Nga Gjon Marku
tregim
Gjergji hodhi edhe një herë vështrimin aty ku shkruhej se ishte varrosur ai, në mesin e sallës kryesore të cilën e ndante me dhomën e tij një fille e vetme muri. Dy dritare të vogla si frëngji lejonin aparaturat filmike që prej shiritit t’i jepnin publikut filmat e regjistruar në të.
Pikërish, aty ku ai kishte vënë tani krevatin, kishte qenë dikur vendi i meshës, mendoi dhe shpejt e mbylli dritaren e vogël. Rreth e rreth ndërtesës, varre. Në krye të tyre një pemë e madhe dhe e vjetër ndoshta sa vetë kisha. Brenda saj në dysheme varrosur prifti i nderuar Dom Pali.
Kishte lexuar për të në një dokument të gjetur poshtë shkallëve të kishës, aty ku kishte gjetur edhe shtatoren e Shna Premtes. Që nga ai moment nuk kishte dashur më të flinte atje, po nuk kishte mundur të gjente një zgjidhje tjetër. Dy netë kishte fjetur në familje të ndryshme, sidomos pas kthimit nga varrosja e të ëmës, e cila e kishte tronditur pa masë. Kishte mjaftuar ajo mbasdite e gjatë pas pune që dyshemeja e dhomës të mbushej gjithë bishta cigaresh.
Shiu nuk kishte pushuar asnjë copë herë dhe ai nuk kishte mundur të lëvizte edhe pse nuk donte të flinte vetëm. Po ku të vente, ai vinte nga qyteti dhe pothuajse të gjithë aty ishin vendas e flinin nëpër shtëpitë e tyre. Vetëm ai vinte nga larg.
Jashtë shiu vazhdonte. Deshi një herë të dilte e të shkonte në shtëpinë e njërit prej mësuesve të shkollës së mesme, por shtëpia e tij ishte disi larg. Kur mendoi se rreth e qark qendrës kulturore gjendeshin varre, trupi iu rrënqeth. Mori një copë hekuri dhe ia vuri derës së jashtme si të ruhej mos ndonjëri prej tyre mund të vinte natën e t’i futej në krevat. Ndërsa dritareve të vogla iu vuri gozhdat, i mbylli mirë e mirë dhe ashtu trazueshëm u ul të flinte.
Statujën e Pajtores së kishës, Shna Premtes, ai vetë e kishte gjetur të fshehur nën shkallë, e kishte pastruar me kujdes dhe më pas e kishte vënë në një cep të dhomës së tij mbështjellë me një thes të bardhë bezeje. As vetë s’e kishte kuptuar se si kishte mundur të shpëtonte ajo së bashku me atë tufë librash e shënimesh të vjetra në mes të të cilëve ai kishte lexuar edhe mbi jetën e Dom Palit, e aq më tepër mbi historinë e asaj kishe.
Ajo kishë e vjetër mes malesh ishte kontrolluar patjetër si gjithë të tjerat. Mbase ata që kishin bërë kontrollin nuk kishin qenë aq të vëmendshëm, pasi aty kishin mbetur pa u zbuluar shumë gjëra të fshehura. Po aty ai kishte gjetur edhe dokumentin ku shkruhej data dhe ora e varrosjes së Dom Palit në truallin e kishës, që tashmë ishte kthyer në qendër kulturore e zonës së thellë. Leximi i atij dokumenti e kishte tronditur. Ai gjithsesi flinte rrethuar prej të vdekurish, por kur kishte marrë vesh se brenda ndërtesës gjendej një varr, ishte trazuar së tepërmi. Ai flinte me një të vdekur.
Vetë Dom Pali mbase për së gjalli nuk kishte fjetur asnjë herë në kishë. Pak metra më tej gjendej rezidenca e tij e s’kishte pasur nevojë të flinte aty. Kishte pritur, përcjellë dhe banuar atje, ndërsa në kishë vinte vetëm për punët e fesë. Po pse të mos kishte edhe për Gjergjin një dhomë atje në ish rezidencën e Dom Palit, e Gjergji të vinte këtu vetëm për punët e kulturës. Por, rezidenca e moçme tashmë ishte kthyer në zyra administrate. Kështu që ndërtesa e vjetër kishte brenda veç ata të dy, njëri gjallë e tjetri vdekur, krejt si në legjendë. Por ata s’i afroheshin dot njëri tjetrit, ai rrinte atje në mesin e kishës, ndërsa Gjergji punonte, hante e pinte, flinte larg tij vetëm disa metra.
Ai tjetri jashtë kishte adhuruesit e tij, kishte ata që e kishin dëgjuar të jepte meshë me dhjetra herë. Mbase tani Dom Pali grigjën e tij e kishte ndarë më dysh, disa i kishte dërguar në ferr, sepse për së gjalli s’e kishin dëgjuar e kishin lënë udhën e Zotit, e disa të tjerë në parajsë. Të miturit i kishte kthyer në engjëj e i kishte dërguar lart në qiell.
U ngrit ngadalë dhe diku në raft gjeti një kuti ilaçesh, prej andej nxori një qese të vogël prej të cilës piu jo një, por tri kokrra të vogla. Ndezi edhe një cigare dhe pastaj u shtri përsëri.
Ora pothuajse kishte kaluar dy pas mesnate. I lodhur sa nuk thuhet, i tronditur sidomos nga vdekja e të ëmës, pastaj me merakun se do të flinte aty vetëm pa askënd tjetër veç Dom Palit, nën efektin e valiumit e zuri gjumi.
Jashtë shiu vazhdonte të binte me kokrra të mëdha. Shkrepëtimat e rrufeve trandnin dheun. U end në një ëndërr të keqe.
Dy dritaret frëngji të sallës së kinooperatorit u hapën njëherësh. Salla kryesore e Qendrës Kulturore u ndriçua si prej prozhektorëve të fuqishëm. Pastaj ndërtesa filloi të dridhej e tëra. Në mes të saj u hapën kanatat e një dere të madhe prej nga ku Gjergji mundi të shohë një kuvend të madh rreth e rreth pemës së vjetër, ku burrat nuk ishin ulur sipas moshës, por në një mënyrë që ai nuk mundi ta kuptojë. Dom Pali veshur me veladonin e tij e kaloi derën e cila menjëherë u mbyll dhe filloi të ecë në këmbë nëpër kishën e vjetër. Vështroi nëpër të katër anët e Qendrës Kulturore stendat. Bëri pastaj disa herë kryq dhe u drejtua drejt lterit. E afroi kokën aty tek dritarja e vogël frëngji dhe me një tronditje të dukshme nisi të pyesë Gjergjin.
-Po ju, – zëri i tij ishte i trashë a thua se po dilte prej zemrës së tokës, -mos jeni prifti i ri ?!
Gjergji heshti.
-Dëgjo biri im! Jo mirë! Aspak mirë! Ju nuk keni pse të flini këtu kur qela ja tek është. Çka ndodhur? Pse e keni sakatuar kështu kishën e vjetër? Ç’janë këto gjera që keni vënë në lter? Po këmbanën e vjetër ku e keni çuar biri im? Atë e kemi blerë përtej detit në Udine, e ju e keni hequr prej kishës!
-Dom Pal, këtu nuk është më kishë. Këtu, si të të them, ne bëjmë të tjera gjëra. Këtu tani është Qendra e Kulturës, ne këtu vijmë çdo natë, mblidhemi të gjithë.
-Po pse çdo natë biri im! Mesha jepet paradite, ç’doni natën?!
-Ne këtu nuk bëjmë meshë Dom Prend. Këtu bëjmë mbrëmje, bëjmë festivale, bëjmë kulturë masive.
-Kulturë bir, kemi bërë të gjithë. Ata që e ndërtuan këtë kishë, ata që gdhendën qoshet e saj, gurët e çdo cepi, ata që vunë ikonat e vjetra, ne që e restauruam. Të gjithë hodhëm nëpër libra historinë e të parëve. Por jo kështu?
-Ku i keni çuar ikonat biri im?
-Dom Pal, – ndërhyri sërish Gjergji, – këtu nuk është kishë.
-Përse biri im, ku e keni bërë kishën, kjo ka tash njëmijë vjet kishë, përse e keni ndryshuar? Ç’janë këto tabela? Ku e keni kryqin biri im? Ku e keni veledonin? Pse jeni veshur kështu? Ku janë ikonat, përse këmbanën e keni varur në atë kumbull të thatë?
– Dom… këtu është Qendra Kulturore.
– Ç’qendër kulturore, i bekuar!!! Shtatoren e keni rrëzuar përtokë… e keni futur në thes? – zëri i Dom Palit kumbonte i ashpër e urdhërues.
– Unë jam drejtori i saj, këto janë aparaturat filmike dhe ato tabela janë këndet e veprimtarive.
Këto fjalë Dom Palit i ranë si bombë, ai u bë tjetër njeri. Kishte nisur të vërtitej nëpër kishë. Veladoni i tij hapej si një parashutë. Edhe dera e madhe ishte hapur e tëra. Ashtu si duke fluturuar kishte kaluar varr më varr duke thirrur: ngrehuni, ngrehuni… Pastaj njëri pas tjetrit ishin ngritur të gjithë ata veshur me veladonë të bardhë, e kishin mbushur plot kishën e vjetër por ajo nuk i kishte zënë as gjysmën e tyre, kështu që sheshi përpara kishës ishte mbushur plot. Pema e vjetër shekullore sikur ishte stërzgjatur.
Të gjithë kërkonin që ai të largohej prej aty bashkë me filmat e tij.
Kodrave rreth e rreth vraponin të rinjtë e fshatit të cilët kërkonin që ai të mos dilte. Aty tashmë ishte vendi i tyre. Aty do të bënin mbrëmjet e tyre të vallëzimit.
Moria e qënieve të sapongritura nga ajo copë tokë afër kishës, me kryqe në duar zuri vend dhe nuk lëshonte asnjë grimë; të rinjtë e fshatit vinin grupe – grupe dhe kërkonin zhvillimin e mbrëmjes së radhës.
Dom Pali në krye të tyre urdhëronte lirimin e kishës së vjetër.
Gjergji në krye të të rinjve të fshatit nuk dinte se ç’të bënte. Po i merrej fryma.
Fantazma e priftit vente e vinte sërish nëpër kishë pastaj me një kryq të madh në dorë u nis drejt tij.
Shtatorja e lënë përdhe sikur u drodh. Dom Pali u ul në gjunjë përpara saj dhe nisi të bëjë kryq.
Një shkreptimë e fortë rrufeje bëri që Gjergji të brofte në këmbë. Dritat ishin shuar e ai e pati të vështirë të orientohej për pak sekonda. – Dom Pal, Dom Pal, – kishte mërmëritur pa e kuptuar as vetë. Pastaj kishte mbledhur veten, ishte ngritur dhe në tavolinë kishte kërkuar shkrepsen. Kishte ndezur një kunj, pastaj një tjetër. Po zbardhte dita.
Burimi/Facebook/Nga profili i Autorit


Leave a Reply