Sot, Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, pas një diskutimi të gjerë, të hapur dhe me përgjegjësi të lartë, votoi në masë dërrmuese pro propozimit për themelimin e një partie të re politike.
Mbledhja u hap nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Sandër Marku, i cili falënderoi mbi 85% të anëtarëve për pjesëmarrjen dhe parashtroi shkurtimisht situatën, duke i dhënë mundësi çdo anëtari të shprehte mendimin e tij për këtë hap të rëndësishëm.
Më pas, fjalën e mori Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës, z. Dedë Bajraktari, i cili, me përgjegjësi të plotë, evidentoi padrejtësitë e vazhdueshme ndaj të përndjekurve politikë dhe bëri thirrje për bashkim rreth kësaj nisme, pavarësisht vonesës së saj.
Pjesëmarrja u evidentua emër për emër nga nën kryetari z.Gjelosh Progni i cili mori firmat e pjesëmarrësve dhe mbajti protokollin për gjithë aktivitetin që zgjati disa orë.
Në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës, parashtrova arsyet themelore se përse ky hap është bërë i domosdoshëm. Theksova se nuk bëhet fjalë për krijimin e një partie që tu shërbejë vetëm interesave të ish-të përndjekurve politikë, por për një projekt politik që të përfaqësojë edhe të gjitha shtresat e margjinalizuara dhe qytetarët që, në këto 36 vite, nuk kanë gjetur drejtësi, dinjitet dhe mundësi të barabarta.
Fola edhe nga përvoja ime personale. Kam kaluar ferrin e përndjekjes, kam përjetuar arratisjen me varkë së bashku me familjarët dhe, pas shumë vështirësive, kam ndërtuar jetën time në Perëndim, në Australinë e largët. Sot, megjithëse ekonomikisht jam mirë, jam kthyer për të dhënë kontributin tim, sado modest, në shërbim të kësaj shtrese që ende pret drejtësi. Nuk kam asnjë interes personal. Kam vetëm një detyrim moral ndaj njerëzve të mi dhe ndaj historisë së familjeve që sakrifikuan gjithçka për Shqipërinë.
Është e papranueshme që pas 36 vitesh të kemi ende rreth 6000 të pushkatuar pa varre, mbi 17 mijë të dënuar që nuk kanë marrë dëmshpërblimet që u takojnë, familje të internuara e të dëbuara pa rehabilitimin e merituar dhe prona të grabitura që ende presin drejtësi.
Padrejtësia nuk përfundoi me ndërrimin e sistemit. Edhe fëmijët e të përndjekurve u përballën me përjashtimin dhe mungesën e meritokracisë. Në vend që të kishin mundësi të barabarta për të kontribuar në administrimin e vendit, shpesh u ruajtën privilegjet e familjeve të nomenklaturës së vjetër.
Gjatë diskutimit, nënkryetari Arben Dosti shprehu mbështetjen për formimin e partisë, ndërsa nënkryetarja Silvana Dega ngriti rezerva konkrete, veçanërisht për mungesën e financave dhe mundësitë e shtrirjes së aktivitetit politik.
Fjalën e morën edhe anëtar të kryesisë, si Bujar Vreto, i cili shtjelloi gjerësisht situatën e padrejtësive historike dhe aktuale, duke argumentuar domosdoshmërinë e këtij projekti dhe duke bërë thirrje për votimin e tij. Por dhe Zeneli, Gjeka që bashkoheshin me gjithë padrejtësitë madje Zeneli shkoj edhe më tej duke hedhur kritika pse nuk përmendëm me emër konkret që shkatërrimi i të djathtës ka ardhur nga Berisha. Por shprehën edhe skepticizmin për krijimin e partisë sepse mendonin për mungesën e financave dhe se ka parti të djathta të tjera, pra a do mund ta përballojmë.
Në vijim folën edhe anëtarë të tjerë të kryesisë, kryetarët e degëve nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, si dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar. Diskutimet dëshmuan përgjegjësi dhe përfshirje, me mbështetje të gjerë për hedhjen e këtij hapi. Edhe miqtë që shprehën rezerva për financimin, statutin dhe mënyrën e organizimit u dëgjuan me vëmendje, ndërsa këto çështje iu lanë kryesisë për ti trajtuar dhe përgatitur në vijim.
Në përfundim, propozimi im u hodh në votim dhe Këshilli Kombëtar e miratoi në masë dërrmuese themelimin e një partie të re politike.
ÇFARË DUAM TË NDËRTOJMË?
Jo një parti nostalgjie, hakmarrjeje apo riciklimi të politikës së vjetër. Synimi është një projekt me vokacion të qartë të djathtë, mbi parimet e demokracisë liberale, pronës private, ekonomisë së tregut, meritokracisë, shtetit ligjor dhe orientimit të palëkundur euroatlantik.
Një projekt që do të angazhohet për:
– DREJTËSI HISTORIKE: zbardhjen e krimeve të komunizmit, rehabilitimin e plotë të viktimave dhe familjeve të tyre.
– PRONË DHE KOMPENSIM: zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës dhe rikthimin ose kompensimin e drejtë të pronarëve.
– MERITOKRACI: fundin e nepotizmit, klientelizmit dhe privilegjeve politike; mundësi të barabarta për çdo qytetar.
– EKONOMI TREGU: mbrojtjen e pronës private, sipërmarrjes, konkurrencës dhe iniciativës së lirë.
– SHTET LIGJOR: institucione të pavarura, barazi përpara ligjit dhe luftë kundër korrupsionit.
– REPUBLIKË QYTETARËSH: institucione në shërbim të qytetarëve, decentralizim real dhe përgjegjshmëri politike.
– BREZIN E RI: mundësi të barabarta për të rinjtë, pa dallime, mbi bazën e dijes, aftësisë dhe meritës.
Kjo nismë nuk synon të kufizohet vetëm te ish-të përndjekurit politikë. Ajo synon të hapë dyert për të gjitha shtresat e margjinalizuara, profesionistët, intelektualët, sipërmarrësit dhe qytetarët që kërkojnë një alternativë të re politike.
Njëkohësisht, Shoqata e të Përndjekurve Politikë do të ruajë identitetin, pavarësinë dhe strukturat e saj ekzistuese. Misioni historik i saj nuk do të cenohet dhe as do të shkrihet në strukturat e partisë.
Sot u mor një vendim themelor. Tani fillon puna për programin, statutin, organizimin dhe ndërtimin e strukturave të këtij projekti.
36 vite pritje janë shumë! Por drejtësia nuk ka afat skadence dhe dinjiteti nuk është privilegj që ta jep politika. Është e drejtë që i takon çdo qytetari!
Sot nuk vendosëm vetëm të themelojmë një parti. Vendosëm të hapim një kapitull të ri për përfaqësimin, përgjegjësinë dhe të ardhmen politike të Shqipërisë.
SHKRESA E SË SHKUARËS NUK DUHET TË NA PENGOJË TË NDËRTOJMË TË ARDHMEN!
Ethem Fezollari.
Burimi/Facebook/Shoqata Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve Politik Demokrate të Shqipërisë


Leave a Reply