Në SHBA sistemi i kujdesit shëndetsor është i vështirë për t’u kuptuar, veçanërisht për rreth 30 milion njerëz, që nuk kanë sigurime shëndetsore. Siç shpjegon Carla Babb e Zërit të Amerikës, pacientët e pasiguruar përballen jo vetëm me kosto të larta të kujdesit shëndetsor, por edhe me fatura mjeksore të vështira për t’u kuptuar dhe jo të njëjta për qëndrimet e tyre në spital.
Tatyana Schum ishte në shtëpi kur një dhimbje e thellë i përshkoi gjithë trupin.
“Një dhimbje e pabesueshme, që nuk e kisha ndjerë kurrë më parë”.
Dhimbja i ishte shkaktuar nga infeksioni në fshikëzën e tëmthit, që iu hoq urgjent me operacion.
Kjo procedurë 90 minutëshe u pasua me një faturë prej 18 mijë dollarësh.
“18 mijë dollarë duket pak si çmënduri, por ku ta dish”?
Dhe shumë njerëz nuk e dinë, thotë Dr. Gerard Anderson, Drejtor i Qendrës Johns Hopkins për menaxhimin e spitaleve.
“Nëse shkon në spital dhe do të dish sa do të paguash për një procedurë të caktuar apo për qëndrimin në spital për një ditë, ky informacion nuk të jepet sepse personelit të spitalit me ligj nuk i lejohet ta japë këtë informacion”.
“E kam të vështirë ta pranoj një gjë të tillë sepse të gjithëve do të na duhet të shtrohemi në spital”, thotë Tatyana Schum.
Lidhur me faturën e Tatyana Schum-it biseduam me zonjën Michelle Katz, infermjere dhe konsulente e kujdesit shëndetsor, e cila ka shkruar dy libra për uljen e kostos të spitaleve. Zonja Katz thotë se pacientët duhet të tregohen të kujdesshëm që të kapin gabimet në kodet e faturave.
“Këto gabime mund t’i krahasojmë me rastin kur shkruajmë në iPhone dhe ngatërrojmë gërmat. Kjo u ndodh shumë njerzve, por në mjekësi ndryshimi i një gërme mund të bëjë që fatura të ndryshojë nga 50 dollarë në 1 mijë dollarë”.
Po të shikosh pagesat për Tatyana Schum-in, operacioni në fshikëzën e tëmthit është një procedurë e thjeshtë, ose e nivelit 3, por ajo ka paguar për qëndrimin në spital në nivelin 4, që përfshin probleme më të ndërlikuara.
Zonja Katz thotë se disa herë pacientët paguajnë dyfish për shërbime nga spitalet.
Le të mos harrojmë edhe koston e lartë të ilaçeve dhe pajisjeve mjeksore. Fatura e spitalit për disa qese kripe ishte 60 dollarë, diçka që mund ta blesh në internet për më pak se 2 dollarë e gjysëm.
“Dhe nëse e kundërshton këtë faturë, se pse është kaq e lartë, ata të thonë se kjo është kostoja në spital”.
Tatyana Schum bisedoi me mjekët dhe personelin e spitalit për të ulur faturën. Ata ranë dakord ta ulnin atë nga 18 mijë në 10 mijë dollarë.
“Është për t’u habitur, megjithëse kjo shumë është më e përballueshme”.
Ata i dhanë Tatjanës edhe një program pagese që i përshtatet të ardhurave të saj. Ajo shpreson që spitalet të fillojnë të jenë më transparentë lidhur me koston e shërbimit në mënyrë që pacientët ta dinë se marrin kujdes të mirë me një kosto të arsyeshme.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply