– Ty të mjafton nji shikim i hedhun prej lindjes në perëndim, e gjithçka nis e mbinë, dhe prore nji shikim tjetër prej perëndimit shkon drejt lindjes, e çelin lulet. Pa këto shikime, gjithçka do të ishte ndalë, po ti nuk ndalesh. Kush mundet … me të ndalë..?! –
Albri BRAHUSHA
Çdo ditë e ndiej mungesën e Albrit. Heshtjen, dhimbjen dhe nderimin për të; dita ia përcjellë ditës… Nuk e di, pse vetiu më sillet në mendje kjo pyetje: “A u kuptua apo s’u kuptua njerëzorja, hyjnorja, filozofia dhe kultura e shkrimtarit të talentuar Albri Brahusha?” Koha dhe studimet, besoj, se një ditë (do të jetë fatlume për Albrin, sigurisht edhe për ne) do t’i qasen sadopak shpirtit dhe botës që ndërtoi, edhe pse në të shumtën e rasteve në lavdinë e heshtjes.
Albri, i kishte vënë vetes dhe një angazhin, më mirë të themi u bë misionar i këtij udhëtimi, ndonëse realiteti aktual nuk e favorizonte dhe aq: – Të botonte revistën letrare G&cG. E botoi me dinjitet, kompetencë dhe vlera. U botuan pesë numra dinjitozë të kësaj reviste. U bë gati numri i 6-të, nga ana e tij; por s’e pa… Miqtë e vërtetë të tij, me një zell, mall, konsideratë dhe respekt i dhanë dritën e botimit kësaj reviste të dritshme e njëkohësisht të vetmuar. Po të vëresh me kujdes udhëtimin e kësaj reviste, është e pamundur të mos vëresh disa tipare të saj që manifestoi ajo nga njëri numër në tjetrin, si: – zgjedhja me kujdes e cilësor të materialit letrar, që unë do ta quaja letërsi e mirë për modelin e së cilës kemi aq nevojë; – përkthimet letrare e filozofike nga arkivat e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë; – afrimi dhe prezantimi i talenteve të reja; – intervistat dhe bashkëbisedimet; – prania më shumë se kurrë e botës dhe magjisë së gegnishtes., etj., etj.
Në numrin 6 (dimër, shkurt, 2024), në mes krijimeve është edhe një cikël e proza që mbajnë firmën e krijuesit Albri Brahusha. Poezia përfaqësohet me këta tituj: “Ra”, Dëshmia e hanës”, “Nocturne”, “Gjumë t’ambël”, “Pikë”, “Nudo”, “Ashkadon”, “Mirazh”, “Koha”. Ndërsa proza përfaqësohet me këta tituj: “Pus”, “Mure dhe yje”, “Prani”, “Askush nuk të sheh kur loton me shiun e ftohtë të Dhjetorit”, “Alkimia e lotëve”, “Eklips”, “Askush tjetër”, “Maragjyli”, “Ditë dimri”, “Mirazh i plotë”.
Nga pikëpamja formale dhe ajo e komunikimit me tekstet, vihet re një prirje e Albrit, ku titujt e krijimeve dhe shpesh fraza i besohet fjalisë një kryegjymtyrëshe. Kjo veçori ka të bëjë sintezën dhe sintetiken e stilit dhe të rrëfimit në origjinalitetit të tij poetik: pak fjalë, e urtësi shumë.
SHPIRTI POETIK I ALBRIT
Poezia e Albrit ruan një kod etik dhe estetik, me përveçësitë individuale të personalitetit si krijues. Ajo ka prirje drejt fraktura tingëlluese e krahasimtare poetike, zbulesa të magjishme (reale apo ëndërrimtare), të befasimeve ku janë të pranishme njerëzorja si dukuri jete e hyjnorja si besim jete. Ajo, gjithashtu, ka prirje drejt një shpirti (konkret – shpirtëzim – apo abstrakt) që dëshiron dhe dashuron peizazhet e dhuntive natore me këndvështrime (shpesh, duke shfrytëzuar aliteracionin dhe reflektimin poetik) për të shkuar e vendqëndruar tek përcjellja e efekteve imagjinative që ndërtojnë këto raporte, si: shi – blerim, natë – yje – ëndërr, qiell – heshtje – gjumë, gur – mur – mjegull… etj. Poezia e Albrit me finesën poetike “lexohet” në shumë rrafshe, ku konkretja mbështillet me formalen e, ku në rrjedhën e ngjyrave “shëtit” shpirti i njeriut mes kohës, mirazhit, buzëqeshjes e lumturisë…
Në këtë cikël poetik me rrëzellitje të një spektri të gjerë ndjesish të ylberta, poetikisht, si gjithnjë rri “i fshehur” Albri me rrëfimet ngjyrore sa konkrete aq mistike si një “dëshmi hane”, ku “njeriu… zgjohet nga nji andërr” apo “njeriu… andërron të zgjohet”. E, në këtë marrëdhënie, poeti Albri Brahusha beson jo tek hija, por tek drita, sepse dritës ia fali shpirtin!
PROZA SHPIRTËRORE E ALBRIT
Rrëfimi shpirtëror në prozat poetike dhe etydet e Albrit është i dukshëm dhe i tejdukshëm, i najlontë dhe farfuritës. Poetika e prozës së tij mbart gjurmë të dukshme të poezisë. Nuk e di sa “tapi” ka njëra ndaj tjetrës dhe anasjelltas, por di që bashkëjetojnë në një kopsht dashurie, bashkëudhëtojnë drejt hapësirave mistike, me burim që vjen nga zemra, me dëshira e ëndrra dhe besim njerëzor. Në prozën e tij Albri ka një përkujdesje, ku fryn era e mallit dhe e shpirtit. Një delikatesë puplore, erëkëndshme e magjepsëse.
Rrëfimi është vetjak edhe atëherë kur dialogon: “Anipse zemra më theret në gjak, due me ndi qeshjen tande kur gurgullon prej gjoksit e shpirtin ma qetëson” apo “I njoh këta sy, janë perla që nisen prej shpirtit tand me u përkundë në djepin e kohëve, aty ku nata dhe dita ecin përdore, krejt para meje në shtegun e ambël të lumnisë”.
Në rrëfimin shpirtëror të Albrit pikturohen kujdesshëm realitete dashurie, shfaqen si gjurmë të pashlyera këto shenja, si: një shelg vajtues, shiu i heshtjes, trillet tokësore, stina e dritës, maragjyli në supin prej malli, hija e dimrit, tamli i pranverës, … etj.
Në rrëfimin tënd Albri fjala jote ka një pajë të kushtueshme; për këtë arsye është e çmueshme. Këtë çmueshmëri na e dhurove me dritën e shpirtit përmes kulturës tënde të gjerë.
Më kujtohet shumëçka prej krijimtarisë tënde. Më kujtohen edhe qëndismat e këtyre rreshtave që i thure dinjitetshëm: “… s’ka magji që e mban diellin në zinxhirë, qoftë edhe të ambël, sepse detyra e tij asht me ndriçue në përulësi, çdo cep të jetës, tue i dhanë frymë kohës e tue ringjallë vdekjen…”
Shkodër, 05.05.2024 ( Xhahid BUSHATI )
Burimi/Facebook/Xhahid Bushati


Leave a Reply