Sot është ditëlindja e ikonës së muzikës dhe këngës shqiptare Merita Halili, “Mjeshtre e Madhe” e cila falë zërit të saj të mrekullueshëm dhe buzëqeshjes së ëmbël në skenë dhe ekran, ka dhuruar emocione për vite e vite me radhë.
Në vazhdën e shkrimeve të mia të botuara për mbresat dhe ato mrekulli shqiptare që përjetova në SHBA, nuk kam si të lë pa publikuar edhe veprimtarinë e mrekullueshme të një çifti shqiptarësh, të cilët i bashkoi Zoti që me talentin e tyre të bëhen ambasadorë të vërtetë, si dy përfaqësues të një kombi.
Këtë çift të mrekullueshëm nuk e bashkoi thjeshtë dashuria për njëri-tjetrin, por edhe dashuria e madhe për artin shqiptar që, që nga ajo kohë, do të ishte edhe frymëzimi i jetës së tyre.
Një varg veprimtarish kombëtare me bashkëatdhetarët, me vëllezërit dhe miqt e një gjuhe, një gjaku dhe një kombi, me dëshirën që harta e përhapjes së vlerave artistike e kulturore të vijnë gjithnjë duke u shtuar, për të qenë të pranishëm kurdoherë në ambjentet shqipfolëse, Merita Halili dhe Raif Hyseni po i shtojnë fondit të artë të muzikës shqiptare vlera tepër të vyera në SHBA, duke i konsideruar shumë të rëndësishme dhe të nevojshme për bashkëatdhetarët e tyre.
Mendoj se është e arsyeshme që t’ju sjelli në vëmendje se, në fakultetin e muzikës së Universitetit Publik të Montclair-it në New Jersey, tani mund të studiohet muzika shqiptare. Me studentët amerikanë punojnë dy emra të njohur: Raif Hyseni dhe Merita Halili.
Ideja për të hapur këtë dritare në kulturën shqiptare ishte e z.Raif Hyseni, i cili edhe vetë ka mbaruar masterin pranë këtij universiteti.
Mendoj se ky çift duhet cilësuar si përfaqësues i denjë i kulturës së kombit tonë në SHBA. Me këtë përkushtim që kanë treguar kanë sjellë një institucion të rëndësishëm muzikor, i cili do t’i japë një dimension tjetër të rëndësishëm muzikës shqiptare. Mund të themi se të gjithë ndjehemi krenar, sepse ata përfaqësojnë kulturën e kombit tonë.
Mund të them se takimi me Merita Halilin dhe Raif Hysenin në Amerikë, pritja aq e ngrohtë dhe bujare e tyre, inicioi edhe bashkëbisedimin që mori formën e një interviste, në të cilën u përpoqa të evidentoj pasionin dhe kontributin e tyre prej kaq vitesh, në shërbim të artit dhe kulturës shqiptare në atë vend ku ngrihet madhështore “Statuja e Lirisë”, simboli i gjithë kombeve të botës.
Mendoj se veç një publikim, është shumë pak për të promovuar dhe treguar gjithë punën dhe krijimtarin mbi njëzet vjeçare të këtij çifti në SHBA, të cilët po e mbajnë të gjallë këngën e bukur shqipe për ta bërë kaq të bukur dhe të veçantë, të njohur përtej oqeanit, atje ku edhe kultura jonë ka rreth njëqind vjet që është pjesë e atij populli të madh.
Burimi/Facebook


Leave a Reply