhi edhe goditja tronditëse e atij sistemi enverist, teksa vetëm për një shfaqje skenike, apo edhe për katër sentenca film mund të nxihej jeta e njeriut e të vdisje burgjeve. Dhe, ja ku jam përsëri e vijë në këto auditore, me një libër për ju e vetëm për ju, për aktorët tanë të rinj, që “vajtën në BOTË” me artin e tyre, më përpara se të vejë në Evropë vendi ynë i dashur e i rraskapitur,-habitshëm, si nga të parët vende të saj, që ia “merrnin frymën” të vetët e të tjerët që “erdhën e shkuan”!…Me një libër, ku flitet për shkëputjen nga e kaluara e ngritjen në qiellin e gjithësisë, nga plejada e talenteve të reja të kësaj shkolle dhe të këtyre YJEVE, jo se nuk ka të tjerë, po që kaq rastisa unë të shohë në qiellin e jetës sime të cunguar, kur isha shtrënguar të rendja pas turmës, në dhe të huaj, ku kishte ca liri më shume e frymëmarrje më të gjerë…
Disa prej tyre,si Bexhet Nelkun, Edi Luarasin, Serafin Fankon dhe Aishe Starin, i pata shok klase, disa të tjerë, si Timo Fllokon, MevlanShanaj, Niko Kanxherin, Fatos Selën e të ndjerin Lllazi Serbo, i pata studentët e mi, për të shtuar shokët e kolegët e viteve të pasme: Robert Ndrenikën, Bujar Lakon, Agim Qirjaqin, Vangjush Furxhiun, Roland Trebickën, Ndriçim Xhepën, Yllka Mujan, Luiza Xhuvanin, Rikard Ljarjan, Viktor Zhustin, Guljelm Radojën, Sheri Mitën, Shpëtim Shëmilin, Mirush Kabashin, Kastriot Çaushin e Nikolla Llambron. Në këtë përzgjedhje, e ndjejë veten tepër të varfër e nuk dua të fyej askënd, veç mënxyrrës që më largoi nga rrethi im i dashur i shokëve, kolegeve e studentëve të mi që sot mbushin teatrot e filmat me role e krijime të spikatura, që meritonin të radhiteshin po në librin në fjalë, si RISI KONTEMPORANE VLERASH, po që mase ka jete përsëri që të radhisim edhe shumë të tjerë, duke mos përjashtuar asnjërin që e meriton, se, nuk jemi të vetëm në këtë “start” të bukur shumë e nën këtë qiell që ndrin ca më tepër, ku yjet nuk numërohen dot kursesi….
Trishtuar, që më së shumti prej tyre, patën fatin e yjeve qiellor, teksa ndritën e u shuan shumë shpejt, pa i thënë të gjitha. Jo njëri, po 14 prej tyre, me në krye të parin që iku, Bexhet Nelkun 30 vjeçar e duke vazhduar me 50—60 vjeçarët Vangjush Furxhiu, Agim Qirjaqi, Bujar Lako, Llazi Serbo e Roland Trebicka. E me të tjerët, me fare pak vite me tepër. Aktorë që nuk e patën shpirtin në trup po “zjarrin në shpirt!”. Që patën fatin e kolosëve tanë të hershëm të aktrimit: të Aleksandër Moisiut e Naim Frashërit,-çuditërisht edhe me të njëjtin portret e temperament të zjarrtë, teksa Stefan Cvajku shihte i befasuar tek Moisiu temperamentin e një vendi të zjarrtë mesdhetar e Jutkeviçi i thoshte Naim Frashërit, se “ti do të vdesësh herët me këtë pasion shpirti prej zjarri”!. Po pra , se pa qenë prej zjarri “të ndezur” nuk mund te jesh aktor..
Ndërkohë që “yje” të tjerë lindin, rriten e shkëlqejnë. Dhe nuk habitemi më teksa shohim që përbri yllit të Hollivudit John Travolta, në filmin e Tarantinos “Fanatiku” interpreton aktoria e re shqiptare Ana Golja me banim në Kanada, si edhe dhe midis Travoltës e Morgan Ferman, dy aktorëve kryesor të regjisorit George GalIi është edhe aktori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Blrerim Destani, që në serialet greke të filmave, interpretojnë edhe aktorët shqiptarë Marsela Lena, Nikolla Llambro, Karafil Shena, Gjenovefa Rredhi, Laert Vasili, Vasil M. e disa të tjerë, që në shfaqjet e skenave e të filmave turq interpreton edhe një aktore me origjinë shqiptare si Melike Asli Kiljan, e cila ka arritur për të interpretuar me shumë sukses Medean e Euripidit. Jo rastësisht e mbyllë librin tim edhe me dy figurat emblematike: të Irena Papas e Bekim Fehmiut , jo thjeshtë në ekranizimin e filmit Homerik mbi Ulisin që “e mbajnë në këmbë” kryesisht këta të dy gjigandë të kinemasë botërore. Dhe që të dyve në interpetimin e tyre, tek Odiseu i kthyer në Itakë, u shkrepte në sy po ky “thëngjill zjarri” prej shqiptari të lindur! Pa e përmendur John Belushin flakërues. Për të mos u habitur më, që në Festivalin e Monte Karlos kurorëzohet si “aktoria më e mirë” Yllka Muja dhe në atë të New Yorkut, M Lena. Kjo e fundit , bile në rolin kompleks e tragjik të “Medeas” së kohëve të reja, që vjen nga ajo “LINDJE” që sot po shkrumbohet nga lufta mijëravjeçare!…Si një lajmëtare tragjike e botës që është ndezur nga flaka!
Letë pranojmë se kjo shkollë arti, ku jemi ulur, është konsoliduar nga përvoja e plejadës së të parëve tanë, që na “dhanë dorën e frymën”, me talentin e tyre, po edhe nga eksperienca e re e kësaj plejade të re që tërhoqi edhe vëmendjen time si studjues, po edhe si pedagog i mëvonshëm, me përpjekjet e përvojën time modeste….Si edhe e atyre regjisorëve të shkolluar në lindje e në perëndim, sikundër ishin: Sokrat Mio e Pandi Stillu, Andrea Malo e Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi e Piro Mani, Esat Oktrova e Drita Agolli…Duke radhitur pas tyre regjisorët e shkollës shqiptare: Serafin Fankon e Mario Ashikun, Adonis Filipin e Spiro Dunin, Milto Kutalin e Altin Bashën, Dhimitër Orgockën e Haxhi Ramën, Driada Dervishin, Alfred Trebickën, Rozi Ristanin, Ema Andrean e Elma Doresin, , si edhe me emra të tjerë që ngaherë e më tepër duken në posterat tona të teatrit, jo vetëm këtu, po edhe në Kosovë e në Maqedonin e Veriut. E të tjerë më të rinj akoma, që janë shpresa e së ardhmes dhe e pasurimit të “qiellit shqiptar “ të aktrimit…
Ju falenderojë për fjalët e mira e nderimin që më bëtë, duke ardhur gjer në këtë sallë të çmuar, ku mësova gjithçka shkrova në këtë libër modest…Mirënjohtës së pari, për Ministrin e Kulturës Bledi Gonxhaj, që më dëgjoi me një telefonatë që i bëra dhe më mbështeti , teksa 36 here të tjera më kishin “përcjellur”…Si edhe për profesorët e nderuar Josif Papagjoni e Përparim Kabon, për aktor-regjisorin Mevlan Shanaj, për piktore-poeten Irina Hysin edhe për korrektoren Mirela Mihali. Dhe se një libër i arirë dhe i dobishëm për të gjithë, nuk mund të lindë e të bëhet i vetëm e i degdisur nga hallet diku larg vendit tënd… Pa harruar, doemos, rektorin Bakalli e dekanin Kutali që rezervuan për ish studentin e pedagogun e tyre, edhe këtë sallë ligjërimi…Mirënjohje, o NJERËZ!
Miho Gjini. Tiranë, më 30 tetor 2024
IRINA Gallery Tirana Kopertina





Burimi/Facebook


Leave a Reply