Armand Mero
Sekretari britanik i Shtetit për Çështjet e Jashtme David Cameron vleresoi sot me tonë pozitive marëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe bashkëpunimin në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Në përfundim të takimit në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, u bë e ditur gatishmëria e Britanisë së madhe për të mbështetur financiarisht projektin e ndërtimit të hekurudhës Durrës Prishtinë. Ndryshe nga sa ishte parashikuar në axhendën e vizitës, kryediplomati britanik anulloi takimet e tjera për t’u kthyer me urgjencë në vendin e tij, pasi, siç u mësua më vonë, kryeministri Rishi Sunak, kishte thirrur një mbledhje të kabinetit qeveritar, në të cilën shpalli në mbrëmje datën për zgjedhjet e përgjithshme.
Çështja e migracionit të paligjshëm, ka dominuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe në dy vitet e fundit. Stigmatizimi i shqiptarëve që mbërrinin atje përmes varkave që niseshin nga Franca, çoi dhe në replika të forta mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe autoriteteve britanike. Një marrëveshje e firmosur mes palëve në vitin 2022, për rikthimin e migrantëve të paligjshëm shqiptarë dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, solli përmbysjen e situatës, aq sa sot Sekretari britanik për Çështjet e Jashtme, David Cameron, gjatë deklaratës për shtyp me kryeministrin Rama në Tiranë, foli për “një partneritet jashtëzakonisht pozitiv, dhe mendoj një shembull për t’u ndjekur dhe nga të tjerët, sepse në të gjithë Europën problemi i migracionit të parregullt është një problem me të cilin vendet përballen”.
Zoti Rama u shpreh po ashtu i kënaqur me rezultatet, duke shtuar se “operacioni ynë i përbashkët do të vazhdojë dhe gatishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do të jetë maksimale edhe në vazhdim, gjë që natyrisht lidhet edhe me vullnetin e përbashkët për t’i shkuar në rrënjë këtij fenomeni që pa diskutim ka të bëjë me rrjetet e krimit të organizuar”.
Gjatë deklaratës së tyre të përbashkët u bë e ditur përfshirja e Britanisë në projektin e hekurudhës që pritet të lidhë Shqipërinë me Kosovën. “Ky është një projekt që tejkalon thjesht dhe vetëm interesin e vetëm të dy vendeve tona dhe në të cilin Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interesin të përfshihet, qoftë me financimin, qoftë edhe me ekspertizën dhe unë i jam mirënjohës Sekretarit pasi është siç thashë, është një avokat shumë i rëndësishëm i yni në mbështetje të të gjitha proceseve transformuese të rajonit tonë”, u shpreh zoti Rama.
Situata në Ballkan ishte një tjetër temë e diskutimit mes palëve. Kryeministri shqiptar foli për një interes të shtuar të Britanisë për rajonin, ndërsa dhe zoti Cameron vuri theksin te rëndësia e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor për vetë Europën: “Unë kam një këndvështrim shumë të drejtëpërdrejtë dhe të thjeshtë. Kur Ballkani Perëndimor ia del mbanë, atëherë Europa ia del mbanë. Në rast se ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka probleme dhe në Europë, sepse në fakt është në interesin tonë të përbashkët, jo vetëm për shkak të afrimitetit me rajonin dhe qytetatarët, që të ndihmojmë në procesin e paqtimit, rritjes ekonomike, dhe të mirëkuptimit”.
Dy takimet e tjera të kryediplomatit britanik, me ministrin e Jashtëm Igli Hasani dhe Presidentin Bajram Begaj u anulluan , për shkak të rikthimit të shpejtë të zotit Cameron në vendin e tij.
Në mbrëmje, zoti Begaj, bëri të ditur përmes një statusi në rrjetin social X, se kishte patur një bisedë telefonike me zotin Cameron. “Ne diskutuam për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona si aleatë të vjetër të NATO-s”, shkruajti presidenti Begaj ndërsa shprehur mirënjhojen për “mbështetjen e fuqishme të Mbretërisë së Bashkuar në mbrojtje, siguri kibernetike, polici dhe reformën gjyqësore, krahas përpjekjeve tona të përbashkëta për të luftuar krimin dhe korrupsionin”. Ai shkruajti gjithashtu se vlerësonte në mënyrë të posaçme rritjen e trupave britanike si pjesë e KFOR-it në Kosovë.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply