“Unë mendoj se libri duhet gjykuar dhjetë vite më vonë pas të lexuarit dhe rilexuarit të tij”, Umberto Eco.
Lexuar në adoleshencë dhe rilexuar këto ditë, romani i mëposhtëm (edhe të tjerë syresh të letërsisë botërore), më zgjon po të njëjtat ndjesi. (Po më grishte prej kohësh ideja e rikthimit në të.)
“….Patin doja ta quaja vetëm një dhuratë të papritur dhe fatlume, që kish trokitur në pragun tim. E dija fort mirë që të gjitha dashuritë, kërkojnë të jenë të përjetshme dhe këtu e ka burimin mundimi dhe vuajtja e tyre. Nuk ka asgjë që mbetet përgjithmonë. Asgjë!
….Le të bëhej çfarë të bëhej, le të çmendesha nga pikëllimi po ta humbisja – rëndësi kishte që ajo ndodhej këtu, dhe të gjitha të tjerat s’kishin pikë vlere, le të venin në djall! E ç’vlerë kishte sigurimi i kësaj çike jete! Një ditë prej ditësh, prapëseprapë do t’ia behte batica e frikshme dhe do të shkulte e permbytte gjithçka!
…. Vetëm ai, i cili mbetej vazhdimisht i vetmuar, e njihte lumturinë që të falte të qenët bashkë.
….Realiteti i zgjon dëshirat, por s’i përmbush dot; të gjitha mund të ekzistojnë, t’i kesh të tuat: njeriun, dashurinë, lumturinë, jetën – por ç’e do, ato janë gjithmonë tepër pak dhe, nën peshën e një ligji të tmerrshëm, vijnë vazhdimisht duke u pakësuar, megjithëse duken si shumë.
….Pati nuk do të vdiste. Ky mëngjes i freskët, ky fllad, kjo jetë që buçiste në gjoksin tim si det i shkumëzuar – ma thoshin këtë.
….Është e vështirë të gjesh fjalë, kur ke për të thënë vërtet diçka. Të gjitha ato i përkasin shekujve të kaluar. Koha jonë nuk i ka gjetur fjalët e duhura për ndjenjat e saj.
…Befas tiparet e saj ishin të shpërfytyruara nga dhimbja. E dinte se kurrë më, s’do të mund të arrinte përtej atyre vargmaleve në horizont. Për një çast e humbi totuan dhe i gjithë mjerimi i botës, iu pasqyrua ndër sy.
…. Ajo m’i qepi sytë që i qenë zmadhuar tejmase. S’munda ta duroja me atë shikim. Vinte që nga larg, kalonte përmes meje dhe tretej diku.
…. Dritë verbuese. Njerëz. Mjeku. Hapa ngadalë dorën time. Dora e Patit u lëshua përtokë. Sy të ngrirë e të munduar. Flokë gështenjë e të mëndafshtë
– Pat, – thashë unë. – Pat!
Dhe për herë të parë, ajo nuk më dha përgjigje.”
Burimi/Facebook


Leave a Reply