1 shtatori 2024 hyri si zakonisht me rrjedhën e ditëve të fundit të verës. Por dielli lindi larg në horizont me rrezet e tij të arta. Sikur donte të më mbulonte me arin që i burote nga zemra e tij e florinjtë, edhe sikur ma dinte hallin që kisha shumë punë për të bërë. Krahas tërheqjes së librit nga shtëpia botuese, kisha dhe një dëshirë, ëndërr amanet nga të parët e mi. Kjo ndjesi që më lëvronte në shpirt, shpesh si një flutur në stomak, nuk më linte rehat aspak, por shpesh mendimi më mundonte se do ta realizoja apo jo? Por nganjëherë momenti dhe koha vetë bëjnë mrekullira.
Kështu, në këtë mëngjes të bukur gjysëm verorë e gjysëm vjeshtor, u nisa me bashkëshortin nga Durrësi për në Prishtinë. M’u duk vetja si dita e parë e shkollës. Isha e mbushur me emocione, se çdo realizim libri është si lindja e një fëmije. Nuk e di pse kjo autostradë po më dukej pa fund. Rrugës, në Skuraj, si zakonisht na priste redaktori i librit, profesor Hamdi Hysuka. Pasi u përshëndetëm, u ulëm për kafe te lokal “Malçi”. Pa humbur kohë u nisëm drejt Prishtinës. Muhabeti rreth problemeve dhe halleve të kombit bëri që rrugën mos ta ndjenim fare. Kjo kuptohet se kush më shumë se figurat intelektuale, poetët e shkrimtarët e ndjejnë këtë peshë si brenda edhe jashtë atdheut. Hallet e popullit të shumëvuajtur në shekuj të lenë pa gjumë, se kurrë nuk pa një ditë të bardhë. Por shpesh këtë boshllëk ma mbushte natyra e bukur e vëndit tim, duke më përkëdhelur syrin me lot që sodiste papushim dhe frymëmarrja më mekej dhe ajri më freskonte shpirtin.
Sipas orarit të lënë, u ndodhëm para derës së Shtëpisë Botuese “Lena Graphic”, ku na prisnin me buzëqeshje e krahë hapur drejtuesit e kësaj shtëpie lindjeje, ku pareshtur derdhen shkrimet në romane e poezi, esse e tregime historike të krijuesve tanë dhe më tej. Këta ishin të zotët, Hajdar Zejnullahu dhe bashkëshortja e tij, zonja fisnike, Nazlie M. Fejzullahu Në derë u paraqit dhe një burrë fisnik, një intelektual i rrallë, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. dr.Shyqri Galica. Ishte si zakonisht interesimi dhe preukupacioni i veçantë i tij, si për të gjithë anëtarët e Lidhjes, i palodhur gjithmonë.
Duke u përshëndetur, sinqerisht, mes këtij mjedisi kaq bujar, u ndjeva mes vëllezërve të mi të një gjaku, si një motër e martuar larg, shumë larg, që kisha kaluar shtatë male, shtatë lumenj e shtatë shtete dhe kisha ardhur për të shuar mallin. Malli për njerëzit e mi të mirë ishte i madh dhe i pashuar.
Libri me poezi “Shpirt i etur në mërgim” ishte gati. Biseda u ndez mes tringëllimave të gotave të rakisë, që u servirën nga e zonja e shtëpisë. Më pas i erdhi radha fotove. Sigurisht kujtimet në monente të caktuara kanë rëndësinë dhe janë importante plot vlerë. Duke qenë se unë kisha dhe një porosi ose më mirë një detyrë, do t’i dorëzoja prof. Shyqriut Antologjinë Poetike “Gocce di Memoria” në gjuhën italiane, me mirënjohjen dhe medaljen, vlerësuar nga “Ascoziacioni Culturale Poiesis” Onlus, Taranto, nga vetë presidenti i saj, Giovanni Monopoli ! Pas fotove, bisedës së ngrohtë e të sinqert, s’na mbetej gjë tjetër veçse të ndaheshim, duke u përshëndetur e falenderuar për korrektesën dhe cilësinë e arrirë të librit tim të radhës me poezi, “Shpirt i etur në mërgim”. Nga miqtë përcillemi me fjalën e zemrēs: “Urime dhe suksese, Trandafile Molla, dhe në libra tjerë”!
Por, të dashur lexues e miqtë e mi, ashtu si ju shkruajta në fillim, unë kisha dhe një dëshirë, një ëndërr amanet, që e ndjeja për detyrë, obligim dhe doja ta realizoja. Unë gruaja guximtare nuk merrja dot kurajon ta thoja, po pse thoni ju? Dhe kush ishte kjo dëshirë?
Mbi të gjitha, ishte e djelë. Miqtë dhe kolegët kishin lënë çdo punë e obligim të tyren për të më respektuar dhe qëndruar pak çaste me mua dhe familjen time. Ishte thyer dita e kishte hyrë mbasditja. Ndaj nuk doja të isha unë shkaktare për t’i penguar në punët e të dielës. Por gjatë rrugës në kthim mora guximin dhe i them prof. Shyqriut:
-A është larg nga Prishtina kulla dhe përmendorja e Azem Galicës? Sinqerisht nuk ma bënte zemra t’i thoja “A është larg varri i Azem Galicës?” Se për mua ky hero është i gjallë dhe tmerri i hasmit të popullit tim. Ai a do kishte mundësi të na shoqëronte, se e kam një dëshirë të madhe ta vizitoj… Pa mbaruar mirë fjalën, përgjigja ishte pozitive dhe e prerë:
-Po moj burrneshë, e kemi afër dhe asgjë nuk më pengon t’ju shoqëroj.
Dhe ashtu u bë. Nga Prishtina morëm rrugën drejt e në Galicë. Të më besoni, të nderuar miqtë e mi, porsi ai fëmija që realizon një lodër dhe pushtohet nga lunturia, në ato momente nuk kishte për mua lumturi më të madhe, sepse të shkoja të takoja një prijës të madh, i cili kombit dhe atdheut të tij i bëri nder. Do shkoja të njihesha me kullën e trimit ku heroizmi i tij nuk kishte të ndalur me trimëri të pashoqe. Do shikoja odat burrërore ku merreshin vendime dhe fjala e urtë e mençur do të konsolidohej me trimërinë. Do njihesha me një burrë të madh, ku në ushtrinë e tij kish bërë pjesë dhe vjerri im, babai i bashkëshortit tim dhe gjyshi i vajzave të mia, luftëtari Idriz Baja, ky një njeri i heshtur.,
Dhe pas një rruge të gjatë, mes gjelbërimit të bjeshkëve, arritëm para kështjellës së legjendës. Zbresim, por çuditërisht, pritemi me një bujari fisnike nga zotnia Hajzer Galica dhe vëllezërit e tij. Njëri prej tyre bëri rolin e ciceronit. Sinqerisht u ndjeva tepër e vogël para këtij burri të madh dhe heroizmit të tij të pashembullt, i cili luftoi jo vetëm për liri, por dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Kisha hyrë në meditim, kur befas dëgjoj zërin “O prite Azem Galicën more!” Oshëtima e plumbit dilte nga dritarja e kullës duke goditur spiunin e tradhëtarin përballë kodrës matanë. Për një moment u përmenda nga fjalët e ciceronit. Ashtu si gjarprin, plumbi i Azem Galicën tërhiqte spiunin e tradhëtarin e popullit, bashkëpunëtorët e shkàut deri në vdekje. Krahas babait të tyre, preheshin trupat e vajzës Nermine dhe të mbesës, vrarë e masakruar nga kriminelët e makinës shtetërore e barbare serbe, ndërsa në krahun tjetër ushtari Popova, që i shërbeu me trimëri prijësit të tij.
Më poshtë, në oborrin e shtëpisë, preheshin të qetë edhe 73 trupat e ushtarëve që luftuan me trimëri dhe i mbetën besnik udhëheqësit popullor, kauzës së drejtë për liri kundra varfërisë, shtypjes dhe mjerimit nga këmba e rëndë e hekurt serbo-sllave, që kërkuan dëbimin me dhunë për në Turqi të popullsisë shqiptare nga trojet e veta.
Nuk e di, sikur m’u bë të shikoja një ushtri luftëtarësh, ku krah Azemit ishte vetë Shota Galica. A thua vallë dëshira e saj është e duhet të jetë ashtu si në jetën e tyre plot përpjekje e beteja edhe sot krahë njëri-tjetrit, ajo që i mbeti besnike dashurisë saj, deri në pikën e fundit të gjakut dhe jetës së burrit trim e luftëtarit të paepur, legjendarit Azem Galica duke mbetur të pavdekshëm në histori dhe hynë furishëm në fletët e librit historik, në zemrat tona, në këngët popullore. Mbeten si eposet nëpër legjendat e popullit, Mujo e Halli, ashtu si Garibaldi i Italisë edhe pse kjo është një lëvizje çlirimtare popullore, që ka marrë përmasa legjendarësh, duke mbetur përjetë në legjendat historike të kombit shqiptar për të mos vdekur kurrë!
U përmenda nga ky meditim vetëm kur dëgjojmë zërin e të parëve të shtëpisë për një vizitë në shtëpinë e tyre përballë. Ashtu bëmë me bashkëshortin Ramazan Baja, profesor Hamdi Hysuka . Duke u prirur nga prof. Shyqri Galica dhe vëllazërit Galica, u nisëm drejt shtëpisë ku na u bë një pritje madhështore, bujare dhe shumë fisnike, sikur njiheshim prej kohësh dhe jo vetëm pak orë. Nuk e di se si kaluar orët. Zonjat e shtëpisë na ftuan për bukë, dhe pse sofra bujare ishte mbushur me të gjitha të mirat, plot e përplot nga duart e tyre. Por koha ishte. e ngushtuar. Do të merrnim përsëri rrugë të gjatë për në kthim. Bashkëshorti im Ramazani mori leje.
Përshëndetemi me këta njerëz të mrekullueshëm, me zemër të madhe, por në sytë e tyre kishin dashurinë për tokën, atdheun dhe Shqipërinë, që e ruanin në zemrat e ndezura flakë. Për ‘to nuk ka pjekje kushtesh dhe pritje kohe. Kur armiku sulmon, ato janë gati në çdo çast. Nuk i tremb asgjë dhe nuk tuten nga askush, duke mbrojtur çdo pëllëmbë tokë me jetën e tyre. Mësova shumë gjëra që nuk i dija. Dhe dashuria për tokën, për kombin dhe heronjtë e tokës time m’u shtua edhe më shumë, gjaku m’u ndez dhe vetëm premtova.
Intenerari ynë kishte kaluar limitin duke dërguar në destinazion kolegët që kishim me vete, dy figurat intelektuale, prof. dr. Shyqri Galica dhe prof. Hamdi Hysuka.
Ju faleminderit dhe ju jam mirënjohës! Respekt për ju gjithmonë miqtë tanë të mirë! Kjo ditë e parë e shtatorit 2024 mbeti për mua e diela magjike e jetës, që më mbushi shpirtin, më realizoi një dëshirë dhe ëndërr-amanet!
Trandafile Molla (Baja)




Burimi/Facebook


Leave a Reply