Më poshtë vijon eseja të cilën vlerësoi “Shoqata e Profesionistëve të Praktikave Filozofike” në Itali.
BARIU DHE KOHA
(Ose njeriu i kthyer në Shpellën e Platonit)
Një bari, teksa nxitonte të zbriste nga mali ku jetonte, drejt kryeqytetit të mbretërisë, hodhi i shkujdesur kërrabën e tij, që u fut në një çarje të shkëmbit, nga i cili rridhte ujë i pijshëm për të gjithë vendin. Në fushë, përballë pallatit luksoz të mbretit, ai pa njerëzit të mbledhur në alarm të madh, nga mungesa e ujit. E kuptoi menjëherë se kërraba e tij e kishte shkaktuar thatësirën.
I shtrënguar nga rrethanat, mbreti dërgoi lajmëtarë edhe në fshatrat më të largëta të shtetit, duke njoftuar se kushdo që të sillte ujin përsëri, do t’i jepte për grua vajzën e tij të vetme. Kështu bariu, duke u kthyer përsëri në mal, hoqi shkopin nga shkëmbi, duke i krijuar vetes mundësinë për t’u martuar me princeshën.
Ai ishte një njeri i veçantë. Ndoshta, në mënyrë të padukshme, në pavetëdijen e tij të thellë, në një fushë të bukur të lulëzuar, ende luante shpirti i pavdekshëm i barinjve të maleve të famshme poetike të Arkadisë. Bariu, pasi u pasurua, kërkoi të studionte në shkollat më të mira në botë. Më pas, i shtyrë nga një dëshirë e madhe, e cila pothuajse u shndërrua në një obsesion të vërtetë, filloi të përhapte gjithnjë e më shumë njohuritë e marra nga evropianët e ditur.
Ndonëse ishin ide të reja, oborrtarët, këshilltarët, filozofët, profesorët dhe akademikët e mbretërisë e shikonin me dyshim. Edhe mbreti nuk donte ta dëgjonte. Ish-bariu fliste për vlerat njerëzore në dritën e një të vërtete përherë në lëvizje, për kuptimin e thellë të jetës, rilindjen e shpirtit, vetëdijen historike, domethënë për disa gjëra të padëgjuara kurrë më parë, në atë lloj Mbretërie rezistente ndaj çdo ndryshimi. Askush tregonte kujdes ndaj këtyre temave, ndonëse ato kanë një vlerë mjaft të madhe, për të mundur të transformojnë gjithë botën.
Oborrtarët dhe gjithë të tjerët nuk mund të besonin se një njeri i vetëm mund të tërhiqte shumicën nga hunda. Askush e kundërshtonte, përveçse ndonjë molusku të përgjumur. Ata më dinakët e mbretërisë nuk ishin aq budallenj sa të mos e kuptonin se njohuritë e tyre fosile, anakronike, nuk mund të kundërshtonin kurrsesi gjigantët më të shquar të mendimit të të gjitha kohërave të njerëzimit.
Pikërisht për shkak të njohurive të thella, të bazuara në Logos dhe në modelet më të shquara humane, fati i shoqërive në vendet ku perëndon dielli kishte ndryshuar. Në mënyrë të përngjashme, qytetarët e Mbretërisë do të mund të shpëtonin nga skllavëria, vëllavrasja shekullore, do të fitonin lirinë e brendshme, qëllimin për një cilësi më të mirë jete dhe mjaft gjëra të tjera me vlerë. Ishin njohuri për të cilat oborrtarët nuk kishin idenë dhe, në të njëjtën kohë, e ndalonin përhapjen te njerëzit e thjeshtë.
Kishte çaste kur bariu mendonte me një naivitet të pafalshëm, se ashtu si kërraba mund të hiqej lehtësisht dhe të rikthente ujin, edhe kjo kërrabë imagjinare, e lidhur me paragjykimet njerëzore, të trashëguara në shekuj, do të mund të ofronte të njëjtën mundësi. Por, këtë objekt të dytë nuk kishte asnjë fuqi në botë që të mund ta nxirrte nga mendimet dhe nga dëshirat e njerëzve, ndonëse iu duhet ta paguajnë me mijëra herë me gjak, në Arkën e Historisë.
Bariu donte t’i vinte një emër këtij shkopi të çuditshëm apo skeptri mbretëror kokëfortë, që e mbante të gjithë mbretërinë të bllokuar mendërisht me pasoja të tmerrshme për njerëzit, por nuk mundte.
Nuk kishte as idenë më të vogël për këtë temë as romancieri më i urryer dhe, në të njëjtën kohë, më i adhuruar i Mbretërisë, një lloj tipi mediokër gjithmonë i lartësuar nga pushtetet, i përkthyer në mjaft gjuhë të botës, Mjafton të lexosh me sy të kujdesshëm, të brendshëm, pergamenat e tij të fantaksura, për të kuptuar zbrazëtinë e tij të madhe. Çfarë forcë tokësore mund t’i dalë përpara për të kundërshtuar Logos-in universal, të mistershëm të kësaj bote, të ndërtuar me katër përmasa! Vetë intelektualët e lartë mbyllin kohën e vendit të tyre, pa e kuptuar.
Përfundimisht, çfarë të ishte ai shkop i çuditshëm që asnjë fuqi në botë nuk mund ta hiqte nga mendjet shkëmbore të Mbretërisë? Në të kundërt, nëse gjërat do të ndryshonin, do të ndodhte një revolucion i madh në mendim, një çlirim i vërtetë, shpirtëror i shoqërisë.
Për të zgjidhur enigmën, thonë se, një natë, bariut iu shfaq në ëndërr Zarathustra, profeti i famshëm persian, i cili ka jetuar më shumë se shtatë shekuj para Erës së Jezu Krishtit. I pëshpëriti bariut në vesh se kërraba misterioze quhet “Kohë”. -Shtoi më pas, duke u larguar, i tretur në ca avuj mistikë, të bardhë e të kuq, se kur nuk ekziston ideja e Kohës, një fakt i tillë, i mbyt të gjitha mbretëritë tip shpelle pa pik mëshire, pa kursyer as kafshët e pyllit, të përjashtuara nga kuptimi i gjërave dhe i jetës, qysh në origjinën e Krijimit të Botës.
Burimi/Facebook


Leave a Reply