Hafiz Ali Korça (1873-1957) – personalitet ky poliedrik, hafiz (qysh në moshën 12 vjeçare), muderriz, mësues feje e kombi, luftëtar me penë dhe me pushkë për pavarësi kombëtare, luftëtar i madh për arsimim kombëtar dhe krijues tekstesh e librash me tematikë fetare dhe kombëtare.
Nëse ka një klerik patriot musliman shqiptar, veprimtaria e të cilit e bënë atë simbol të binomit Fe e Atdhe, është pa më të voglin dyshim Hafiz Ali Korça.
Hafiz Ali Korça u lind në Korçë më 5 prill 1873. Ai ishte i biri i Iljaz efendi Kadiut dhe vinte nga një familje që kishin qenë brez pas brezi dijetarë të fesë, por edhe patriot shqiptar të palëkundur. Hafiz Ali Korça, përveç edukatës familjare të shkelqyer që do ta merrte që në djep së bashku me qumshtin e nënës, do të përfitonte edhe nga edukata, tradita shoqërore e patriotike e Korçës që nuk i kanë munguar kurrë. Ndërsa nën kujdesin e familjarëve dhe aftësive të tij, ai, mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje (Korçë), në shkollën iptidaije dhe atë idadije. Studimet e larta i kreu në medresen “Çifte Minareli” në Stamboll. Vlenë të cilësohet se mësimet e para fetare islame, Hafiz Ali Korça i kishte marrë që në Korçë, nga babai i tij, ku që në moshën 12 vjeçare atje kishte mësuar të gjithë Kur’anin përmendësh dhe ishte bërë hafiz.
Ai ishte edhe një poliglot i mirëfilltë ku zotëronte gjuhët arabe, perse, osmanishte, turqishte dhe frëngjishtën. Pas këtij arsimimi dhe kompletimi me vlerat e një intelektuali patriot Hafiz Ali Korça do t’i hynte pa mëndyshje rrugës fetare, letrare dhe publicistike.
Hafiz Ali Korça, filloi të jetë aktiv e t’i bashkohet lëvizjes kombëtare shqiptare që në vitin 1889, pra kur ishte vetëm 16 vjeç, në kohën kur filloi të jepte mësime falas në shkollën shqipe të djemve në Korçë dhe pas një viti edhe në idadijen e Korçës. Hafiz Ali Korça që në fillimet e aktivitetit të tij atdhetar shqiptar, do të përndiqej e dënohej nga organet e qeverisë turke-osmane. Ishte në moshën 20 vjeçare (1893), kur u internua në Sinop, pasi kur udhëtonte me trenin Sofije-Stamboll, iu kapen librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua përsëri në Anadoll, për aktivitetin e tij në mësonjëtoren e Korçës. Megjithë këto masa nëshkimore nga qeveria e stambollit, Hafiz Ali Korça nuk do të ndalej në veprimtarinë e tij patriotike shqiptare. Hafiz Ali Korça ishte ndër mësuesit e parë të mësonjëtores shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e kësaj mësonjëtore. Hafiz Ali Korça gjatë kohës së debatit të shtyrë nga disa qarqe në Stamboll për llojin e alfabetit për gjuhën shqipe, Hafëz Ali Korça përkrahu alfabetin latin.
Këtë e tregoi Hafiz Ali Korça edhe kur ishte pjesmarrës aktiv në kongresin e Manastirit (14-22 nëntor) 1908. Kongres ku do të vendosej fati i alfabetit shqip, alfabet që na shtroi rrugën e komunikimit (të njëjtë) me Europën Perendimore. Kongresi do të thirrej me inisiativen e shoqerisë “BASHKIMI” në qytetin historik të Manastirit. Këtu u mblodhen perfaqesues nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe shoqeritë jashtë vendit, si ato të Sofjes , Bukureshtit ,Stambollit, Konstances , Amerikës, Egjyptit , Italisë e tjer… Programi i kongresit kishte në themel filozofinë : “Jo me pushkë e barut, por me pendë e letra”.. Në kongres muarën pjesë rreth 400 shqiptarë të njohur si Mit’hat Frasheri, Gjergj Qiriazi, Gjergj Fishta , Nikollë Kaçorri , Ndre Mjeda, Hil Mosi , Mati Logoreci, Thoma Avrami , Sotir Peci , Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi , Adam Shkaba , Bajo e Çerciz Topulli , Mihal Grameno , Fehmi Zavalani , Dhimiter Mole , Nysret Vrioni , Rrok Berisha , Leonidha Naço , Dhimitraq Buda , Akil Eftimi , Shefqet Frasheri , Refik Toptani , Gligor Cilka , Emin Shkupi , Hafiz Ibrahimi (nga Shkupi) , Ramiz Daci , Xhemal Beu (nga Ohri ) , Fahri Frasheri nga Resna etjerë, në mes të cilëve dallohej edhe Hafiz Ali Korça…
Ai, siç kemi theksuar më parë, pas vuajtjes së dënimit dymuajsh në burgun e Sinopit, arriti të formonte rreth vetes një çetë luftëtarësh të vendosur shqiptarë, të cilëve u priu vetë, dhe organizoi luftën për një Shqipëri të lirë e demokratike qysh në vitin 1902. Në këtë kohë Shqipërinë e përfshiu një valë e kryengritjeve në Veri dhe në Jug. Në Pejë kryengritja shpërtheu pasi elementët destruktivë vranë Haxhi Zekën, ndërsa në Devoll Hafiz Ali Korça formoi çetën e tij që veproi në tërë krahinën e Korçës. Ai qe ndër mësuesit e parë të shkollës së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me drejtorin e parë të saj, Pandeli Sotirin. Përkrahu me ngulmë vendimet e Kongresit të Manastirit për një alfabet të unifikuar shqip, si dhe ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në Kongresin e Dibrës dhe të Elbasanit, ku, duke qenë se e pati fjalën kryesore, dha një kontribut të madh drejt avansimit të gjuhës, arsimit dhe kulturës sonë kombëtare. Pas shpalljes së Pavarësisë iu ngarkuan detyra me rëndësi. Qe anëtar i – Komisis Letrare – ku së bashku me veteranët Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci e Sali Nivica, veproi me përkushtim në fushën e gjuhësisë, madje këshilltar i Ministrisë së Arsimit, drejtor i Përgjithshëm po i kësaj Ministrie, Shef i fetva – minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës.
Ai ka shkruar e botuar një varg veprash origjinale në prozë e poezi fetare dhe shoqërore. Ndër to shquhen:
“Mevludi” (1900).
“303 fjalë të Imam Aliut” (Botuar në Korçë më 1910).
“Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Botuar në Tiranë më 1931, fq.288).
“Jusufi me Zelihanë” (Botuar në Elbasan më 1923).
Më 1925 botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. “Gjylistani”, përkthim nga Sadiu, (1918).
“Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë”, poezi, (Botuar në Tiranë më 1944).
“Tefsiri i Kur’anit”, (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924.
“Rubaijjati Khajam”(Hajjam, përkthim nga Omer Khajami, 1930- Ribotim 1942 në Tiranë).
Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu edhe tekstet shkollore si :
“Abetare shqip” (1910).
“Fe Rrëfenjësi, morali” (1914).
“Gramatika, Syntaksa shqip—arabisht edhe fjalime”, (1916).
Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat si “Gjylistani”, “Rubairat” si dhe “Jusufi me Zelihane”, i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj si Saadiun, O.Kajamin etj.
Zekerija Z. Idrizi: pjesë nga libri im “Hoxhallarët dhe institucionet islame në shërbim të çështjes kombëtare”, botoi Fondacioni i Rinisë Islame, Cyrih, 2016.
Burimi/Faceboo


Leave a Reply